1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koncepti i sigurisë nuk u respektua - Akuza kundër organizatorit të Love-Parade-it dhe qytetit të Duisburgut

Qeveria e landit të Rinit Verior-Vestfalisë ngriti dje akuza të ashpra kundër organizatorëve dhe qytetit të Duisburgut. Edhe inspektori i policisë së landit u shpreh me nota tejet kritike në një konferencë shtypi.

default

Lule në vendin e tragjedisë së Love Parade-it në Duisburg

Në fund të prezantimit të tij, inspektorit të policisë Dieter Wehe i ikën zëri, për një moment ai përfshihet nga emocionet. Minuta më parë ai kishte paraqitur në mënyrë të detajuar se përse ndodhi katastrofa të shtunën e kaluar, dhe nuk ka më asnjë dyshim: pas vetëm pak orësh, organizatori nuk e kishte më nën kontroll situatën. Ai ka shkelur marrëveshjet e qarta për sigurinë dhe nuk ka angazhuar një numër të mjaftueshëm ruajtësish të rregullit pikërisht atje ku duhej t'i kishte sipas konceptit të paraqitur prej tij për sigurinë.

NRW Innenminister Ralf Jäger

Ministri i brendshëm i Rinit Verior - Vestfalisë Ralf Jäger (djathtas) dhe inspektori i policisë Dieter Wehe (majtas) gjatë konferencës për shtyp në Dyseldorf

Kush ndjek prezantimin e inspektorit të policisë së landit Rini Verior Vestfali, arrin në përfundimin se shenjat për katastrofën ishin dhënë më e vonëta në orën 16:30, pasi u mor një vendim i gabuar me pasoja të rënda. Organizatori i Love Parade hapi portat bllokuese para dy tuneleve, megjithëse ato duhej të kishin qëndruar të mbyllura. Se çfarë pasojash pati ky veprim, shpjegohet nga inspektori Wehe:

"Sot dimë se kjo porosi nuk u zbatua nga forcat e organizatorit. Ne nuk e dimë se përse me gjithë marrëveshjet obliguese kjo porosi nuk u zbatua nga ruajtësit e rregullit. Sidoqoftë vizitorët vazhduan të vërshonin në drejtim të tunelit."

Në këtë moment në pjesën e hyrjes së territorit ku zhvillohej Love Parade ishte formuar një turmë e madhe pasi njerëzit nuk lëviznin aq shpejt sa duhej por qëndronin në vend dhe prisnin të shihnin makinat me muzikë që kalonin atje. Pikërisht për këtë pikë delikate kishte tërhequr paraprakisht vëmendjen shprehimisht policia. Organizatori kishte premtuar se do të kujdesej që ta shmangte një situatë të tillë, tha inspektori Wehe:

"Policia e Duisburgut kishte shprehur para zhvillimit të aktivitetit shqetësimet rreth sigurisë për zonën rreth tunelit, për të cilën nuk kishte përgjegjësinë e mbikqyrjes. Këto shqetësime iu parashtruan autoritetit përgjegjës për lejen, pra qytetit të Duisburgut, dhe organizatorit. Ata patën premtuar ndryshime përkatëse në konceptin për sigurinë të hartuar prej tyre."

Në këtë koncept sigurie organizatorët e Love Parade kishin premtuar të angazhonin në zonën e tunelit dhe në hyrje të paktën 150 persona për ruajtjen e rregullit. Policia ka dyshime të forta nëse organizatorët i janë përmbajtur vërtet këtij kushti. Në pamjet video të siguruara deri tani nga policia, nga zona ku ndodhën vdekjet, shihen vetëm dy ose tre ruajtës rregulli, jo më shumë.

Flash-Galerie Loveparade Duisburg 2010 Massenpanik

Pas panikut në Love Parade në Duisburg, pjesëmarrësit përpiqen të largohen nga territori i aktivitetit.

Për policinë po bëhet e qartë se mbi kë bie përgjegjësia. Ajo bie mbi organizatorin qoftë për tunelin ashtu edhe për shkallët që çonin në territorin e aktivitetit. Ka dyshime të forta nëse kritikat e bëra nga policia janë marrë parasysh në konceptin për sigurinë, për më tepër që leja përfundimtare iu paraqit policisë vetëm pak para fillimit të Love Parade.

Për ministrin e brendshëm të landit të Rinit Verior-Vestfalisë, Ralf Jäger, përballë këtyre fakteve është e qartë se ka pasur mangësi serioze si në anën e organizatorit Rainer Schaller ashtu edhe të qytetit të Duisburgut. Ai u shpreh qartë se çfarë ndien për këtë tragjedi që shkaktoi 21 viktima dhe shumë të plagosur rëndë:

"Për mua është i patolerueshëm fakti që si organizatori i Love Parade ashtu edhe qyteti i Duisburgut si autoriteti që dha lejen për zhvillimin e aktivitetit, refuzojnë përgjegjësinë, madje përpara se të bëhen të ditura të gjitha faktet."

Autor: Jürgen Zurheide / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM

  • Data 29.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OWyF
  • Data 29.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OWyF