1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konferenca e Sigurisë: Ka filluar rendi i ri botëror?!

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih do të trajtohen shumë sfida aktuale në botë. Përgjigje deri tani nuk ka, ndërsa organizoatorët presin debate shumë të hapura.

Kriza e demokracisë liberale, terrori i grupeve xhihadiste, çështjet e pazgjidhura territoriale në Paqësor dhe vakuumi i pushtetit që do të linte pas vete tërheqja e SHBA-së nga arkitektura e tanishme e sigurisë - janë vetëm disa nga temat që do të trajtohen në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që prezantohen edhe në "Munich Security Report 2017 (MSR)".  Konferenca e Sigurisë zhvillohet më 17 deri më 19 shkurt dhe konsiderohet si takimi më i rëndësishëm i vitit, kushtuar gjendjes së sigurisë.

Drejtuesi i Konferencës, Wolfgang Ischinger, shkruan në fjalën hyrëse, se siguria ndërkombëtare aktualisht është në gjendjen më të rëndë që nga koha e Luftës së Ftohtë. Kjo ka të bëjë ndoshta me tezën kryesore se ka përfunduar era perëndimore në dominimin e rendit liberal botëror. Autorët shohin si shkak për këtë dobësimin e unitetit brenda Bashkimit Evropian dhe riorientimin e politikës amerikane pas ardhjes së Donald Trump-it në postin e presidentit të SHBA-së.

Kthesa?

Trump-i në fjalën e tij inauguruese nuk i ka përmendur demokracinë, lirinë dhe as të drejtat e njeriut - vlerat kryesore liberale. Edhe drejtori i Konferencës Ischinger i sheh në ofensivë kundërshtarët e shoqërisë së hapur. Njerëzit në Perëndim po e humbasin besimin tek modeli liberal i shoqërisë dhe vlerat elementare. Kështu thuhet në një prej studimeve për këtë Konferencë. Në shumë vende - ndër to edhe në SHBA, Spanjë dhe Gejrmani - njerëzit sot në dallim nga koha para 15 vitesh e konsiderojnë sundimin autoritar si një sistem më të mirë se sa demokracinë.

Asgjë nuk është e vërtetë dhe të gjitha janë të mundura

Një rol të rëndësishëm këtu luan përhapja e lajmeve të gabuara. Fake news paraqesin një sfidë të madhe për debatin e hapur - në veçanti ato në mediat sociale. Kjo është vënë re në fushatën paraelektorale në SHBA dhe po shihet edhe në luftën e Ukrainës. "Rreziku më i madh është humbja e besimit të qytetarëve tek mediat dhe politika", thuhet në këtë dokument. Problemi është që edhe qeveritë e kanë shumë të vështirë të reagojnë, sespe ndalimi i këtyre burimeve të lajmeve do të ishte cënim i vlerave liberale.

Siria

Rreziqet për shoqërinë e hapur shihen edhe tek konfliktet e shumta, si për shembull në Siri. Prej vitit 2011, sipas OKB-së, kanë humbur jetën mbi 300.000 vetë atje. Ndërsa gjysma e popullit të Sirisë është në arrati. Lufta e Sirisë kaherë është shndërruar në një konflikt ndërkombëtar, thuhet në dokumentet e Konferencës së Sigurisë. Në këtë konflikt janë përzier edhe shumë vende të tjera të rajonit, ndërsa Perëndimi kryesisht po bën sehir. Epoka post-perëndimore duket se ka filluar.

Deutschland Wolfgang Ischinger (picture-alliance/dpa/A. Gebert)

Wolfgang Ischinger , kryetar i Konferencës së Sigurisë në Mynih

Sfidat e tjera

Sfida më e madhe vjen nga grupi xhihadist "Shteti Islamik". Mbështetësit e tij po i shkelin me këmbë vlerat perëndimore. Disa atentate dhe sulme terroriste të kryera në Evropë dëshmojnë për përzierjen e tyre edhe këtu. Vedet e Evropës po reagojnë në forma të ndryshme. Franca ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Ndërsa Gjermania mjaftohet me aksione policore dhe bastisje. Në shtigje afatgjata, Evropa duhet të ketë një reagim të përbashkët dhe unik, thuhet në këtë dokument. Shkaku kryesor i shtimit të sfidave ëshë rekrutimi i luftëtarëve brenda Evropës. Propaganduesit e xhihadizmit i kanë shtuar aktivitetet, ndërkohë që ka dhe një ndërlidhje mes kriminalitetit klasik dhe terrorizmit.

Përgjigjet e Konferencës

Në 90 faqet e Munich Security Report, të përpiluar nga shumë think-tank, flitet për sfidat e shumta aktuale në botë, të cilat mund t'i japin fund rendit të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në Raport flitet për mospajtimet brenda aleancave të vjetra dhe konfliktet me pjesëmarrje ndërkombëtare si dhe zhvillimet në vende të ndryshme.

Autorët nuk kanë formuluar ndonjë përgjigje, të cilat do të formulohen në fund të kësaj jave në Konferencën e Sigurisë. Ambasadori Ishinger shpreson se në Konferencë "do të flitet hapur dhe sinqerisht për dallimet në mendime, interesat dhe vlerat e përbashkëta."

 

LewisSanders / Jan David Walter