1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konceptet për politikën e jashtme të kandidatëve për president në SHBA

Politika e brendëshme është në fokusin e kandidatëve për president në SHBA. Temat e tyre: kërcënimi i rënies ekonomike, vendet e punës, etj. Por me fitoren e Mekkeinit në kampin republikan Iraku del sërish në axhendë

default

Fotomontazh - tre kandidatët kryesorë në fushatën për presidentin e ardhshëm të SHBA

Tërheqje e menjëhershme e trupave amerikane nga Iraku dhe mosngritje e asnjë baze të përhershme - këtë kërkojnë si Barak Obama, ashtu edhe Hilari Klinton. Sipas planeve aktuale të qeverisë amerikane në kohën e dorëzimit të mandatit në Irak do të jenë të dislokuar rreth 130.000 ushtarë amerikanë. Tërheqja e një ose dy brigadave në muaj siç planifikojnë Obama dhe Klinton do t'i sillte trupat në shtëpi brenda 16 muajsh, një hark kohor për të cilin është angazhuar Barak Obama. Hilari Klinton është më e kujdesshme në këtë aspekt. Brenda 60 ditësh nga marrja e detyrës së presidentit do të fillohet me tërheqjen e trupave nga Iraku përsërit vazhdimisht Klinton, sipas së cilës brenda 16 muajsh tërheqja do të ketë përfunduar plotësisht, por ajo nuk do të paracaktojë afate.

Klinton: "Tërheqja është e rrezikshme dhe duhet planifikuar mirë."

USA Vorwahlen Demokraten Hillary Rodham Clinton in Iowa

Senatorja Hilari Klinton

"Duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë me rreth 100.000 ushtarët dhe civilët që punojnë për ambasadën, firmat dhe shoqatat e ndryshme humanitare. Unë mendoj gjithashtu se duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë me irakianët të cilët punojnë me ne. Shumë nga shoferët dhe përkthyesit u shpëtojnë jetën kaq shumë ushtarëve tanë. Ata nuk mund t'i braktisim pa pasur një plan", u shpreh senatorja Hilari Klinton në një nga debatet e fundit në kanalin CNN.

Tërheqja nga Iraku karta më e fortë e Obamës në luftën elektorale

Barack Obama bei den Vowahlen am Super Tuesday in Chicago, USA

Senatori Barak Obama


Barak Obama është në parim i një mendjeje me Klintonin por ngul këmbë në caktimin e një date për t'i dhënë kështu qeverisë irakiane një sinjal të qartë. Për Obamën kjo është karta më e fortë në garën me rivalen e tij e cila në vitin 2002 votoi me presidentin Bush pro luftës në Irak. "Unë mendoj se jam kandidati demokrat më efektiv kundër Xhon Mekkeinit, apo ndonjë tjetër kandidati republikan sepse kam një qëndrim krejt të kundërt me politikën aktuale të qeverisë për Irakun. Unë nuk e kam mbështetur kurrë luftën, e kam konsideruar gjithnjë një ide të gabuar. Unë nuk dua t'i jap fund vetëm asaj por edhe mentalitetit që e solli këtë luftë."

Mekein: Pro politikës së Bushit ndaj Irakut, por kundër Guantanamos

John McCain bei Vowahlen am Super Tuesday in Arizona, USA

Kandidati i republikanëve Xhon Mekkein

Dhe në të vërtetë kandidati republikan Xhon Mekkein premton vazhdim të politikës për Irakun të presidentit Bush. Ai synon t'i lërë amerikanët aq gjatë në Irak sa e kërkon sipas tij siguria dhe bën krahasime me Kuvajtin, Bosnjen dhe Korenë e Jugut.

Qëndrimi i kandidatëve ndaj luftës në Irak përcakton edhe drejtimin e planeve të tyre për çështje të tjera të politikës së jashtme. Xhon Mekkein dëshiron zgjerimin e ushtrisë dhe lë të hapur edhe opcionin ushtarak në konfliktin për programin bërthamor me Iranin. Ai paralajmëron ndaj forcimit të Koresë së Veriut si dhe ndaj forcimit të Kinës dhe Rusisë, me të cilat mund të përballet vetëm një Amerikë e fortë ushtarakisht. Për të lufta kundër terrorizmit ka prioritet. Si ish-rob lufte Mekkeini refuzon çdo lloj torture dhe është shprehur kundër burgut të Guantanamos.


Për mbylljen e Guantanamos është edhe Barak Obama si dhe për rehabilitetit e emrit të mirë të SHBA në botë. Ai premton më shumë kujdes për Amerikën Latine dhe marrjen seriozisht të konkurrencës ekonomike nga Kina. Ndryshe nga Klintoni ai kërkon të ulet pa kushte në një tryezë bisedimesh me Iranin dhe t'i ofrojë atij një vend në OBT dhe favore të tjera ekonomike në këmbim të një qëndrimi më konstruktiv në konfliktin bërthamor.


Hilari Klinton ashtu si Obama do të vazhdojnë të jenë në krah të Izraelit, që të dy janë për zgjidhjen me dy shtete që parashikon sovranitet të Palestinës.

Për marrëdhëniet me Evropën kandidatët janë prononcuar pak deri tani, por ekspertët presin që të dy kandidatët demokratë t'a shohin atë si partnere dhe jo kundërshtare.


  • Data 12.02.2008
  • Autor Bergmann, Christina
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D6IJ
  • Data 12.02.2008
  • Autor Bergmann, Christina
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D6IJ