1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Koncepti i vetëorganizimit të të rinjve jetik në demokraci

Kongresi Rinor Kombëtar në Shqipëri ka nisur bashkëpunimin me Rininë Federale Gjermane, një strukturë me aktivitet 65-vjeçar.

Prej rreth një viti e gjysmë në Shqipëri është themeluar Kongresi Rinor Kombëtar, KRK, një grupim ombrellë me rreth 40 organizata e shoqata të ndryshme rinore. Sipas njërit prej drejtuesve të KRK-së, Brenton Kotorri

Kongresi ka mundësinë që të marrë informacion të vazhdueshëm rreth realitetit rinor në vend, duke patur parasysh shtrirjen nga veriu në jug, si dhe larminë e profileve të organizatave që e përbëjnë atë. Në kuadër të veprimtarive që zhvillohen në Shqipëri për Tetorin Gjerman 2014, KRK-ja ka zyrtarizuar partneritetin me Rininë Federale Gjermane, DBJR, në kërkim të bashkëpunimit me homologët e saj në vende të tjera. Për ne si një grupim i sapo themeluar kontakti dhe bashkëpunimi me ta është një mundësi e shkëlqyer, thotë për Deutsche Welle-n Kotorri.

Në radhë të parë për të marrë eksperiencat më të mira të rinisë gjermane, si dhe për t'u rritur profesionalisht. Nga bisedat me kolegët gjermanë, mund të huazojmë zgjidhje të rëndësishme për probleme të ngjashme, të cilat ata i kanw kaluar më parë. Këndvështrimi i tyre europian është gjithashtu një kontribut i pazëvendësueshëm për çështjet tona.”

Mbështetje për vizitat e të rinjve shqiptarë në Gjermani

Ambasadori Gjerman, Hellmut Hoffmann, thotë se takimet me të rinjtë janë prioritet në angazhimet e tij. Ai nuk e fsheh nostalgjinë për kohën e studimeve universitare në vitet ‘60 – '70, kur kujton se ishte mjaft i përfshirë politikisht, duke shpenzuar shumë kohë me lexime dhe diskutime me bashkëmoshatarët e tij.

Hellmut Hoffmann

Hellmut Hoffmann

“Koncepti i vetëorganizimit të të rinjve është jetik në një shoqëri demokratike. Rinia Federale Gjermane ka shumë eksperiencë dhe më vjen mirë që kjo ‘eksportohet' dhe në Shqipëri. Iniciativa e ‘Friedrich Ebert' për ta mbështetur këtë është e lavdërueshme. Janë shumë të dobishme këto hapësira ku rinia flet, diskuton, identifikon dhe punon për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet”.

Drejtori i Fondacionit “Friedrich Ebert” në Shqipëri, Frank Hantke, shprehet se ky është takimi i parë zyrtar mes Kongresit Rinor Kombëtar në Shqipëri dhe Rinisë Federale Gjermane, por jo i fundit, sepse, sipas tij, interesi është i përbashkët që marrëdhënia mes dy grupimeve të forcohet në të ardhmen.

“Ne do të mbështesim vizitat e punës të të rinjve shqiptarë në Gjermani, si një rast për të kontaktuar dhe ndjekur nga afër eksperiencën e kolegëve të tyre gjermane. Kjo i shërben vendosjes së urave të komunikimit dhe kooperimit në të gjitha nivelet.”

Frank Hantke

Frank Hantke

Kordinatorja e programeve në Fondacionin “Friedrich Ebert”, Rezarta Ajazaj, thotë për Deutsche Welle-n se prej kohësh aplikohen projekte ku në fokus janë të rinjtë.

“Gjatë këtyre ditëve kemi të planifikuara disa veprimtari diskutimi mes të rinjve, të shkollave të mesme apo në auditorët e universiteteve, ku në qendër të vëmendjes do të jenë probleme që lidhen me orientimin e arsimimit drejt tregut të punës, për zhvillimin e procesit të karrierës, për pjesmarrjen e tyre në politikbërje dhe hapja e qendrave rinore në bashki dhe komuna, si hapësira të qarkullimit të ideve dhe nismave konkrete.Mbështetja jonë mundëson kooperimin me të rinjtë gjermanë, si një premisë për shkëmbimin e përvojave me një forum që ka 65 vite aktivitet.”

DBJR si model i përshtatshëm referimi për rastin e Shqipërisë

Nënkryetari i Rinisë Federale të Gjermanisë, Tobias Köck, i cili ndodhet për herë të dytë në Shqipëri shpreson për një kooperim afatgjatë me homologët e KRK-së. “Ne në Gjermani jemi të bashkuara rreth 50 organizata e grupime dhe funksionojmë si një bashkësi pluraliste, duke qëndruar mbi partite dhe mbi besimet fetare. Ne kemi kontakte të mira me Ballkanin Perëndimor, por dhe në Bjellorusi, ku ka shume probleme me demokracinë. Interesat tona në Gjermani janë për problemet thelbësore:për papunësinë, migrimin brenda hapësirës së BE-së, probkemet ekonomike etj. Bashkëpunimi ynë me spektrin politik është intensiv. Nuk është e lehtë të kesh aktivitet, sepse duhen fonde. Kemi përvojë të mirë në Gjermani pasi shteti akordon fonde për iniciativat rinore, sepse shoqatat dhe grupet rinore për të operuar si subjekt i pavarur.”

Për Köck, fakti që forumi është 65 vjeçar është domethënës, pasi sipas tij, motivimi është mbipartiak, pavarësisht se në përbërje ka të rinj që aderojnë ose simpatizojnë krahë ose korrente të ndryshme politike, por kur vjen puna tek përballja me problemet ata bëhen bashkë. Ndaj dhe “Friedrich Ebert” e konsideron si një model të përshtatshëm referimi profilin e Rinisë Federale Gjermane për rastin e Shqipërisë.

Vladimir Thano, kryetar i degës për Shqipërinë i Federalistëve të Rinj Evropianë, JEF Albania, informon se ditët e fundit kanë pasur një aktivitet të përbashkët me homologët e JEF Baden-Württemberg. 15 studentë gjermanë nga ky land, në kuadër të një turi ballkanik në vendet aspirante për në BE, ishin dhe në Shqipëri. Gjatë ndalesës së tyre në Shqipëri ata treguan shumë interes për zhvillimet politike dhe ekonomike, si dhe gjendjen e rinisë shqiptare. Në një javë qëndrimi ata patën takime me të ngarkuarin me punë të delegacionit të BE-së në Tiranë, Clive Rombould, me ambasadorin e Gjermanisë, Hellmut Hoffman, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare rinore dhe studentore, si dhe realizuan vizita në Berat, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë.

“Interesimi i tyre ishte për problemet e arsimimit, korrupsionit dhe reformave në drejtësi dhe fusha të tjera, si të domosdoshme për vendin. U njohën edhe mbi jetesën e studentëve dhe mundësitë dhe problemet që hasin. Kolegët gjermanë krijuan bindje se rruga e nisur është e veshtirë dhe sfidat janë të mëdha, si arsimimi dhe punësimi, kaosi urbanistik dhe shumë vepra infratrukture të lëna pergjysë, të cilat ju bënë shumë përshtypje gjatë qëndrimit në Shqipëri”, thotë për Deutsche Welle-n,Vladimit Thano nga JEF Albania.