1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Konferencë justifikimesh

Konferenca e Sigurisë në Mynih u dominua nga justifikimet. Gjithësesi politikanët demonstruan se sa të ndryshme në llojin e tyre mund të jenë justifikimet.

Konferenca e Sigurisë në Mynih

Konferenca e Sigurisë në Mynih

Konferenca për çështjet e sigurisë që zhvillohet në Mynih është që prej më tepër se 40 vjetësh vendi ku për gjërat flitet qartë. Ajo jeton prej faktit që në të politikanët i thonë qartë ato që mendojnë. Këtë vit organizatorët kërkuan madje edhe më shumë qartësi. Motoja e konferencës ishte: "Jo më justifikime".

Por motoja është një gjë, praktika është një gjë tjetër. Që ditën e hapjes së konferencës bota dëgjoi prej MPJ të Iranit, Manushehr Motaki, vetëm një gjë: justifikime! Justifikime, se përse Irani nuk mund të heqë dorë prej pasurimit të uraniumit, edhe pse Këshilli i Sigurimit kërkon prej tij prej kohësh pikërisht këtë gjë. Justifikime për gjendjen e të drejtave të njeriut në Iran, dhe përsëri justifikime në lidhje me akuzat për falsifikimin e zgjedhjeve. Të gjitha këto u thanë me një ton bizar, provokativ dhe autokrat.

Por mjeshtër në finte dhe gjetjen e justifikimeve nuk është vetëm regjimi autoritar i Iranit. Opinioni publik dëgjoi në Mynih justifikime edhe prej demokracive perendimore: justifikime në lidhje me çështjen se përse BE-ja e fuqishme ekonomisht nuk po merr mbi vete ende atë përgjegjësi ndërkombëtare, që i kërkojnë prej vitesh partnerët e saj. Apo justifikime se përse një botë pa armë atomike do të ishte e mirë, por që për momentin nuk bëhet dot.

Edhe qeveria federale gjermane u mundua të justifikohej. Ajo e di mirë se në Afganistan ka nevojë për më tepër ushtarë të huaj në mënyrë që vendit t'i jepet të paktën një shans për t'u stabilizuar. Po ashtu ajo e di se premtimi për të dërguar 500 ushtarë shtesë është një kontribut i dobët dhe se tani do t'u duhet trupave amerikane të kujdesen për rendin në sektorin gjerman të përgjegjësisë. Argumenti i Berlinit për këtë qëndrim të përmbajtur të gjermanëve, i cili në fund të fundit edhe pakëson ndikimin gjerman ishte një justifikim.

E megjithatë justifikimi i parë në Mynih nuk ishte baraz me një justifikim. Evropianët do të dëshironin të kishin më tepër ndikim në botë, por atyre u mungon forca politike. Justifkimi maskon në këtë mes mungesën e fuqisë.

Qeverisë federale gjermane i duhet justifikimi, sepse ndryshe ka frikë prej vetvrasjes politike. Ajo beson se nuk mund t'i justifikojë përpara elektoratit kritik edhe më tepër ushtarë të vrarë për Afganistanin. Justifkim si gënjeshtër nga zori. Në një farë mënyre po.

Po Irani? Irani përdori në Mynih justifikimet më të paturpshme nga të tërë duke e bërë botën edhe një herë për budalla. Fakti që presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, dha urdhër për prodhimin e uraniumit të pasuruar fort, ndërkohë që politikanët vazhdonin diskutimet e tyre në Mynih, ua bën të qartë një gjë të tillë edhe rusëve dhe kinezëve, që në fakt janë dashamirës ndaj Iranit.

Ka shumë mundësi që kjo konferencë të hyjë më vonë në kujtesën historike si vendi, në të cilin shpresat e fundit për çështjen iraniane plasën si një flluskë sapuni. Ky do të ishte një përfundim – por një përfundim tepër i dhimbshëm.

Autor: Andreas Noll
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 08.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LvAZ
  • Data 08.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LvAZ