1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Konflikti Moskë - Minsk për faturat e gazit dhe sigurimi i furnizimit të Evropës

Për shkak të mosmarrëveshjeve mes Rusisë dhe Bjellorusisë për faturat e papaguara, Gazpromi ia mbylli rubinetin e gazit Bjellorusisë. Urdhëri erdhi nga presidenti rus Medvedjev. Por a do të preken klientët evropianë?

Qendra e Gazpromit në Moskë

Qendra e Gazpromit në Moskë

Ultimatumi i paraqitur nga Rusia nuk solli asgjë të re. Në mënyrë të pandryshuar Bjellorusia refuzon që t'i paguajë borxhet e saj në gaz, në shumën 155 milionë euro. Që prej mëngjesit herët u zhvilluan negociata. Paradite, presidenti i Rusisë, Medvedjev kërkoi raport nga shefi i Gazprom-it, Miller për gjendjen aktuale të punëve. Si shpesh herë në raste të tilla, biseda u transmetua në televizionin rus.

Shefi i Gazpromit, Alexej Miller

Shefi i Gazpromit, Alexej Miller

Milleri mundi të flasë sidoqoftë për një përparim të vogël, ndonëse jo të kënaqshëm: "Ne kemi zhvilluar negociata me kolegët. Bjellorusia vërtet që i pranoi borxhet e saj për dërgimet e gazit, por na propozon që të pranojmë si mjet pagese makineri, pajisje dhe mallra të tjera."

Ironia ruse: Ëmbëlsirat me borzilok nuk mund të përdoren si mjet pagese

Një propozim, i cili Medvedjevit nuk i vlejti. Disi me padurim ai u përgjigj me stilin putinian: "Po në bazë të marrëveshjes duhet të paguash, dhe kjo në një monedhë të huaj...Gazpromi nuk duhet të pranojë asgjë tjetër: as gurabije, as gjalpë, as djathë - ëmbëlsirat me borzilok nuk mund të përdoren si mjet pagese. Këtë, partnerët tanë bjellorusë duhet ta kuptojnë."

Por deri tani punët nuk duken kështu. Prandaj Moska e bëri realitet kërcënimin e saj dhe filloi të hënën në mëngjes (21.6) kufizimin gradual të furnizimeve me gaz.

Milleri shpjegoi procedurën: "Borxhi nuk është shlyer. Prej orës 10 sipas orës së Moskës, furnizimet e përditshme me gaz rus për në Bjellorusi do të pakësohen, fillimisht me 15%. Sasitë që do të reduktohen do të rriten gradualisht, në përputhje me borxhin, deri në 85%."

Gazsjellësi kryesor për Evropën, Jamal në Bjellorusi. Një punëtor bjellorus kontrollon kompresorët

Gazsjellësi kryesor për Evropën, Jamal në Bjellorusi. Një punëtor bjellorus kontrollon kompresorët

Me sa duket në Moskë shpresojnë ende që Minsku ta ndryshojë qendrimin e tij. Por deri tani atje kanë treguar pak mirëkuptim. Furnizuesi bjellorus i gazit, Beltransgas e quajti kufizimin e furnizimit me gaz, në një reagim të parë, ilegal dhe të paargumentuar. Presidenti Medvedjev është mashtruar nga punëdhënësi i tij i mëparshëm, Gazprom, meqenëse u fol vetëm për borxhe bjelloruse. Gazpromi i ka borxh Bjellorusisë dy milionë dollarë për tranzitin e gazit për në Evropën Perëndimore. Një kritikë, e cila u hodh poshtë menjëherë me ashpërsi nga zëvendëskryeministri rus Seçin.

Nuk do të kete kufizime për Evropën

Megjithatë, pasdite erdhi kjo surprizë. I pyetur për kalimin e gazit tranzit për në Evropën perëndimore, zëdhënësi i shtypit të Gazpromit, Kuprianow pranoi: "Tranziti i gazit duhet të vazhdojë me të njëjtat përmasa, për këtë ka shumë mundësi, para së gjithash përmes gazsjellësit kryesor "Jamal-Europa", e cila i përket Gazpromit- ajo vërtet që kalon në territor bjellorus, por është parashikuar krejtësisht për eksporte, jo për përdorim nga Beltransgas. Tranziti i gazit duhet të vazhdojë, ne nuk presim ndërprerje. Për ne ka asnjë problem që ta paguajmë tranzitin. Kjo është një çështje teknike, e cila mund të zgjidhet në çdo kohë."

Ky është një pranim që edhe Gazpromi ka llogari të papaguara. Bjellorusia deklaroi pas kësaj, se grindja mund të zgjidhet brenda dy javësh. Sapo t'i ketë paguar borxhet e tij Gazpromi, edhe Minsku do të paguajë shumën e kërkuar.

Stefan Laack/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 22.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nzfb
  • Data 22.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nzfb