1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konflikti mbi emrin e Maqedonisë - Rajs takohet me Bakojanin

Në kuadër të konferencës për Lindjen e Mesme u takuan dje (24.6.) në Berlin ministrja e jashtme e SHBA Kondoliza Rajs me homologen greke Dora Bakojani. Temë e rëndësishme e bisedimeve mes tyre ishte konflikti për emrin.

default

Pamje nga ajri e kufirit mes Greqisë dhe Maqedonisë

Sipas grekëve emri mund t'u japë shkas pretendimeve territoriale për provincën greke me të njëjtin emër. Për këtë arsye Athina bllokoi në prill anëtarësimin e Shkupit në NATO. Kjo nuk i pëlqeu aspak Uashingtonit.


Iniciativa për takimin me homologen e saj greke në Berlin u morr nga ministrja e jashtme amerikane Kondoliza Rajs. Kush besonte përpara takimit, se Uashingtoni do të përpiqej të ushtronte trsyni mbi Greqinë për ta lëvizur nga pozicioni aktual në çështjen e emrin u zhgënjye. Në takim vetëm u shkëmbyen informacione mbi qëndrimet respektive. Ministrja e jashtme greke Dora Bakojani u shpreh pas takimit: "Patëm një shkëmbim të hapur mendimesh, që filloi aty ku e kishim lënë dy muaj më parë. Marrëdhëniet amerikano-greke siç e dini janë të mira. Ato ngrihen mbi një bazë solide. Ne do t'i çojmë më tej kontaktet."

Sipas vlerësimit të një burimi nga ministria e jashtme greke Kondoliza Rajs e ka kërkuar bisedën për të përmirësuar në rradhë të parë klimën e marrëdhënieve greko amerikane. Në samitin e NATO-s në Bukuresht në muajin prill pati disa turbullime të kësaj klime pasi Uashingtoni ngulte këmbë që Maqedonia të pranohej si anëtare e NATO-s edhe pa zgjidhjen e konfliktit për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Por Greqia ishte kundër. Meqënëse pranimi i anëtarëve të rinj bëhet në unanimitet Shkupi mbeti jashtë.


Përpara takimit Rajs-Bakojani u spekulua shumë se Uashingtoni do të përpiqej të detyronte palët në arritjen e një zgjidhjeje të konfliktit deri në muajin korrik kështu që Maqedonia të mund të pranohej në NATO bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë. Burimi nga ministria e jashtme greke siguroi se zonja Rajs nuk e ka paraqitur një kërkesë të tillë.


Mbi përmbajtjen e bisedimeve ministrja e jashtme greke Bakojani deklaroi: "Bisedimet kishin karakter informues. Kështu për shembull unë e informova zonjën Rajs se të enjten (26.6.) zoti Nimitc do të jetë në Athinë për të vazhduar negociatat. Me këtë rast unë shpreha shpresën për përfundimin me sukses të negociatave, për heqjen dorë nga ana e Shkupit të retorikës së fushatës elektorale dhe përqëndrimit në aspektet thelbësore."


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Metju Nimitc që viziton të enjten (26.6.) Athinën dhe të premten (27.6.) Shkupin do të ketë me vete një propozim të ri për zgjidhjen e konfliktit për emrin. Thuhet se propozimi i tij është që Maqedonia në të ardhmen të quhet "Republika e Maqedonisë Veriore". Pala greke ka sinjalizuar se do ta pranonte këtë propozim por ka dyshime për pranimin nga ana e maqedonasve, të cilët ngulin këmbë në emrin "Republika e Maqedonisë".


Përshtypja se zgjidhja e konfliktit për emrin nuk do të jetë e afërt po forcohet ndërkohë. Jo vetëm Athina por edhe Shkupi e di se mundësitë vepruese të administratës Bush reduktohen sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. As BE-ja dhe as ndonjë organizëm tjetër ndërkombëtar nuk kanë të njëjtën influencë si SHBA për të arritur një zgjidhje të konfliktit.Deri në ngritjen e administratës së re amerikane në mes të vitit të ardhshëm, Athina dhe Shkupi do të jenë vetëm. Dyshimet janë të forta nëse ata janë të gatshëm për kompromise.

  • Data 25.06.2008
  • Autor Kouparanis, Panagiotis / Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EQS4
  • Data 25.06.2008
  • Autor Kouparanis, Panagiotis / Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EQS4