1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Komuniteti mysliman i Shqipërisë kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet arabe

Në prag të 1 vjetorit të pavarësisë së Kosovës- myslimanët e Shqipërisë i dërgojnë peticion Organizatës së Konferencës Islamike, për njohjen e Kosovës së pavarur, nga vendet e saj anëtare.

default

Sahati i Tiranës dhe xhamia e Ethem Beut

Vetëm tri nga 57 vendet anëtare t ë Organizatës së Konferencës Islamike e kanë njohur deri më tani Kosovën e pavarur. Për komunitetin myslima të Shqipërisë një realitet i tillë është i pashpjegueshëm nisur nga fakti, që shumicën e shqiptarëve të Kosovës e lidh me këto vende e njëjta përkatësi fetare, ajo myslimane.

Përkujtimi nesër, më 17 shkurt, i përvjetorit të parë të pavarësisë duket se ka nxitur komunitetin mysliman të Shqipërisë të kërkojë ta ndryshojë këtë realitet.

Përmes një peticioni, të nënshkruar nga 50 mijë qytetarë të Tiranës dhe qyteteve të tjera kryesore të Shqipërisë ky komunitet i kërkoi dje Organizatës së Konferencës Islamike, me seli në Arabinë Saudite, që bota arabe të njohë sa më parë Kosovën e pavarur.

Nënshkruesit e peticionit mund t´i takosh në qendër të Tiranës, pranë xhamisë së Ethem Beut.

“Jam Daniel Salihaj dhe njëri prej firmuesve të peticionit. Vendosa t´i bashkohem nismës së komunitetit mysliman që përmes saj të nxisim vendet arabe të njohin pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët atje janë vëllezërit tanë”, thotë njëri prej tyre.

Ai tregon se ka mbaruar universitetinn për frutikulturë dhe se është një besimtar i devotshëm mysliman. Por nuk janë vetëm besimtarë si ai apo simpatizantë të fesë islame ata që kanë firmosur peticionin por edhe të krishterë, katolikë, ortodoksë madje edhe … ateistë. Pa u menduar ai e ka gati argumentin pse ndodh kështu

“Jemi shqiptarë. Kosovarët janë vëllezërit tanë. E kemi të qartë pse firmosëm, e kemi të qartë çfarë kërkojmë. Përkatësia fetare në këtë rast nuk është më e rëndësishme. Bota arabe duhet të mos ngurojë por t´ u bashkohet vendeve të botës, që e kanë njohur Kosovën e pavarur. Shpresoj që peticioni ynë të japë rezultate ” thotë Daniel Salihaj.

Shpresat e tij që të ndodhë kështu janë të mëdha. Ai i mbështet ato në ndihmën e madhe, që vendet arabe i dhanë valës së refugjatëve nga Kosova, që vërshoi në Shqipëri në pranverën e vitit 1999 për t´i shpëtuar spastrimit etnik të frymëzuar nga Sllobodan Millosheviç. Këto vende ngritën kampe në pikën kufitare të Qafë- Morinës, në Kukës, ku strehuan, ushqyen dhe u dhanë ndihmë mjekësore qindra- mijëra refugjatëve nga Kosova.

Vetë Shqipëria është anëtare e Organizatës së Konferences Islamike që nga viti 1992, kur presidenti i atëhershëm Sali Berisha, sot kryeministër, e anëtarësoi në këtë Organizatë. 57 vendet e saj anëtare kanë një popullsi myslimane prej 1,5 miliardëshe.

  • Data 16.02.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GvGF
  • Data 16.02.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GvGF