1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Kompromisi dështon në Austri por si do të veprohet më tej?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi në Austri se me këto bisedime ka përfunduar procesi i negociatave me palën serbe.

default

Grupi negociator

Dita e dytë e bisedimeve të fundit të drejtpërdrejta në Baden konfirmoi se Prishtina dhe Beogradi nuk do të arrijnë zgjidhje kompromisi për statusin e Kosovës. Palët paraqitën vizionet e tyre që dallojnë në esencë: njëri është pro, tjetri kundër pavarësisë. Fituesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, Hashim Thaçi theksoi se ka mbetur të zhvillohet edhe një takim i drejtëpërdrejtë me palën serbe, por theksoi se “definitivisht pozicionet mes Prishtinës dhe Beogrdit janë të papajtueshme dhe diametralisht të kundërta.

Bisedimet konsiderohen të dështuara

Kosova respekton vullnetin e popullit dhe sakrificat për pavarësinë e vendit”, theksoi Thaçi. Se në bisedimet e Vjenës nuk është arritur marrëveshje këtë e konfirmoi dhe ministri serb për Kosovë e Metohi, Slobodan Samarxhiq: “Nuk kemi arritur marrëveshje të përbashkët apo kompromis, që ishte synimi kryesor i këtyre bisedimeve. Këtë synim e ka pranuar vetëm pala serbe. Delegacioni shqiptar shumë herë ka përsëritur qartë se kompromis rreth statusit nuk do të ketë. Do të thotë se kompromis nuk ka, sepse statusi ishte tema qendrore e bisedimeve”, theksoi Samarxhiq.

Prishtina e Beogradi me qëndrime të kundërta

Delegacioni i Prishtinës ka refuzuar bisedimet për statusin dhe ka propozuar traktatin për fqinjësi të mirë mes Serbisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura. Samarxhiq bëri të ditur se delegacioni i Serbisë i ka paraqitur gjatë bisedimeve të Vjenës mbi 500 amendamente në propozimin e Marti Ahtisarit. Ndërkohë që delegacioni kosovar nuk ka paraqitur asnjë amendament në propozimet serbe për statusin. “Prej fillimit e deri më sot ata kanë hedhur poshtë propozimin tonë në tërësi. Nuk kanë dashur të bisedojnë për planin, i cili ishte i detajuar dhe i hapur. Kjo më së miri përshkruan atmosferën e bisedimeve në tre muajt e fundit”, theksoi Samarxhiq.

Ndërsa ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq theksoi se “Serbia është e gatshme për kompromis, është e gatshme të bisedojë për të gjitha aspektet e propozimit. Serbia është e gatshme të vazhdojë negociatat për arritjen e kompromisit, para ose pas dhjetë dhjetorit.”

Do të vazhdojnë sërish negociatat e drejtpërdrejta?

Jeremiq dhe Samarxhiq u shprehën të bindur se procesi do të vazhdojë, në formën e bisedimeve të drejtpërdrejta apo në ndonjë formë tjetër. Mirëpo kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe pretendenti për postin e kryeministrit të ardhshëm, Hashim Thaçi theksoi se me këto bisedime ka përfunduar procesi i negociatave me palën serbe.

Ky proces përmbyllet sipas afatit në datën 10 dhjetor. Pas kësaj procesi kalon tek treshja dhe sekretari i përgjithshëm i OKB. Të gjitha veprimet tona do të jenë të koordinuara me SHBA dhe BE”, tha ai.

Reagimi serb nëse Kosova shpall pavarësinë

Delegacioni serb nuk deshi të saktësojë se çfarë do të bëjë Beogradi në qoftë se Kosova, pas 10 dhjetorit shpall pavarësinë e njëanshme. Samarxhiq tha se në këtë moment ata nuk mund të japin detajet e plota, por : “do të reagojë ashtu si do të reagonte çdo shtet normal në Evropë, po të cënohej territori i tij. Nuk mund të them më shumë se cili do të jetë reagimi i Serbisë, por me siguri do të reagojë.”

I pyetur nëse Kosova gjendet para konflikteve të reja të armatosura në qoftë se Serbia reagon si shtet, Thaçi u përgjigj: “Unë besoj vetëm në paqe, siguri dhe stabilitet. Këto përgjegjësi i kemi marrë të punojmë në kuptimin më afirmativ të mundëshëm për progres të gjithashëm, që ne garantojmë”,

Hashim Thaçi u shpreh se të gjitha aksionet e ardhshme të Kosovës do të jenë të koordinuara me faktorin ndërkombëtar, SHBA dhe BE. “Vonesa nuk do të ketë. Kosova ka pritur mjaft, është koha për vendime”, theksoi Thaçi.

Palët më vonë janë takuar edhe me përfaqësuesit e trojkës për të paraqitur analizat dhe sugjerimet e tyrë të fundit. Të mërkurën do të kenë edhe një takim të përbashkët njëorësh. Mrekullitë janë të mundëshme, por askush më nuk e beson mundësinë e ndonjë kompromisi.