1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100211 Deutschland Regierung

11 Shkurt 2011

Qeverisja për kancelaren Angela Merkel po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Partneri i koalicionit, liberalët, janë duke u dobësuar, kurse partitë opozitare sipas demoskopëve janë duke u forcuar.

https://p.dw.com/p/10FOl
Partnerët e koalicionit Guido Westerwelle (FDP) dhe Angela Merkel (CDU)Fotografi: dapd

Shumë gjermanë tundin këto ditën kokën dhe nuk kanë mirëkuptim për qeverinë dhe opozitën. Kjo sepse pas bisedimesh të gjata dhe të vështira në lidhje me ndihmat sociale, politikanët nuk arritën dot ndonjë kompromis. Kjo do të thotë se rreth 7 milionë vetë që marrin ndihma të tilla duhet të presin ende deri sa të përcaktohet masa e re e ndihmës sociale, për të cilën ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Dështimi i bisedimeve për rritjen e ndihmave sociale për të papunët tregoi se hapsira për kompromise politike mes qeverisë dhe opozitës po ngushtohet.

Politikania e partisë SPD në opozitë, Manuela Schwesig, e akuzoi kancelaren se është një politikane e interesuar vetëm për pushtet: "Qeveria gjermane e rrotulloi punën që bisedimet të dështonin. Kjo qe e vetmja prokurë, që kishte znj. von der Leyen.“

Deutschland Bunderegierung Harz IV Kombo Ursula von der Leyen und Manuela Schwesig
Ursula von der Leyen dhe Manuela SchwesigFotografi: dapd

Ministrja e Punës në qeverinë Merkel, Ursula von der Leyen, e akuzoi opozitën se me kërkesat e tyre maksimale donin ta zinin bllof qeverinë: "Për mua është e rëndësishme të them edhe një herë që në këtë rast duhet menduar, nëse duhet të hiqet dorë prej taktikës partiake dhe të ecet me një hap të përbashkët arsyeje dhe përgjegjësie."

Një hap i madh arsyeje do të ishte një hap i vogël në këtë çështje. Sepse paketa miliardëshe për të cilën u diskuta ditë me radhë në komisionin e ndërmjetësimit mes Bundestagut dhe Këshillit të Federatës, dështoi së fundi prej mosmarrëveshjes nëse shtesa e ndihmës sociale do të jetë 5 apo 11 euro, ose nëse punonjësit provizorë kanë të drejtë të marrin të njëjtën rrogë si punonjësit e tjerë pas 4 ose pas 9 muajsh. Edhe pse disa mendojnë se kjo është qesharake, asnjëra nga palët nuk donte të lëshonte pe.

Për momentin politikanët po luajnë një shfaqje aq të keqe, sa për muajt e ardhshëm, në të cilat do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentet e landeve, pritet më e keqja. Partitë e koalicionit qeveritar pritet të humbasin si në Hamburg dhe Baden-Württemberg duke humbur në këtë mënyrë edhe vota në Këshillin e Federatës. Në të koalicioni i Merkelit nuk e ka as sot shumicën, gjë që çon në situatë pati mes qeverisë dhe opozitës në rastin e miratimit të shumë ligjeve.

Në këtë mënyrë lojërat politike, pra si e ashtuquajtura blerja e landeve që i përkasin frontit refuzues, edhe përdorimi nga opozita i Dhomës së Landeve si instrument bllokade, të cilat kanë traditë në Gjermani, janë të programuara. Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan se kancelari Schrëder u kujdes për zhvillimin e zgjedhjeve të reja, pasi partia e tij SPD humbi zgjedhjet në landin NRW. Në radhët e koalicionit nën drejtimin e Merkelit thuhet se ka diskutime të tilla në rast se CDU dhe FDP humbasin zgjedhjet në landin Baden-Württemberg. Studiuesit e demoskopisë mendojnë se pokeri i politikanëve shkakton zemërim tek qytetarët, të cilët reagojnë ose duke mos marrë pjesë në votime ose me protesta spontane si ato kundër zgjerimit të stacionit të trenit në Shtutgart. Gazeta e Berlinit „Tagesspiegel" shkruan se në këtë supervit zgjedhjesh "politika është larguar në mënyrë groteske" prej atyre të cilëve duhet t'u shërbejë. Shtohet pra pyetja se sa kohe mund të vazhdojë kjo.

Autor: Bernd Gräßler / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani