1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Konfirmohen ryshfetet ndaj konservatorëve spanjollë

Konservatorët në pushtet në Spanjë besohet se janë financuar me dekada ilegalisht: ish-shefi i thesarit, Barcenas, i cili ndodhet në arrest, mund ta rrëzojë qeverinë. Ai rëndon edhe kryeministrin Rajoy.

Skandali i korrupsionit është përhapur gjithnjë e më tepër muajt e fundit dhe e ka tërhequr gjithnjë e më thellë Partinë Popullore (PP). Ish-shefi i thesarit të Partisë Popullore, Luis Barcenas tani ka konfirmuar se funksionarë drejtues të konservatorëve kanë pranuar në mënyrë të përsëritur para ilegale. Partia e kryeministrit, Mariano Rajoy ka marrë të paktën për 20 vjet donacione me para në dorë nga industria e ndërtimit dhe sipërmarrje të tjera, donacione të cilat nuk i ka deklaruar, i tha Barcenas gazetës së Madridit, "El Mundo". Si shpërblim, PP ka dhënë licensa ndërtimi si dhe porosi të tjera.

Barcenas luan një rol kyç në aferën për arkat ilegale të Partisë Popullore. Edhe për Rajoyn vetë ka dyshime se ka pranuar ryshfete. Kryeministri dhe anëtarë të tjerë të rangut të lartë të partisë i hedhin poshtë me forcë të gjitha kritikat. Barcenasin e arrestuan në fund të qershorit, sepse ekzistonte rreziku që ai të arratisej.

Material rëndues

Në intervistën e zhvilluar para takimit, Barcenas shpjegon se si janë mbajtur llogaritë ilegale rrjedhëse. 55 vjeçari kërcënon, se ai ka më tepër material rëndues dhe informacione, të cilat po të publikohen mund të rrëzojnë qeverinë konservatore. Me të ardhurat ilegale janë paguar për shembull rroga shtesë për anëtarë të rangut të lartë të partisë si dhe shpenzime të fushatës elektorale. Në raportet e shtypit, që para disa javësh qe bërë e ditur se po ta arrestonin, Barcenas do të nxjerrë në treg që nga burgu dokumente delikate.

Barcenas ka qenë në vitet 1991 deri 2010 përgjegjës për financat e PP. Për atë dyshohet se ka fshehur në llogari rrjedhëse në botën e jashtme, rreth 48 milionë euro. Drejtësia po zhvillon hetime.