1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompromis për eurozonën - nga samiti i BE-së në Bruksel

29 Tetor 2010

Në Bruksel ku Gjermania dhe Franca kërkuan suspendimin e së drejtës së votës për ata që thyejnë rregullat e eurozonës, po ravijëzohet një kompromis: krijimi i një sistemi mbrojtës të euros.

https://p.dw.com/p/PrOf
Fotografi: nootropa - Fotolia.com

Franca dhe Gjermania mbetën në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Bruksel të izoluara me kërkesën e tyre për t'u ngrirë të drejtën e votës anëtarëve të BE-së, që do të thyenin rregullat e buxhetit. Gjithësesi ato gjetën mbështetje të gjërë në lidhje me kërkesën për një sistem të vazhdueshëm shpëtimi për vendet e eurozonës.

Kërkesat e Gjermanisë dhe të Francës janë një përpjekje për të mbrojtur vendet e eurozonës prej krizash të tilla financiare si ajo që përfshiu Greqinë. Por ideja për të ndryshuar traktatin e Lisbonës konsiderohet si një përpjekje tepër e gjatë dhe politikisht e mundimshme. Në një takim të politikanëve kryesorë të qendrës së djathtë nga e gjithë Evropa, i cili u zhvillua pak përpara takimit të nivelit të lartë të BE-së, u vu re se nuk kishte ndonjë shumicë për idenë e "suspendimit të votës" për vendet mëkatare.

Sistem mbrojtës afatagjatë kundër krizave

Kryeministri finlandez, Jyrki Katainen, tha për mediat: "Shumë vende janë kundër idesë së suspendimit të votës, dhe përpjekjet do të kenë si synim të parë të përcaktojnë rrugën më të mirë dhe më të thjeshtë për të ngritur një sistem të vazhdueshëm për zgjidhjen e krizave, pa ndryshuar traktatin e Lisbonës dhe marrëveshjet e paktit të stabilitetit."

Presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane Angela Merkel
Presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane Angela MerkelFotografi: AP

BE-ja ka aktualisht një sistem të vazhdueshëm për shpëtimin e eurozonës, i cili ka një vlerë prej 750 milionë euro. Por ky sistem merr fund në vitin 2013 dhe duhet zëvendësuar me një të ri.Kancelarja Merkel theksoi në takimin e Brukselit se një sistem i tillë duhet dizajnuar për t'u përdorur në rastin më të keq, në mënyrë që të mos na duhet të përballemi sërish me një situtatë të tillë si në fillim të këtij viti. Megjithë rezistencën e të tjerëve kancelarja Merkel ngul këmbë në idenë franko-gjermane: "Në marrëveshjen e Lisbonës, por kjo ndonjëherë harrohet, e kemi mundësinë për t'u ngrirë të drejtën e votës shteteve anëtare që shkelin vlerat themelore të BE-së."

Euro e rrezikuar - vlera evropiane të rrezikuara?

Kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker sqaron se: "E drejta e votës suspendohet në rast se një nga shtetet anëtare shkel në mënyrë të rëndë të drejtat e njeriut. Mosrespektimi i rregullave të buxhetit dhe ai i të drejtave të njeriut janë dy gjëra krejt të ndryshme."

Jean-Claude Juncker - president i eurozonës dhe kryeministër i Luksemburgut
Jean-Claude Juncker - president i eurozonës dhe kryeministër i LuksemburgutFotografi: picture alliance/Photoshot

Kurse znj. Merkel thotë: "sipas mendimit tim një politikë, e cila vë në rrezik euron në tërësi, është gjithashtu një politikë, e cila trondit vlerat themelore të BE-së."

Një ndër rregullat e vendeve anëtare të Eurozonës thotë se vendet anëtare duhet ta mbajnë deficitin e tyre buxhetor nën 3% të prodhimit bruto të vendit (GDP) dhe borxhin e tyre nën 60% të GDP-së. Por këto rregulla nuk janë zbatuar asnjëherë me rigorozitet, pasi Franca dhe Gjermania këmbëngulën për zbutjen e tyre. Mungesa e displinës çoi ndër të tjera në krizën financiare që përfshiu Greqinë në fillim të këtij viti.

Grupi task-force për reformën e paktit të stabilitetit të euros nën drejtimin e Herman Van Rompuy ka përpunuar një sërë propozimesh për ashpërsimin e paktit të stabilitetit. Ndër to bëjnë pjesë mbikqyrja preventive; një proces më rigoroz në rastet e deficitit, pra në rast se një vend kapërcen nivelin e 3%; instalimi i një sistemi paralajmërues dhe kontrolli më rigoroz i borxheve të përgjithshme që merr secili prej shteteve anëtare. Gjithësesi shumica e vendimeve në rastin e sanksioneve duhet të vazhdojë të merret si deri tani me dy të tretat e votave të ministrave të financave.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Lindita Arapi