1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Konferencë rajonale për pozitën e gruas

Në konferencën rajonale “Roli i organizatave femërore në vend dhe rajon” të organizuar në Maqedoni janë përkrahur iniciativat që përmirësojnë pozitën e gruas në shoqëri.

Shkollim dhe punësim për gruan

Shkollim dhe punësim për gruan

Pozita e gruas në rajonin e Ballkanit ka pësuar ndryshime pozitive në pothuajse të gjitha fushat në krahasim me të kaluarën. Gjithnjë e më shumë gra të sukseshme kontribuojnë në shkencë, kulturë, politikë, dhe ekonomi. Gratë arritën të bëhen pjesë e pandarë e ngjarjeve dhe ndryshimeve në rajon. Megjithatë në konferencën e organizuar nga "Asociacioni për afirmimin e gruas” në Shkup u tha që duhet të bëhen ende ndryshime që gruaja të marrë trajtimin e merituar në shoqëri.

“Përparimi, avancimi i pozitës së grave, veçanërisht në proceset politike dhe shoqërore ka rolin e vet, për arsye se këto procese i bënë më të mira, më efikase dhe në të njëjtën kohë më të drejta”, vlerëson Teuta Arifi zëvendës- kryeministre për çështje evropiane.

Gratë myslimane në Turqi ngrejnë nivelin e përfaqësimit në shoqëri

Gratë myslimane në Turqi ngrejnë nivelin e përfaqësimit në shoqëri

Roli i gruas myslimane në shoqëri

Pozita e gruas myslimane në shoqëri është një temë e ndërlikuar dhe e rënduar nga paragjykimet thotë Sehja Dedoviq, kryetare e Qendrës së grave “Nahlla” nga Bosnja e Hercegovina. Për shmangien e paragjykimeve kjo organizatë punon në mënyrë individuale me gratë. “Në veçanti angazhohemi për arsimimin e gruas dhe për forcimin e rolit të saj në shoqëri. Punësimi i saj do të thotë ndikim i drejtpërdrejtë në përmirësimin e pozitës së saj në shoqëri”, shprehet Deoviç.

Ndërsa në shoqërinë turke, pozita dhe roli i gruas ka ndryshuar dukshëm. Sipas Nexhla Kojtak eksperte për çështje familjare, në kohën e globalizimit gruaja turke ka arritur që të përfaqësohet në jetën akademike dhe politike deri në 40 përqind. “Janë bërë fushata të mëdha për të stimuluar edukimin dhe arsimimin e femrës turke dhe ato kanë arritur të jenë të barabarta me meshkujt në procesin arsimor”, thotë Kojtak.

Gruaja duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes u kërkua në konferencë

Gruaja duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes u kërkua në konferencë

Gruaja duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes

Për pozitën e vështirë të gruar në shoqërinë e Maqedonisë nuk janë fajtor ligjet por stereotipet dhe paragjykimet, vlerëson Safka Todorovska nga Këshilli Kombëtar i Grave të Maqedonisë. “Në një shtet demokratik duhet të ekzistojë vetëdija e jo ligji që femra dhe mashkulli të jenë të barabartë. Në Maqedoni pjesëmarja e gruas në jetën politike caktohet me kuota, ky është diskriminim”, thotë Todorovska.

Gruaja në hapësirat e Ballkanit duhet të jetë aktive dhe të angazhohet. Vetëm në këtë mënyre ajo do të ndjehet përgjegjëse para detyrimeve shoqërore, thotë Ajgyl Sylejmani nga "Asociacioni për afirmimin e gruas". “Një objektiv i ynë madhor mbetet krijimi i urave lidhëse dhe bashkëpunimit të sinqertë me organizatat e ndryshme joqeveritare në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar me qëllim të arritjes të interesave të përbashkëta dhe afirmimit të pozitës së gruas në përgjithësi.”

Për ish-deputeten e parlamentit të Kosovës, Nermine Çorolli, pozita e gruas shqiptare në rajon është e vështirë. Rrugëdaja nga kjo situatë është inkuadrimi i gruas në institucionet shoqërore.“Kur gruaja të përfshihet në institucione, edhe vendimmarrjet do të vijnë nga ana e saj dhe në dobi të saj, kjo sigurisht që do të ndryshonte shumë pozitën e gruas”, shprehet Çorolli. Konferenca rajonale ka miratuar konkluzione që do të ndihmojnë në përmirësimin e pozitës së grave, aty ku ato veprojnë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi