1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Komunistët duke u shtuar në Rusi

20 vjet më parë, më 6 nëntor 1991, komunistët u nxorrën nga ligji prej presidentit të atëhershëm, Jelcin. Dy vjet më vonë partia u lejua sërish. Sot, ajo është duke u zgjeruar.

Gennadi Sjuganow, kryetar i Partisë

Gennadi Sjuganow, kryetar i Partisë

Me grushtin të mbledhur dhe vështrim të vendosur, ka dalë Gennadij Sjuganow në një poster zgjedhor të partisë së tij Komuniste. Në sfond shihet një impiant industrial, në krah shkrimi: "Ne kujdesemi që vjedhjet të kthehen mbrapsht!" Ky është mesazhi kryesor i programit zgjedhor, me të cilin komunistët e Rusisë duan të marrin pikë në zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit.

Me të vjedhur, kihet parasysh "atdheu i vjedhur", Bashkimi Sovjetik, i cili u shpërbë 20 vjet më parë. Në programin e tyre zgjedhor komunistët kërkojnë, "bashkimin e popujve vëllezër". Përveç kësaj, ata kërkojnë "të kthejnë mbrapsht pasuritë e vjedhura". Degë të tëra të ekonomisë duhet të shtetëzohen sërish. Komunistët, duan po ashtu të kthehet politika sociale sovjetike. Ata premtojnë ndër të tjera arsim dhe kujdes mjekësor falas.

Manifestimet e majit, Rusi

Manifestimet e 1 majit, Rusi

Partia Komuniste e Federatës Ruse (KPRF) u krijua në vitin 1990 nga anëtarët e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (KPdSU), të cilët ishin kundër reformave të ish kryetarit të partisë në atë kohë, Michail Gorbatschow. Pas përpjekjeve për të organizuar në gusht të 1991-it puç kundër presidentit sovjetik Gorbatschoë, presidenti rus Boris Jelzin ndaloi si Partinë e re Komuniste të Federatës Ruse(KPRF), ashtu edhe atë të Bashkimit Sovjetik (KPdSU)

Por, në vitin 1993 KPRF u krijua nga e para. Deri në vitin 2003, kjo parti kishte fraksionin më të madh në Duma. Që nga ajo kohë, parlamenti rus dominohet nga partitë që janë afër me Kremlinin dhe me Vladimir Putinin.

Forca e vetme opozitare në Parlament

Premtimet e komunistëve shihen mirë tek popullsia. Sipas sondazheve të fundit, KPRF mund të marrë në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahet deri në 17 përqind të votave, duke e përmirësuar rezultatin e 2007-ës me rreth 5 përqind. Partia do të ishte sërish forca e dytë më e madhe e Dumës.

Demostrata në Moskë

Demostrata në Moskë

Alexej Graschdankin, nga Instituti i pavarur moskovit Lewada, mendon se ekzistojnë disa arsye për popullaritetin e komunistëve. “Atmosfera e përgjithshme në vend nuk është shumë optimiste, si gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare më 2007-ën," thotë sociologu rus. Kriza ekonomike ka lënë gjurmë edhe në vendim me sipërfaqe më të madhe të botës. Partitë opozitare, jo vetëm ato komuniste kanë tani më shumë mbështetje. Përveç kësaj, në zgjedhjet e dhjetorit do të marrin pjesë më pak parti, sqaron Graschdankin. “Partia Agrare nuk merr më pjesë. Ajo kishte zgjedhës së njëjtë si komunistët," Zgjedhësit e saj do t`ia japin tani votën komunistëve.

Ekziston edhe një arsye tjetër pse gjithnjë e më shumë zgjedhës duan t`ia japin votën e tyre komunistëve. Ato janë vota proteste kundër partisë në pushtet të Putinit, Partisë për Rusinë e Bashkuar. Prek vitesh KPRF është e vetmja parti e vërtetë opozitare në parlamentin rus. Partitë e tjera, si përshembull populistët e djathtë të demokratëve liberalë janë besnik të Kremlinit.

Parti e nostalgjikëve sovjetikë?

Edhe në Rusinë e sotme mund të shohësh cilët janë idhtarët e komunistëve, kur sheh çdo vit më 7 nëntor, përvjetorin e Revolucionit të tetorit. Shumica janë pensionistë, që dalin me flamuj të kuq në rrugë. Faktikisht, baza e partisë duhet të ishte zvogëluar, sepse nostalgjikët e Bashkimit Sovjetik janë duke vdekur me kalimin e kohës. Por, po ta shohësh, thotë sociologu Graschdankin, vëren se partisë po i vijnë idhtarë të rinj. “Çdo vit njerëz të tjerë mbërrijnë në moshën e pensionit dhe për shumicën e rusëve, kjo është një kohë e rënies sociale," shpjegon ai. Ata janë njerëz që e kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës në Bashkimin Sovjetik dhe e vlerësojnë sistemin social socialist për më të drejtë nga pikëpamja sociale.

Dita e Revolucionit, Rusi

Dita e Revolucionit, Rusi

Komunistët rusë janë të bindur se socializmi nuk ka vdekur. Në krizat e vazhdueshme globale ekonomike ata shohin konfirmimin e kritikës që ata i bëjnë kapitalizmit dhe duan të mësojnë nga vende si Kina. Nga ana tjetër, kryetari i partisë Sjuganoë theksoi gjatë vizitës së tij në muajin tetor: “Unë mendoj se nga ne nuk duhet patur frikë. Nuk do të ketë shpronësime. Ne jetojmë në një kohë tjetër."

Ka kohë që edhe komunistët kanë ardhur në Rusinë post-komuniste. Në listat e tyre të zgjedhjeve ndodhen edhe biznesmenë të kamur, që tërhiqen më shumë nga interesat ekonomike se sa nga ato ideologjike. Për ta, le ta shtrëngojë grushtin Sjuganoë sa të dojë. "Komunistët kanë pasur vështirësi të mëdha të gjejnë motivin e zgjedhjeve," thotë Graschdankin.

Autor: Roman Goncharenko/ Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti