1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konferenca e Lindjes së Afërme: paralajmërim Netanjahut dhe Trumpit

Thirrja u drejtohet Trumpit dhe Netanjahut: vetëm zgjidhja me dy shtete sjell paqe, përndryshe kërcënon shkallëzimi.

Rezultati i konferencës ka para së gjithash karakter simbolik: "Ne duam të arrijmë një mobilizim të bashkësisë ndërkombëtare të shteteve, për t'i kthyer të dyja palët në tryezën e bisedimeve", tha mikpritësi Jean-Marc Ayrault. Interesi për këtë çështje është shtuar shumë muajt e fundit, tha ministri i Jashtëm francez. Në qershorin e kaluar, në takimin e parë pati vetëm 20 pjesëmarrës. Kurse tani në Paris udhëtuan 70 delegacione, midis tyre Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe si dhe përfaqësues të BE dhe të "Pesë të Mëdhenjve", të anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së.

Synimi i përpjekjeve është që t shpëtohet zgjidhja e dy shteteve. "Ajo është në rrezik", konstatoi Ayralt dhe shtoi se do të ishte gabim dramatik po të injorohen tani rezultatet e bisedimeve të dekadave. "Ne nuk duhet të heqim dorë dhe duhet të zhvillojmë në vend të kësaj një dinamikë pozitive". Nuk duhet të ketë hapa të njëanshëm lidhur me statusin e Jeruzalemit, për sigurinë dhe caktimin e kufijve.

Të adresuarit nuk qenë të pranishëm

Edhe ministri i Jashtëm, Steinmeier paralajmëroi: "2017-a është një vit vendimtar për procesin e paqes të Lindjes së Afërme". Po të ndërmerren tani hapa të njëanshëm, si për shembull zhvendosja e ambasadës së SHBA në Jeruzalem, kërcënon një shkallëzim i ri. Ekziston rreziku i një Intifade të tretë dhe i vazhdimit të dhunës.

Të dyja palët, për të cilat bëhej fjalë këtë të diel dimri pa diell në Paris nuk qenë të pranishëm në qendrën e kongreseve: takimi u zhvillua pa praninë e Izraelit dhe të palestinezëve. Por kryeministri izraelit goditi që së largu. Benjamin Netanjahu e quajti konferencën të padobishme. Këto janë "grahmat e fundit të botës së djeshme". "E nesërmja do të ketë pamje tjetër, dhe e nesërmja është shumë pranë", ky qe refuzimi i tij i ftohtë ndaj përpjekjeve për paqe të bashkësisë së shteteve. Netanjahu duket se mbështetet plotësisht tek Trumpi.

Paralajmërim ndaj Trumpit

Në Paris ai me këtë qëndrim në pjesën më të madhe pati sukses. Ministri i Jashtëm i SHBA në largim, John Kerry thuhet se e pengoi një rezolutë tjetër të OKB-së. Përsa i përket kohës, ajo do të kishte qenë e mundur të miratohej.

Deklarata përfundimtare nuk përmban një paralajmërim të shprehur qartë ndaj Trumpit. Por ai paralajmërim në fakt qe në qendër të konferencës: ai nuk duhet të veprojë në mënyrë të njëanshme. Si President i ardhshëm i SHBA edhe ai mban përgjegjësi për procesin e paqes në Lindjen e Afërme, ky ishte mesazhi drejtuar Trumpit. Pas kësaj qëndron frika për një ndryshim të politikës së Uashingtonit në dobi të Izraelit. Kjo do ta shkatërronte zgjidhjen me dy shtete dhe shpresën për një paqëtim të rajonit.