1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konferenca për Sirinë: "Duhet të flitet për largimin e pushtetit"

Armëpushimi i vendosur në Siri në shkurt është i brishtë. Për këtë flet për DW, Bente Scheller, e cila thotë se në Vjenë duhet të flitet për largimin e regjimit dhe jo vetëm për gjendjen humanitare.

Bente Scheller

Bente Scheller

Deutsche Welle: Qysh nga fundi i shkurtit në Siri është në fuqi armpëshimi. Cili është bilanci i këtyre tre muajve?

Bente Scheller: Shumë sirianë kanë shpresuar shumë në javët e para se armëpushimi do të sjellë paqë. Luftime sporadike ka pasur tërë kohën, por shumëkush ka menduar se gjërat do të përmirësohen. Ishte kjo hera e parë që erdhi një lloj frymarrjeje më e lehtë. Por me kohë u bë gjithnjë e më e qartë se sulmet dhe luftimet po vazhdojnë. Kur shikon numrin e viktimave gjatë këtyre javëve, atëherë na duhet të konstatojmë për fat të keq se numri i viktimave ka mbetur mjaft i lartë.

Megjithë armëpushimin kanë vazhduar luftime kundër një pale: të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS). Në ç'drejtim janë zhvilluar gjërat në këta tre muaj?

Ne të gjithë kemi vëzhguar se si Palmyra është rikthyer nën kontrollin e forcave të regjimit. Problemi është që regjimi dhe forcat ajrore ruse ende janë shumë aktive dhe bombardojnë shumë - por pothuajse gjithmonë vetëm rajonet e kontrolluara nga rebelët dhe jo të ashtuquajturin Shteti Islamik. Ndaj janë shënuar vetëm përparime shumë të vogla në luftimin e IS-it në Siri.

Në veçanti e paqartë është gjendja në Alepo. Ndërsa në shumë qytete të mëdha, konfrontohen mes tyre trupat e regjimit dhe kryengritësit dhe grupet e ndryshme.

Në Alepo vazhdojnë luftime të ashpra. Alepo ka në njërën anë një simbolikë të madhe, sepse është qyteti më i madh i Sirisë. Suksesi atje mund të shitet si një fitore dhe përparim i madh. E në anën tjetër, gjendja e njerëzve atje, në veçanti e zonave të kontrolluara nga opozita në lindje, është dramatike. Ka vetëm një koridor shumë të ngushtë për furnizim. Nëse trupat e regjimit e mbyllin këtë koridor, atëherë sitata vështirësohet edhe më shumë. Ndaj Alepo ishte kaq shumë në shënjestër të forcave ajrore ruse dhe trupave të regjimit. Tani sërish kërkohet një armëpushim. Shpresojmë se do të lehtësojë furnizimin e njerëzve atje.

Tani kemi sërish një konflikt mes SHBA-së dhe Rusisë rreth përkufizimit të grupeve terroriste: Rusia kërkon që në këto grupe të futet edhe Ahrar ash-Sham. Ndërsa SHBA-ja, së bashku me Britaninë e Madhe, Francën dhe Ukrainën e kanë pamundësuar këtë gjatë një votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë që Ahrar ash-Sham është një grup militant salafistësh, i cili bashkëpunon ngushtë me Frontin Nusra, të afërt me Al Kaidën. Si është e mundur kjo?

Për Rusinë është me rëndësi që grupet në Siri të përkufizohen si terroriste, sepse ato gjithmonë përjashtohen nga procesi i armëpushimit. Ato mund të shërbejnë si perde për vazhdimin e bombardimeve në disa rajone të caktuara. Por nga sulmet e mëparshme e dimë se shumë rrallë qëllohen grupet terroriste, e shumë më shpesh civilët. Pretendohet se grupet islamike në Alepo janë islamistë. Por kjo nuk është e vërtetë. Fronti Nusra ka një prezencë shumë të dobtë atje. Besoj se këtu nuk kemi të bëjmë me vlerësime tepër të ndryshme mes Rusisë dhe SHBA-së dhe vendeve të tjera, por thjesht me manovrimet e Moskës, që duhet të evitohet.

Sa e bashkuar është opozita në kërkesat që Assadi nuk duhet të ketë ndonjë rol në të ardhmen e Sirisë?

Këtu kemi përfytyrimet më të ndryshme. Opozita e vendosur në Turqi nuk ka mundur në Siri të stabilizohet kurrë. Kjo është evituar me bombardimet e përhershme nga ajri, në rajonet ku regjimi nuk ka pasur kontrollin. Kjo i ka dobësuar natyrisht strukturat e opozitës dhe ka pamundësuar forcimin e opozitës në ekzil. Ndaj opozita është e përçarë dhe e shpërndarë në shumë vende të botës: në Turqi, Gjermani, Francë dhe në vendet e Gjirit Persik. Një program i përbashkët nuk ekziston, por vetëm vizioni i qartë: Assadi duhet të ikë! Kjo është e kuptueshme sepse shumica e njerëzve të vrarë deri tani, janë vrarë nga trupat e Assadit.

Të martën do të takohen në Vjenë përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit për Sirinë. Cilat janë shanset për një përparim të rëndësishëm në procesin e paqës?

Përpjekje të tilla ka pasur edhe më parë. Më parë janë mbajtur tri konferenca në Gjenevë si dhe takime të tjera të shumta. Ka dhe disa konferenca dhe procese të tjera, por asnjë prej tyre nuk ka shënuar ndonjë përparim të madh. Jo vetëm për shkak të lojës së regjimit me kohën por edhe për shkak të strategjisë ruse. Para çdo konference apo negociatave shtohet presioni dhe uria në disa rajone. Ndaj çështjet humanitare vendosen si pika e parë e rendit të ditës. Ndërkohë që tema kryesore duhet të jetë realizimi i marrëveshjes së Gjenevës për kalimin e pushtetit. Ky është procesi, i cili mund të çojë deri tek paqja në Siri, por ai me qëllim vendoset ndër pikat e fundit të rendit të ditës. Për temat politike flitet shumë rrallë. Prandaj jam skeptike për përparime në këtë konferencë.

Bente Scheller, drejton zyrën e Fondacionit Heinrich-Böll në Bejrut.