1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konferencë sigurie në Singapor - Birmania ndalon ndërhyrjen në "punët e brendshme"

Birmania e quajti ndërhyrje në punët e brendshme kërkesën ndërkombëtare për lirimin e politikanes opozitare Aung San Suu Kyi. Qeveria i ritheksoi akuzat e saj kundër Suu Kyi-së.

Birmania ndalon kritikat për trajtimin e San Suu Kyisë. Në foto: Aung San Suu Kyi në një poster

Birmania ndalon kritikat për trajtimin e San Suu Kyisë

Gates : Kurrsesi nuk do të pranohet një Kore e Veriut e armatosur rëndë me armë bërthamore

Në krye të agjendës së punimeve të konferencës së sigurisë në Singapur ishte jo vetëm politika e agresionit që ndjek regjimi koeranoverior, por edhe çështja e regjimit ushtarak të Birmanisë. Në përfundim të konferencës, regjimit ushtarak të Birmanisë iu desh të mbrohej nga kritikat, kryesisht prej kritikave që vijnë nga Perëndimi. Në kuadër të kësaj konference ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Robert Gates, bëri të qartë, që kurrsesi nuk do të pranohet një Kore e Veriut e armatosur rëndë me armë bërthamore. Gates u bëri thirrje shteteve aziatike që të mendohen për sanksione më të ashpra.

"Ne nuk do të bëjmë sehir nëse Koreja e Veriut forcon aftësitë për të shkatërruar duke pasur në shënjestër rajonin ose ne."

Taylor : Tani është koha për një kthesë demokratike, duke nisur me lirimin e Aung San Suu Kyi-së

Lidhur me Birmaninë, Gates deklaroi se qeveria e tij thekson kërkesën për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Birmani, duke përfshirë edhe udhëheqësen e opozitës Aung San Suu Kyi. Birmania, tha Gates më tej, është një ndër vendet më "të izoluara dhe më të rrënuara" në rajon.

Edhe Ann Taylor, ministrja britanike për Mbrojtjen ndërkombëtare dhe Sigurinë, kërkoi lirimin e menjëhershëm të Suu Kyis-ë:

„Njerëzit në të gjithë botën janë në anën e saj dhe të popullit të Birmanisë. Ne u themi gjeneralëve: Tani është koha për një kthesë demokratike, duke nisur me lirimin e Aung San Suu Kyi-së.“

Udhëheqësja e opozitës Suu Kyi thekson, se është e pafajshme

Ndërkohë vazhdon procesi kundër nobelistes 63 vjeçare të paqes. Junta e Birmanisë e akuzon atë për shkelje të kushteve të arrestit të shtëpisë. Suu Kyi ka strehuar në shtëpinë e saj shtetasin nga SHBA-ja John William Yettaw, pasi ai në fillim të majit pati mbërritur me not në shtëpinë e saj.

Udhëheqësja e opozitës thekson, se është e pafajshme. Gjatë marrjes në pyetje ajo ka bërë të qartë, se personi në fjalë ka hyrë kundër vullnetit të saj në shtëpi. Ajo i ka lejuar atij të qëndrojë vetëm dy net, sepse ai i kish thënë që është i rraskapitur dhe nuk mund të largohet menjëherë.

Qeveria birmaneze: vendet e tjera duhet të heqin dorë prej ndërhyrjes në punët e brendshme të Mianmarit

Nëse gjendet fajtore Suu Kyi duhet të qëdnrojë pesë vjet në burg. Si rrjedhojë ajo do të jetë në burg në kohën që zhvillohen zgjedhjet e planifikuara për vitin e ardhshëm. Pretencat e fundit në proces ishin planifikuar të mbaheshin të hënën. Por tashmë ato janë shtyrë për ditën e premte (5.6.). Në arenën ndërkombëtare ky proces kritikohet si një farsë. Megjithatë regjimi ushtarak i Birmanisë, që e ka ripagëzuar vendin zyrtarisht si Mianmar, nuk pranon asnjë ndërhyrje nga jashtë. Zëvendësministri i Mbrojtjes i Birmanisë Aye Myint:

„Nuk ka asnjë dyshim, se Aung San Suu Kyi e ka fshehur të vërtetën, duke mos i njoftuar autoritetet për emigrantin ilegal. Ndaj nuk kishte rrugë tjetër , veçse hapja e procesit kundër saj konform ligjit. Vendet e tjera duhet të heqin dorë prej ndërhyrjes në punët e brendshme të Mianmarit, sepse me këtë rrezikohet paqja dhe siguria në rajon. Procesi kundër Aung San Suu Kyi-së është thjeshtë një çështje e brendëshme e Mianmarit.“

Suu Kyi gjatë nëntëmbëdhjetë viteve të fundit, mbi trembëdhjetë vjet i ka kaluar në arrest shtëpie ose në burg. Ndonëse shumë pjesëmarrës në konferencën e sigurisë në Singapur kërkuan lirimin e udhëheqëses së opozitës birmaneze dhe të 2.100 të dënuarve të tjerë politikë, në thelb bashkësia ndërkombëtare mbetet e përçarë sa i përket Birmanisë: Ndërkohë që Perëndimi u përmbahet sanksioneve ekonomike, vendet si Kina, India dhe Rusia konsiderohen si aleatë dhe partnerë të ngushtë biznesi të gjeneralëve birmanezë.

Autor: Nikola Glass/ Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi