1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konferenca për Afganistanin në Bon: "Fazë e re bashkëpunimi!"

Është konferenca ndërkombëtare më e madhe në Gjermani. 101 shttete dhe organizata konsultohen sot (05.12) në Bon për të ardhmen e Afganistanit, 10 dhjetë vjet pas konferencës së parë pas rrëzimit të talebanëve.

Rangin Dadfar Spanta, Këshilltar për çështjet e sigurisë së Presidentit afgan, Karzai

Rangin Dadfar Spanta, Këshilltar për çështjet e sigurisë së Presidentit afgan, Karzai

Konferenca hapet nga kancelarja Angela Merkel, së bashku me presidentin afgan Hamid Karzai dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon. Ndër mbi 1000 pjesëmarrësit e konferencës do të jetë edhe ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton.

Afganistani do të rifitojë sovranitetin e vet, thotë këshilltari për çështjet e sigurisë Rangin Dadfar Spanta, me keqardhje që në konferencën për Afganistanin që zhvillohet sot në Bon, nuk merr pjesë Pakistani.

DW-WORLD.DE: Para fillimit të Konferencës për Afganistanin, le të hedhim një vështrim tek shpresat e palës afgane. Konferenca e fundit për Afganistanin është zhvilluar dhjetë vjetë më parë. Çfarë prisnin ju nga kjo konferencë?

Rangin Dadfar Spanta: Me këtë konferencë ne do t`i japim fund një dekade bashkëpunimi për një Afganistan më të mirë, dhe me këtë konferencë do të fillojë një fazë e re bashkëpunimi për Afganistanin.

Baza e këtij bashkëpunimi do të jetë kalimi me faza i përgjegjësisë së çështjeve të sigurisë dhe i parimeve të qeverisjes së mirë, në Afganistan. Me fjalë të tjera, Afganistani do të jetë në gjendje të fitojë sërish sovranitetin e plotë dhe të marrë përgjegjësinë.

DW-WORLD.DE: Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle ka thënë se në këtë konferencë duhet të arrihet një marrëveshje që komuniteti ndërkombëtar të mos e lerë Afganistanin në baltë dhe të vazhdojë ndihmën, kurse Afganistani nga ana e tij të bëjë më shumë në çështjet e qeverisjes së mirë. A keni ju mirëkuptim për këtë pozicion?

Rangin Dadfar Spanta: Ne kemi punuar së bashku për këtë marrëveshje. Ne kemi prezantuar shpresat tona dhe kemi folur me partnerët tanë për t`i treguar cilat janë ato. Kemi të bëjmë me një udhëtim të përbashkët, për përgjegjësi të përbashkëta. Ne jemi kryesisht para popullit afgan të detyruar të ushtrojmë "good governance" dhe luftë kundër korrupsionit dhe njëkohësisht të kujdesemi për sigurinë dhe mirëqënien e popullit afgan.

DW-WORLD.DE: Cili duhet të jetë sipas mendimit tuaj kontributi i partnerëve ndërkombëtarë? Për çfarë keni ju nevojë?

Rangin Dadfar Spanta: Dhjetë vitet e fundit ne kemi arritur shumë. Për fat të keq mediat flasin vetëm për anët negative, çka dhe unë e kuptoj. Në sektorët e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, relizimit të parimeve të shtetit të së drejtës ne kemi forcuar arritjet tona, por nga ana tjetër Afganistani ndodhet në një territor shumë të rrezikshëm dhe meqenëse Afganistani është ende qendra e terrorizmit ndërkombëtar, ne presim që duke patur parasysh këtë bashkëpunimi me ne të vazhdojë.

DW-WORLD.DE: Një vend i rëndësishëm partner nuk ka ardhur në Konferencë. Pakistani ka refuzuar pjesëmarrjen. Sa e dëmton kjo rezultatin e konferencës? Si e gjykoni ju?

Rangin Dadfar Spanta: Ah, e dini, kjo është konferenca më e madhe në historinë tonë për Afganistanin dhe me Afganistanin. Edhe në historinë e Republikës Federale Gjermane kjo është mbledhja më e madhe ndërkombëtare në përgjithësi: 101 vende dhe organizata ndërkombëtare janë prezente në të. Mua më vjen keq, që vëllezërit dhe motrat pakistaneze nuk do të marrin pjesë. Shtimi i izolimit nuk është në interes të Pakistanit, por Afganistani ndodhet në qendër të komunitetit ndërkombëtar. Ne na vjen keq për mungesën e shokëve pakistanezë, por unë nuk mendoj se mungesa e Pakistanit do të na dëmtojë. Megjithatë ne do të donim që Pakistani të ishte me ne në tavolinë.

Intervistën e zhvilloi Ute Schaeffer, Kryeredaktore e DW-Radio/ DW-World

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM