1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konferenca e ndihmës për refugjatët sirianë

Që prej katër vitesh në Siri zhvillohet një luftë të përgjakshme civile. Miliona njerëz janë dëbuar. Ata ndodhen para dimrit të katërt të luftës. Politikanët dhe OJQ-të bëjnë thirjre për mbështetje ndërkombëtare.

Në rajonin e trazuar nga kriza e Lindjes së Mesme tre milionë njerëz ndodhen në arrati. Sipas agjencisë së refugjatëve të OKB-së, UNHCR, që nga fillimi i luftës civile në Siri më shumë se tre milionë sirianë janë arratisur në vendet fqinje. Atyre u shtohen edhe gjashtë milionë e gjysëm të zhvendosur brenda Sirisë. Në mesin e të prekurve janë mbi gjashtë milionë fëmijë. "Këtu kemi të bëjmë me katastrofën e shekullit", thotë ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller. Kjo katastrofë vazhdon me terrorin e të ashtuquajturit "Shtet Islamik", thotë politikani i CSU në Berlin. Edhe në Irak, i cili deri kohët e fundit ka pranuar vetë refugjatë sirianë, banorët e komunave të tëra janë në arrati.

Së shpejti do të vijë dimri

Bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më fort për të ndihmuar të prekurit, thotë Müller. Dimri është përpara, shumë kampe refugjatësh nuk janë të përgatitur sa duhet për dimrin. Shirat tashmë kanë filluar, së shpejti do të bëhet ftohtë dhe duhet të llogarisim se do të ketë shumë të vdekur, thotë ministri gjerman. Në Irakun e Veriut dhe në Turqi refugjatët jetonin në pjesën më të madhe pa strehë mbi kokë, në parqe dhe në rrugë. Shumë mbrohen vetëm me një qese nga të ftohtët.

Gerd Müller und drejtorja rajonale e UNICEF-it Maria Calivis

Gerd Müller und drejtorja rajonale e UNICEF-it Maria Calivis

"Asnjë nga fëmijët, apo të prekurit nuk duhet të ngrijnë, apo të vdesin nga uria dhe etja", sqaron Müller dhe premton të rrisë ndihmën ndaj refugjatëve me 100 milionë euro. Gjermania që nga viti 2012 ka dhënë rreth 632.000.000 euro për ndihmën për Sirinë. Sipas llogaritjeve të UNHCR-së nevoja e përgjithshme është 3,75 dollarë. Müller kërkoi që Evropa të japë një miliardë euro, për të ndihmuar refugjatët për të mbijetuar dimrin. "Nëse vendet evropiane nuk angazhohen më fort atje, atëherë kriza e refugjatëve do të vijë këtu në Evropë me një dimension shumë më të madh", paralajmëron ai.

Konferenca ndërkombëtare për refugjatët në Berlin

Të martën në Ministrinë e Jashtme takohen përfaqësues nga 40 shtete dhe organizata ndërkombëtare në një konferencë për refugjatët në Siri, me ftesë të ministrit të Zhvillimit Müller, ministrit të Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier (SPD) dhe komisionerit të lartë të OKB-së për refugjatët, Antonio Guterres.

"Unë i jam mirënjohës qeverisë gjermane për këtë konferencë", thotë Maria Kalivis, drejtore rajonale e organizatës së Fëmijëve të OKB-së, UNICEF-it, për Lindjen e Mesme. Në këtë mënyrë vemendja drejtohet edhe njëherë në këtë rajon, i cili ka nevojë urgjente për ndihmë. Jo vetëm refugjatët janë të prekur nga varfëria dhe mungesa e shpresës. Kjo vlen edhe për vendet pritëse, në rradhë të parë për vendet fqinje të Sirisë, Libanin, Jordaninë dhe Turqinë. Shumë komuna, që kanë pranuar refugjatë, janë ndërkohë në kufirin e kapaciteteve të tyre. Në Liban ka mungesë të ujit të pijshëm në luginën Bekaa. Familjet jordanezë, të cilat i kanë dhënë strehim refugjatëve dhe personave të zhvendosur i kanë harxhuar kursimet e tyre. Shumë e vështirë është situata e fëmijëve, që kanë humbur shtëpitë, sigurinë e tyre dhe perspektivën. Ata duhen ndihmuar me qëllim që të mos rriten si " brez i humbur", thotë punonjësja e UNICEF-it .

Fëmijë në kampin e refugjatëve Suruc (Turqi): Varfëri dhe mungesë perspektive

Fëmijë në kampin e refugjatëve Suruc (Turqi): Varfëri dhe mungesë perspektive

"Ne presim një sinjal politik"

Pak para fillimit të konferencës së refugjatëve sirianë edhe organizatat e zhvillimit kanë tërhequr vemendjen për situatën dramatike në vendet e prekura. I gjithë sistemi humanitar është i financuar keq, ankohet Mathias Mogge, anëtar i bordit të Shoqatës së OJQ-ve gjermane për politikën e zhvillimit (VENRO). Premtimet financiare të shteteve janë zakonisht afatshkurtra dhe jo në gjendje për të krijuar projekte shumëvjeçare dhe për të mbështetur komunat, që pranojnë refugjatë.

Abeer Ziadeh nga organizata "Save the Children" në Jordani thotë se vendi i tij pranon rreth një të tretat e refugjatëve sirianë duke u treguar shumë bujar. Për shkak të problemeve të veta ekonomike Jordania nuk mund t'i plotësojë të gjitha nevojat e refugjatëve dhe ka nevojë për ndihmë nga jashtë

Kryeministru libanez në Berlin

Konferenca e Berlinit nuk kuptohet si konferencë donatore. Në vend të kësaj takimi duhet të japë një sinjal politik. "Shpresoj se nga kjo konferencë do të dalë një mesazh i fortë solidariteti", tha kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila priti të hënën në mbrëmje kryeministrin libanez Tammam Salam, i ardhur për të marrë pjesë në konferencë.

Merkel i premtoi Salam-it ndihmën gjermane. "Gjermania tregon solidaritet me problemet, me të cilat përballet Libani." Në vendin me katër milionë banorë janë të regjistruar zyrtarisht një milion refugjatë. "Ne të gjithë ne Gjermani nuk mund ta imagjinojmë se para çfarë sfidash ndodhet Libani, ku gjendja ka qenë gjithmonë e vështirë prej dekadash nga refugjatët palestinezë, edhe pa krizën në Siri", tha Merkel.

Salam tha se është mirënjohës për interesimin gjerman për organizimin e konferencës, nga e cila përfiton vendi i tij. Gjermania është e përfshirë financiarisht në shpenzimet për kampet e refugjatëve. Paratë përcillen në dy rrugë, përmes Bashkimit Europianh dhe UNHCR.