1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Konfirmim për plotësimin e standarteve teknike nga ana e Shqipërisë?

Drejtuesi për Evropën Juglindore në Parlamentin Europian Eduard Kukan dhe një grup europarlamentarësh qëndrojnë në Shqipëri. Në fokus përmbushja e kushteve për procesin e liberalizmit të vizave.

default

Kërkesë në gjuhën gjermane për dhënien e vizës Shengen

Nga ekspertët kjo vizitë e europarlamentarëve shikohet si një konfirmim për plotësimin e standarteve teknike nga ana e Shqipërisë. Krizën aktuale politike ata e shikojnë pa ndikim të drejtëpërdrejtë në këtë proces. Por nëse ajo do të vazhdojë, atëhere ajo pritet të shoqërohet me zvarritje të procesit të anëtarësimit me të drejta të plota të vendit në BE.

Përqëndrimi te plotësimi i kritereve teknike për liberalizmin e vizave

Në kontaktet me autoritetet zyrtare dhe përfaqësues të opozitës europarlamentarët janë të përqëndruar më shumë tek plotësimi i kritereve teknike për liberalizmin e vizave për qytetarët shqiptarë për në hapësirën Schengen të BE-së. Delegacioni i Parlamentit Evropian ka vizituar dhe qëndrën e përgatitjes se dokumenteve të identifikimit në Tiranë, si dhe sallën operacionale për monitorimin e kufijve e doganave në Drejtorinë e Policisë së Shtetii. Duke mos dashur të bëjnë komente paraprake për median, europarlamentarët priten që vlerësimet e tyre ti bashkëngjisin me ato të dy ekipeve monitoruese që Komisioni Europian ka dërguar më herët në Tiranë.

Alia: Liberalizmi i vizave duhet ndarë nga procesi i integrimit të vendit në BE

Ilir Alia, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillim dhe Demokratizim të Institucioneve e konsideron ndalesën në Tiranë të parlamentarëve europianë si një konfirmim për finalizmin e procesit të liberalizmit të vizave brenda muajit korrik të këtij viti. Ai thotë për DW se liberalizmi i vizave duhet ndarë nga procesi i integrimit të vendit në BE. Liberalizmi është proces tërësisht teknik dhe varet nga qeveria. Kurse procesi i integrimit europian ka në thelb dhe elementë politikë. Delegacioni i Parlamentit Europian është në Shqipëri në një moment, kur për të ka patur vlerësime domethënëse.

Ilir Alia Albanien

Ilir Alia, drejtor ekzekutiv i Qëndrës për Zhvillim dhe Demokratizim të Institucioneve

“Nëse në maj të vitit 2009 kishim një Shqipëri me 16 “semaforë të kuq”, pra mospërmbushje të kritereve teknike, në nëntor të vitit 2009 vendi kishte 20 “semaforë” të verdhë, të cilët ishin afër jeshiles që nënkupton zbatim të kritereve. Dhe nuk kishte asnjë “semafor” të kuq”.

Sipas Ilir Aliajt kjo është tregues i qartë se kriteret teknikë të liberalizmit të vizave janë realizuar në pjesën më të madhe ose janë në realizim për ato që kanë mbetur. Afati sipas tij do të kapet brenda mesit të muajit tjetër kur cështja do të fillojë të diskutohet zyrtarisht nga Brukseli për dy vendet e rajonit, Shqipërinë dhe Bosnjën.

Gjipali:Vlerësimi nuk do të jetë vetëm teknik , por edhe politik.

Por Gledis Gjipali nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, EMA, mendon se procesi i liberalizmit të vizave nuk do të shikohet vetëm në planin teknik. Në rradhë të parë do të jenë rreth 42 standarte, që përbëjnë udhërëfyesin për liberalizmin, thotë Gjipali për DW.

“Variojnë nga miratimi i legjislacionit dhe zbatimi i tij; tek masat konkrete për sigurimin e kufijve, sidomos në ato pika, që kanë qënë më problematike; tek respektimi i të drejtave të njeriut; duke ecur më tej tek elementët teknikë të dokumenteve të identifikimit, siguria e dokumentave të tjerë mbështetës; dhe masa të tjera”.

Vendimarrja sipas Gjipalit do të jetë e përbashkët: e Parlamentit Europian dhe e Këshillit Europian. Në një kohë që për institucion e parë vlerësimi do të jetë tërësisht teknik, tek i dyti mund të ketë dhe qëndrime ose vlerësime politike.

“Ku ka shtete anëtare, të cilat i shohin më me kujdes problemet politike, që aktualisht po kalon Shqipëria dhe në një farë mënyrë mund të ndikojnë në këtë proces”, thotë për DW, Gledis Gjipali nga EMA.

Gledis Gjipali Albanien

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, EMA

Ilir Alia nga Qëndra për Zhvillim dhe Demokratizim të Institucioneve mendon se përmbushja e kritereve politike ka rëndësi të madhe për procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Kjo i është bërë e qartë autoriteteve dhe klasës politike shqiptare, thotë ai për DW.

“Na kërkohet stabilitet politik. Në të kundërt reformat mbesin në vend. P.sh një nga reformat e domosdoshme madje do të thosha emergjente është krijimi i gjykatës administrative. Por ajo nuk votohet ne parlament se kërkon 84 vota, dm.th dhe ato të opozitës. Atëhere ky proces shikohet nga Brukseli si një ngecje në vend”.

Po kështu ka dhe hapa të tjerë të nevojshëm që nuk ndërmerren në një situatë krize politike, thotë Ilir Alia.

Për plotësimin e kushteve të natyrës politike, Gledis Gjipali nga EMA, i referohet dhe pyetësorit që Komisioni Europian i ka dorëzuar autoriteteve shqiptare.

“Në morinë e madhe të pyetjeve, që ka ky pyetësor, që do të marrin përgjigje nga qeveria, kriteri politik zë një vend të veçantë. Aty përfshihen nga dialogu politik tek zgjedhjet jeta parlamentare, sistemi gjyqësor dhe një sërë proces të tjera shumë të rëndësishme”

Nëse kriza politike vazhdon, atëhere këto pyetje mbeten pa përgjigje dhe kjo është një kosto për procesin e integrimit, thotë Gjipali. Duke shtuar se në mënyrë të pashmangshme acarimi i situatës politike brenda vendit do të shtyjë në kohë vendimarrjen e Brukselit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke zvarritur reformat aq të domosdoshme për zhvillimin dhe përparimin e saj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi. Angjelina Verbica

  • Data 23.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MZuP
  • Data 23.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MZuP