1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konferencë ndërkombëtare për mbështetjen e Malit

Përfaqësues të BE, të OKB-së dhe të Bashkimit Afrikan u përpoqën të hartojnë në Bruksel një plan për stabilizimin e Malit. Pajtimi kombëtar bën pjesë këtu.

Ministri i Jashtëm i Malit, Tieman Hubert Coulibay shprehu edhe njëherë mirënjohjen përballë francezëve. Për mendimin e tij, në rastin e angazhimit ushtarak në diskutim ishte gjithçka: "Po të mos na kish ndihmuar aviacioni ushtarak francez, sot republika jonë nuk do të ekzistonte më." Presidenti francez, François Hollande ngrohet për momentin nga kjo mirënjohje. Edhe nëse kryetarë të tjerë shtetesh dhe qeverish në BE kanë probleme aktualisht me politikën e tij - angazhimi i tij kurajoz solli kudo lehtësim. Gjatë konferencës së Brukselit për Malin, Hollande foli para Parlamentit Evropian në Strasburg dhe përmendi edhe angazhimin në Mali. "Në atë masë, në të cilën Mali do të rifitojë integritetin e tij territorial - dhe ky moment është i afërt - do të vijë momenti i dialogut, i pajtimit", tha ai para deputetëve.

Francois Hollande viziton Malin, shkurt 2013

Francois Hollande viziton Malin, shkurt 2013

Keqardhje për "dëmet kolaterale"

Sepse bashkësia ndërkombëtare i ka vënë shprehimisht si detyrë qeverisë tranzitore të Malit që pas rimarrjes së Veriut, të kërkojë bisedime edhe me kundërshtarët e deritashëm. Për këtë qeveria është e gatshme, u shpreh ministri i Jashtëm i Malit, Coulibaly. Por partnerë bisedimesh mund të jenë vetëm ata, të cilët "nuk i vënë pikëpyetje as integritetit territorial, as laicizmit, dhe as unitetit të kombit tonë, të cilët besojnë se ne jemi një demokraci në ndërtim e sipër dhe se çdo mendim ka të drejtën e tij." Ai që dëshiron të marrë pjesë në dialog duhet të dorëzojë më tej edhe armët. BE kërkon që sa më shpejt, qeveria tranzitore të përgatisë zgjedhje demokratike. Qeveria ka përmendur për këtë fundin e korrikut. Po ky duket qëllim shumë ambicioz. Përsa i përket kritikave, që edhe ushtarë të Malit kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut, Coulibaly tha: "Ne nuk e deshëm këtë luftë. Ajo na u imponua. Dhe natyrisht që ato që quhen dëme kolaterale bëjnë pjesë në këtë kontekst"

ECOWAS do të dërgojë një trupë ndërhyrjeje në Mali. BE do t'i stërvitë këta ushtarë dhe trupat e Malit. Një pikërëndesë në përgatitje do të jetë respektimi i të drejtave të njeriut.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi