1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Komuniteti serb në Shqipëri - Besim në marrëdhëniet e mira Shqipëri-Serbi

Shqipëria të zbatojë Konventën Kuadër të Këshilit të Europës për pakicat kombëtare.

Pavllo Jakoja Brajoviç, kryetar i Shoqatës “Moraça- Rozafa” të komunitetit serbo-malazez, që jeton në Shqipëri shpreson fort tek vizita që kryeministri Rama do të zhvillojë sot në Beograd. E takoj Pavllon në selinë e shoqatës në Shkodër, në një ndërtesë mu në zemër të qytetit.

“Shpresoj dhe besoj që kjo vizitë të normalizojë dhe përmirësojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo do të jetë një zhvillim pozitiv edhe për ne, pakicën kombëtare serbe, që jeton në Shqipëri për të rritur statusin tone”, thotë ai për Dë.

Stendat me foto të shumta në zyrat e shoqatës “Moraça- Rozafa” tregojnë aktivitete të shumta kulturore, fetare të zhvilluara në Shkodër, Tiranë, Beograd; një bibliotekë shumë e pasur me libra në alfabetin cirilik dhe klasa, ku fëmijët mësojnë gjuhën serbe, janë dëshmi e mundësimit për t'i dhënë vitalitet dhe mbajtur të bashkuar komunitetin.

Ruajtja e identitetit kombëtar dhe kultivimi i gjuhës serbe

Komuniteti serbo-malaez në Shqipëri zë fill në mesjetën e hershme. Sot ai përbëhet nga 30 mijë vetë dhe jeton kryesisht në Shkodër dhe rrethinat e saj, sidomos në fshatrat e Vrakës dhe Gruemirës. Në vitin 1995 komuniteti krijoi shoqatën e vet duke i dhënë emrin e lumit Moraça, që furnizon me ujë liqenin e Shkodrës, simbol i rrjedhës, vijueshmërisë, si edhe emrin e kalasë së Rozafës, simbol i qytetit të Shkodrës.

Pavllo Jako Brajovic

Pavllo Jakoja Brajovic, kryetar i Shoqatës “Moraça- Rozafa”

„Shoqata jonë ka një objektiv të qartë: ruajtjen e identitetit tonë kombëtar përmes kultivimit të gjuhës serbe dhe aktiviteteve kulturore, angazhimin e komunitetit në krijimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë“, thotë Pavllo Jakoja Brajoviç.

Situata e komunitetit serbo-malazez

Ai tregon që ka fituar detyrën e kryetarit të Shoqatës me votim të fshehtë, me 100% të votave.

“Kjo më vë në një detyrim të madh ndaj komunitetit, në përpjekjet për të mos humbur identitetin kombëtar dhe njëherazi për të qënë të integruar në jetën social-politike të Shqipërise, ku ne jemi nështetas“, thotë Pavllo Jakoja Brajoviç.

Komuniteti serbo-malazez në Shkodër merrret me tregti, biznese të vogla dhe bujqësi. Ai i takon shtresës së mesme të shoqërise. Fëmijët mësojnë gjuhën amtare përmes kurseve, që organizon shoqata dhe djem e vajza të reja studiojnë në universitetet e Beogradit me bursa të shteti serb. Por kjo nuk mjafton. Ka shqetësim të madh se komuniteti serbo- malazes po humbet me shpejtësi identitetin e tij kombëtar. Sipas të dhënave të shoqatës vetëm 600 fëmijë nga komuniteti serb mësojnë serbisht, ndërsa mosha nën 45 vjeç nuk di të flasë gjuhën amtare.

„Futja e mësimit të gjuhës serbe, si gjuhë e dytë e detyruar në zonat, ku banon kjo pakicë kombëtare, është çështje emergjente. Kjo ndër të tjera do të ndihmonte edhe shkëmbimet e pritshme tregtare dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Serbisë, më të mira se deri më tani. Po kaq emergjente është edhe zbatimi nga shteti shqiptar i politikave europiane për integrimin e pakicave në jetën sociale-politike, pra edhe i asaj serbo- malazeze dhe zbatimin e Konventes se KiE „ Për mbrojtjen e pakicave Kombetare“ të ratifikuar nga Shqipëria por të pazbatuar ende“, thotë Pavllo Jakoja Brajoviç.

Ai tregon se komuniteti serbo-malazez ka vetëm përfaqësuesin e vet në Komitetin Shtetëror për Minoritetet, por asnjë përfaqësues në institucionet e qeverisjes qëndrore, vendore, apo në strukturat e RTSH-së, operatorit publik. „Këtu do të duhej të futej në lojë diskriminimi pozitiv, që të ndihemi të përfshirë. Komunitetit tonë i është dashur të bëhet „servil“ i Partisë për të Drejtat e Njeriut, që ka kaluar pragun elektoral 4 herë prej votave tona, por asnjëherë nuk kemi patur përfaqësues në Kuvend“, thekson ai.

Shpresa të reja drejt realizimit.

Në Progres Raportin 2014 të KE për Shqipërinë theksohet se ende Shqipëria nuk ka miratuar ligjin përkatës të standarteve europiane për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe integrimin e tyre Por Pavllo Jakoja Brajoviç sheh sinjale pozitive në angazhimin e qeverise Rama lidhur me pakicat kombetare.

„Qeveria Rama ka ngritur Këshillin Ndërministror, që synon të ngrejë një Fond të posaçëm për mbrojtjen dhe integrimin e pakicave dhe kemi shpresa që në vitin 2015 ai do t'u vihet në dispozicion pakicave kombëtare, për t‘ u integruar në jetën politiko-sociale të vendit, si pjesë e pandarë e saj. Per hir të së vërtetës komuniteti serbo-malazez historikisht ka patur marrëdhënie shumë të mira me pjesën tjetër të popullsisë në Shqipëri“, tregon Pavllo Jakoja.

Në paqe me shqiptarët

Shumica janë larguar

Shumica janë larguar

Gjurgjia Sekuliç ka kaluar gjithë jetën e saj në Vrakë. Bashkë me burrin e saj Bllagon ngriti familjen dhe rriti 3 fëmijë. Gjurgjia bën kryqin, kur më hap derën e shtëpisë së saj dhe thotë që kështu bën sa herë rruga i sjell miq dhe vizitorë të panjohur.

“Njerëzit janë larguar, prandaj është gëzim ardhja e vizitorëve. Shumica e serbëve të Vrakës kanë zbrit në Shkodër, ose kanë emigruar. Nga 80 shtëpi tani kemi mbet shumë pak, 10 familje serbe. Një pjesë ka ik në Mal të Zi dhe në vend të tyre Vrakën e kanë popullue të tjerë, që nuk janë serbë. Jetojmë me ta në paqe. Kena mirëkuptim dhe marrdhënie vllaznore. Mbaj mend gjyshin tim, që thoshte se me shqiptarët jemi vëllezër”, thotë Gjurgjia Sekuliç

Një televizor i markës Samsung e lidh Gjurgjian me çfarë ndodh në Tiranë dhe Beograd.

“Ma mirë do të bahet, nuk kemi asgja me nda, veç fitim kena me qënë në marrdhanie të mira”, thotë Gjurgjia Sekuliç.

Kjo është përvoja, që sjellin brezat e familjes së saj serbe, që nga mesjeta në ditët tona.