1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Konflikt drejtësie? Sa sheriat mund të durojë Evropa

Numri i myslimanëve është në rritje në Evropë. Shumë prej tyre jetojnë sipas rregullave të sheriatit dhe kërkojnë kur dalin para gjyqit që gjykatësit të marrin parasysh dhe të drejtën islame.

default

Sa kompatibël është sheriati me të drejtën evropiane?

Ai nuk do t`i japë gruas pas ndarjes asnjë mbështetje financiare për fëmijët, tha një burrë nga Arabia Saudite para një gjykate në Vjenë duke iu referuar ligjit në atdheun e tij. Martesa ishte bërë në Arabinë Saudite, ligjet arabo-saudite përmbajnë edhe sheriatin dhe sipas tij, nëse vjen puna tek ndarja gjyqësore, atëherë gruaja duhet të marrë më pas vetëm tre muaj ndihmë për fëmijët. Eventualisht mund të bëhet edhe pagesa vetëm një herë e një shume kompesimi. Por, mbështetje më të gjatë financiare se sa vetëm tre muaj, nuk parashikohet nga ligji.

Meqenëse në proceset e të drejtës civile në Evropë vlen parimi që gjatë marrjes së vendimit përveç vendit të qëndrimit duhet marrë parasysh edhe nënshtetësia, atëherë gjyqet nuk është e thënë se duhet të zbatojnë vetëm ligjet e veta. Ky rregull përdoret shumë sidomos në martesat binacionale. Kështu, qytetari nga Arabia Saudite argumenton se nëse dikush që vjen prej një vendi ku vlen e drejta islame, del në gjyq në Evropë, atëherë kjo e drejtë duhet të vlejë edhe aty.

Pa shariat në shkolla

Der Islam in Europa Heiko Heinisch

Heiko Heinisch

Sa pjesë e të drejtës islame mund të integrohet në sistemin juridik evropian, pa lejuar ndryshime të karakterit të saj? Duhet të kihet parasysh se nuk ekziston asnjë instancë që të ketë mundësi të bëjë normat për një krahasim me të drejtën evropiane. Kështu për shembull shoqata dhe komunitete të caktuara, apo persona privat mund të detyrojnë rregulla dhe ligje të ndryshme.

Me këtë çështje është duke u marrë sociologia dhe publicistja Necla Kelek. Ajo vjen nga Turqia dhe ka qenë për vite me radhë anëtare e Konferencës Islamike në Gjermani. Kur në Gjermani u diskutua për mbajtjen e perçes në shkollë, një grup pune i Konferencës islamike pa se mbajtja e perçes nuk mund ndalohet nga rregullat shkollore.

Kjo, thotë Kelek, ishte një lloj rekomandimi që sheriati të futet në shkollat gjermane, një gjë që ajo e sheh si shumë problematike: "Të dërgosh në shkollë një vajzë më e vogël se 14 vjeç me perçe, nuk ka për mua të bëjë me lirinë e fesë. Dhe nuk ka të bëjë as me të drejtën e prindërve për rritjen e fëmijëve. Por është shkelje e kushtetutës që garanton dinjitetin e njeriut dhe shkel ndalimin e diskriminimit," thotë sociologia gjermane.

Mustafa Ceric

Mustafa Ceric

Shkelje e normave demokratike

Shumica e rasteve, ku shkaktohet konflikt me sheriatin, kanë të bëjnë me të drejtën evropiane për çështjet familjare, thotë historiani Heiko Henisch nga Instituti Ludwig-Boltzmann për shkencat sociale historike, në Vjenë.

A lejohet një baba të dërgojë të bijën 14 vjeçare me perçe në shkollë? A duhet të paguajë bashkëshorti mjete financiare për familjen, pas ndarjes? Nëse përgjigjet për këto pyetje merren nga sheriati atëherë duhet ngritur një sistem paralel drejtësie vetëm për myslimanët i cili do u jepte atyre të drejta të posaçme. Kjo mund të ketë fund të keq, thotë Henisch.

"E drejta e posaçme ndan shoqërinë në pjesë që përcaktohen në mënyrë arbitrare, në këtë rast në shoqëri fetare dhe nuk ndihmon integrimin. Të drejtat e posaçme për princip janë kolektive dhe lidhen me grupe dhe jo me persona të veçantë. Në rast ekstrem kjo mund të çojë në përjashtimin e grupeve të tëra të popullsisë," thotë Henisch. Ai thekson po ashtu se qënia njëkohësisht në fuqi e disa sistemeve ligjore shkel dy parime bazë demokratike: Të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe në raste të ngjashme vlen e njëjta e drejtë.

Sheriati - një kanun vlerash

Por kjo frikë është e paargumentuar, pretendon muftiu boshnjak, Mustafa Ceric. Sepse sheriati është mënyra si e vështron myslimanizmi botën, janë pikëpamje filozofike, një udhërrëfyes për jetën, që përcakton identitetin mysliman, në gjithë botën. Nga pikëpamja juridike nuk është vendimtare, që diku në Evropë zbatohet një ligj kanuni thekson Ceric. "E gjithë Evropa bazohet tek demokracia. Popullsia zgjedh parlamente, parlamentet nxjerrin ligje, gjykatat i venë ligjet ne zbatim. Gjykatësit nuk janë kadi, që zbatojnë ligje fetare, ose që i marrin ato si bazë". Këtu kemi të bëjmë me një fobi të perëndimit, beson Ceric.

Eroeffnung Sektion Islamische Kunst im Louvre Museum

Sa sherihat mund të mbajë Evropa?

Por çfarë do të ndodhë nëse disa vlera të sheriatit ndikojnë mbi gjykatat evropiane dhe nuk i shërbejnë vetëm mënyrës private të jetës? Në rastin e bashkëshortit nga Arabia Saudite gjykata austriake shtroi pyetjen nëse rregullat e sheriatit për pagesat e mjeteve financiare mbështetëse nuk janë shkelje e fundamentit të të drejtës austriake. Një kundërshtim i thjeshtë nuk mjafton për të injoruar të drejtën e huaj.

Gjykatësit austriakë erdhën në përfundimin se rregulli, sipas të cilit dikush paguan pas prishjes së lidhjes bashkëshortore vetëm tre muaj, nuk shkel fundamentin e të drejtës austriake. Në fund të fundit edhe në Austri nuk bëhet detyrimisht pagesa e ndihmës financiare për familjen pas ndarjes, për shembull në rastin e borxheve të të dy palëve bashkëshortë. Prandaj burri për të cilin treguam morri të drejtën, në emër të popullit.