1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Komunat e Veriut të Kosovës refuzojnë buxhetin e Prishtinës

Qeveria e Serbisë po pengon funksionalizimin e strukturave legale në Veri të Kosovës. Këtë shqetësim, qeveria e Kosovës e ka ngritur në Bruksel.

Katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe, Zvecani, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Veriu i Mitrovicës, nëse deri në mesnatën e 28 shkurtit nuk i dorëzojnë në Ministrinë e Financave projekt-buxhetet dhe kërkesën për ndarje buxhetore, nuk do të kenë mundësi të bëjnë asnjë shpenzim. Kjo për faktin se një marsi është afati i fundit kur duhen dorëzuar projekt-buxhetet, sipas qarkores buxhetore e aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, thonë zyrtarë nga ministria e financave në Prishtinë. Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës nuk janë të kënaqur me shpërndarjen e buxhetit që e ka bërë qeveria e Kosovës dhe për këtë ata po kërkojnë që çështja e ndarjes së buxhetit për komunat veriore të Kosovës të diskutohet në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është e papranueshme për qeverinë e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq, ka thënë për mediat publike në Prishtinë se aktualisht asambleja e kësaj komune nuk dëshiron të ndryshojë buxhetin e saj të miratuar nga kuvendi komunal në shtator të vitit të shkuar e që është mbi 20 milion euro. Ministria e Financave në qeverinë e Kosovës, kësaj komune i ka aprovuar buxhet vetëm 2.700.000 mijë euro.

“Unë nuk e di pse nevojiten asamblistët dhe si mund të jetë puna e Kuvendit e pavarur, kur këtu përzihet qeveria qendrore. Nuk e kuptoj se si po mendojnë ata të decentralizojnë pushtetin kur ndërhyjnë në punën e katër komunave veriore”, thotë Goran Rakiq.

Zyrtarë nga Ministria e Financave në qeverinë e Kosovës, i thanë Deutsche Welles se komunat e veriut duhet t'i dorëzojnë projekt-buxhetet të Ministri i Financave, sepse në të kundërtën nuk do të mund të bëjnë asnjë shpenzim.

“Nëse Kuvendi Komunal dështon që ta miratojë dhe t'ia dorëzojë ministrit projekt-buxhetin dhe kërkesën për ndarje buxhetore deri më 1 Mars, atëherë asnjë shpenzim nuk duhet të bëhet nga ose në emër të komunës në fjalë, deri në kohën kur Kuvendi Komunal ta miratojë dhe t'ia dorëzojë ministrit këto dokumente”, thotë Ardita Dushi nga Ministria e Financave.

Buxheti i përgjithshëm i miratuar në shtator të vitit të shkuar nga kuvendet komunale të katër komunave veriore të Kosovës është 67.5 milionë euro. Ndërsa buxheti që atyre u është aprovuar së bashku, sipas qarkores buxhetore të qeverisë, është vetëm 8.470.813 euro.

Çështjen e mosmiratimit të buxheteve komunale nga komunat e Veriut të Kosovës, sipas qarkores së qeverisë në Prishtinë, e ka ngritur si shqetësim edhe ministrja për dialogun me Serbinë Edita Tahiri, e cila këto ditë po qëndron në Bruksel. Zonja Tahiri, ka njoftuar strukturat e Bashkimit Evropian për siç thotë “ndërhyrjet e Serbisë në pengimin e funksionalizimit të strukturave legale në Veri të Kosovës".

Edita Tahiri: Serbia pengon në Veri

Edita Tahiri: Serbia pengon në Veri

“Funksionalizimi i strukturave legale komunale në veri të Kosovës po pengohet nga ndërhyrjet e Serbisë. Nëse komunat veriore nuk i miratojnë buxhetet legale, do të ballafaqohen me pasoja juridike dhe bllokim të buxhetit”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Edita Tahirit.

Në takim me zyrtarët e Bashkimit Evropian, zonja Tahiri thotë se “është shprehur përkushtim i përbashkët për të shpejtuar procesin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel”.

“Është vlerësuar rëndësia e vazhdimit të dialogut, sidomos duke marrë parasysh krijimin e dinamikës së re pas arritjes së marrëveshjes për drejtësinë midis kryeministrave të shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini”, thotë Edita Tahiri, duke rikujtuar se marrëveshja e arritur në drejtësi është një rifillim i mbarë për dialogun Kosovë-Serbi.

Prishtina dhe Beogradi, me 19 prill të vitit 2013 nënshkruan marrëveshjen për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje Serbisë i mundësoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa, Kosovës hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asoocimit, e cila pritet të nënshkruhet në pranverë të këtij viti.

Zyrtarët evropianë kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën është kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.