1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koncerti i Vjenës ngjarja më e suksesshme e muzikës klasike në botë

Me 50 milionë shikues në 90 vende, Koncerti i Vitit të Ri në Vjenë është ngjarja më e suksesshme e muzikës klasike në botë.

Muzika e Johan Shtrausit në Koncertin e Vitit të Ri në Vjenë, tregon se kemi lënë pas edhe një vit tjetër. Transmetimit të drejtpërdrejtë në televizion të Koncertit të Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës, që e ndjekin rreth 50 milionë shikues në 90 vende, i shtohen edhe shumë dëgjues në radios dhe ata që e ndjekin transmetimin në internet në live stream. Kush dëshiron që ta ndjekë koncertin në sallë duhet të jetë me fat, sepse për shkak të kërkesës së lartë, biletat ndahen me short.

Dirigjenti i koncertit të Vjenës më 1 janar 2015, ishte maestroja 78-vjeçar Zubin Mehta, i cili bashkëpunon me Filarmoninë e Vjenës prej mbi 50 vjetësh nga viti 1961, kur asokohe 25-vjeçar ai pati atje angazhimin e tij të parë.

Zubin Mehta

Zubin Mehta

Dirigjenti i lindur në Indi e drejton koncertin e Vitit të Ri për herë të pestë. Programi i sivjetshëm filloi me uverturën e veprës "Një mëngjes, drekë, dhe natë në Vjenë" të Franz von Suppe dhe vazhdoi me vepra të Johann Straussit (babai dhe i biri)të Hans Christian Lumbye si dhe të Josef dhe Eduard Strauss.

Nga muzikantë oborri në filarmonistë

Për më shumë se 170 vjet, tingujt e orkestrës së Vjenës dëshmojnë cilësi të rangut të lartë. Origjina e orkestrës së Vjenës lidhet me Operën e Oborit, muzikantët e së cilës si Mozarti apo Beethoveni abgazhoheshin herë pas here për koncertet e "Akademisë". Me kalimin e kohës lindi nevoja për një orkestër të pavarur të specializuar përkrah asaj të Operës së Oborrit. Në vitin 1841 kompozitori dhe dirigjenti Otto Nikolai themeloi ansamblin që më vonë do të fitonte famë botërore si Filarmonia e Vjenës. Deri sot anëtarët e Filarmonisë së Vjenës duhet të angazhohen për të luajtur edhe në orkestën e Operës Shtetërore të Vjenës.

Në historinë e saj më shumë se 170-vjeçare Filarmonia e Vjenës ka dhënë rreth 7.000 koncerte dhe është vlerësuar e nderuar nga shumë kompozitorë. Richard Wagner e quante atë si "një nga më të shquarat në botë," Anton Bruckner e ka quajtur "shoqata më e lartë e artit në muzikë", Johannes Brahms e quante veten si "mik dhe admirues" të Filarmonisë.

Sekreti i suksesit

Që nga fillimet e saj Filarmonia e Vjenës është një orkestër e vetëadministruar. "Hyrja në orkestrën e Filarmonisë kalon përmes Operas Shtetërore të Vjenës," sqaron oboisti Wolfgang Plank procedurën e pranimit. Në intervistë me DW ai tha "Muzikantët e rinj fillojnë një herë atje dhe nëse kalojnë periudhën trevjeçare të provës, inkuadrohen gradualisht në orkestrën e Filarmonisë. Raporti mes punës në orkestrën e operas dhe atë të filarmonisë varet nga kërkesat përkatëse, por për shumicën e muzikantëve raporti duhet të jetë 50 me 50."

Filarmonia e Vjenës jep koncerte në kuadrin e "Javëve të Filarmonisë së Vjenës" që prej vitit 1989 në Nju-Jork dhe 1993 në Japoni. Po ashtu orkestra e Filarmonisë së Vjenës jep edhe koncerte verore në kështjellën Schönbrunn, që ndiqen nga rreth 100.000 vizitorë.

Në vitin 2005 Filarmonia e Vjenës u shpall ambasadore nderi e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në vitin 2014 orkestra u nderua me dy çmime të rëndësishme: çmimin suedez Birgit Nilsson (me një milion dollarë çmimi më i lartë për muzikën klasike) dhe me çmimin Herbert von Karajan, i cili ka qenë për 50 vjet dirigjent i saj.