1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Komunat e veriut të Kosovës duhet të ndryshojnë statutet

Statutet e komunave veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe nuk janë në harmoni me legjislacionin e Kosovës. Kërkesa për ndryshimin e statuteve është bërë nga Ministria e Pushtetit Lokal të Kosovës.

Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë afat jo më shumë se edhe tri javë që t'i ndryshojnë statutet e tyre dhe t'i harmonizojnë ato me legjislacionin e Kosovës. Ndryshimi i statuteve do të shmangë mundësinë që në veri të Kosovës të përsëriten zgjedhjet lokale. Komunat veriore të Kosovës, akoma funksionojnë me statute, simbole e vula që i referohen Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Zyrtarë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i thanë DW se, kjo ministri ka dërguar një shkresë te komunat veriore dhe ka kërkuar rishqyrtimin e statuteve, në mënyrë që të bëhen ndryshimet përkatëse dhe të plotësohen kërkesat ligjore të parapara me ligjet e Kosovës. Lumnije Demi, zëdhënëse në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë se ministria ka dhënë afatin ligjor prej 30 ditëve në mënyrë që organet e këtyre komunave të kenë mundësi të bëjnë ndryshimet e nevojshme.

Lumnije Demi, zëdhënëse në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal

Lumnije Demi, zëdhënëse në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës.

"MAPL pret nga organet e komunës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për harmonizimin e statutit me legjislacionin në fuqi dhe kur kjo të bëhet, do të bëj konfirmimin e ligjshmërisë në mënyrë që statuti të bëhet i plotfuqishëm dhe të mund të publikohet në faqen zyrtare, ashtu siç parashihet me rregullat për procedurën e hartimit dhe publikimit e akteve të komunave", thotë Lumnije Demi.

Në ana tjetër, përfaqësuesit politikë nga veriu, mbrojnë veprimet e tyre duke thënë se statutet, simbolet dhe vulat e këtyre komunave duhet të jenë neutrale në raport me statusin e Kosovës.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore ka thënë për mediat lokale në Kosovë se ruajtja e neutralitetit në raport me pavarësinë e Kosovës ka ndikuar që serbët e veriut të dalin në zgjedhje.

"Gjatë hartimit dhe aprovimit të statuteve ne iu jemi përmbajtur Rezolutës 1244 dhe Marrëveshjes së arritur me 19 prill në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo edhe është arsyeja pse serbët kanë dalë në zgjedhje, pra duke iu përmbajtur neutralitetit ndaj statusit të Kosovës", ka thënë Ksenija Bozhoviq.

Në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale, komunat kanë të drejtë që me dy të drejtat e votave në asamblenë komunale të formulojnë statutet e tyre, por, gjithmonë që ato të jenë në harmoni të plotë me ligjet në fuqi, siç janë ligji për vetëqeverisje lokale, ligji për financa, ligji për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar dhe ligji për komunitete.

Besnik Tahiri, drejtor i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale

Besnik Tahiri, drejtor i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale

Besnik Tahiri, drejtor i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, i tha DW, se "ajo çfarë ka ndodhur në komunat veriore të Kosovës është që disa prej tyre i kanë tejkaluar përgjegjësitë dhe kompetencat e përcaktuara në ligj duke ndaluar me statut që komunat të mos kenë të drejtë të jenë pjesë e asociacioneve tjera dhe në të njejtën kohë duke mos respektuar disa provizione që janë obligative duke pasur parasysh që komuna është entitet juridik".

Ndërsa, sa i përket neutralitetit dhe rezolutës 1244 së cilës i referohen komunat veriore, Besnik Tahiri thotë: "Rezoluta 1244 e KS, megjithëse nuk është shfuqizuarprej tij, tashmë në Kosovë është jofunksionale. Prandaj në këtë linjë, çdo tendencë për t'u lidhur me rezolutën 1244, nuk i kontribuon integrimit dhe krijon një amulli dhe pengim të funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës”, thotë Besnik Tahiri.

Sidoqoftë, mediat në Prishtinë shkruajnë se tashmë në procesin e zhbllokimit të situatës lidhur me statutet e komunave veriore janë përfshirë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Këta të fundit thuhet se i kanë rikujtuar Beogradit zyrtar se marrëveshja për normalizim e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, parasheh integrim të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës e jo bllokimin e tyre.