1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompromis mbi paketën kundër terrorizmit

Marsel Fyrstenau5 Shtator 2006

Në Gjermani ka mundësi që së shpejti të krijohet banka e të dhënave për anti-terrorin. Në këtë bankë do të kenë akses policia dhe shërbimet sekrete. Për këtë ranë dakord të hënën më 4 shtator ministrat e brendshëm të landeve dhe ai i federatës

https://p.dw.com/p/Aqba
Të dhëna mbi fenë, profesionin, vendqëndrimin
Të dhëna mbi fenë, profesionin, vendqëndriminFotografi: Das Fotoarchiv

Banka e të dhënave për të dyshuarit për terrorizëm u iniciua nga politikanët e unionit kristiandemokrat/kristiansocial, qysh pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe në Uashington. Në qeverinë e mëparshme të koalicionit mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve deri vjeshtën e kaluar kjo inciativë pati dështuar për shkak të rezervave të mëdha që kishin kryesisht ekologjistët. Por kritika ndaj kompromisit vazhdon të ketë edhe sot, ndër të tjera ka rezerva që kanë të bëjnë me të drejtën kushtetuese.

Nëse do të varej prej unionit kristiandemokrat-kristiansocial, në të ardhmen do të ekzistonte e ashtuquajtura bankë e të dhënave të plota, jo në formë indeksi, ndaj së cilës do të kishin akses policia dhe shërbimet sekrete.

Por ministri i brendshëm i Bavarisë, kristiansociali Gynter Bekshtein s´ia doli mbanë me këtë kërkesë maksimale. Ndonëse ai duhet të jetë i kënaqur tani me kompromisin e arritur ashtu si edhe kryetari i konferencës së ministrave të brendshëm, kolegu i tij kristiandemokrat në landin e Saksonisë së Poshtme, Uve Shyneman.

Krahas arkivit të hapur të të dhënave, në të cilin do të regjistrohet identiteti i të dyshuarve për terrorizëm, do të ketë edhe një skedar të dytë të dhënash: "Do të ketë regjistrim edhe të përkatësisë fetare, të profesionit si dhe të vendeve të qëndrimit. Eshtë e mundur që të krijohet edhe një hapësirë për indeksin e të dhënave lidhur me rrezikun që paraqet personi i regjistruar. Të gjitha këto janë shumë pozitive. Ndaj është për të të ardhur keq që ky vendim u arrit tani dhe jo qysh përpara dy vjetësh. Ne do të kishim pasur mundësi qysh tani t´i dispononim këto të dhëna."

Këto informacione mund të vihen në dispozicion vetëm pasi autoriteti përkatës të miratojë kërkesën. Përjashtime do të ketë vetëm në raste të veçanta. Përshembull kur rrezikohen jetë njerëzish.

Ndërsa unioni konservator nuk ia arriti që në vend të indeksit të të dhënave të regjistrohen të dhëna të plota, socialdemokratëve iu desh të lëshonin pe lidhur me përcaktimin e të dhënave që duhet të regjistrohen mbi identitetin e të dyshuarve. Senatori i Berlinit për punët e brendëshme, Erhart Kërting, përshembull do të kish preferuar që të mos regjistrohej e dhëna mbi përkatësinë fetare: "Ne nuk flasim për terroristë të krishterë, as për terroristë budistë, ne flasim vetëm për terroristë islamikë. Unë rastësisht mund të shkruaj në skedar që ata janë myslimanë, por gjatë hetimeve një gjë e tillë s´të ndihmon aspak."

Ministri federal i punëve të brednëshme, kristiandemokrati Volfgang Sheuble deklaroi, se kabineti qeveritar ndoshta brenda shtatorit do të vendosë mbi një projektligj. Nisur nga shumica që kanë në parlament partitë e koaliconit të gjerë, kristiandemokratët dhe socialdemokratët, miratimi në parlament i bankës së të dhënave për anti-terrorin pritet të jetë vetëm një formalitet. Rezistencë mund të ketë vetëm nga të majtët. Kryetari i fraksionit parlamentar të të majtëve, Gregor Gizi në kushte të caktuara parashikon edhe hapat juridikë: "Sidoqë të vijë puna një ligj i tillë duhet t´i paraqitet gjykatës kushtetuese. Ne me siguri do të japim kontributin tonë, nëse do të vendoset diçka, që ne e konsiderojmë si antikushtetuese."

Ndërsa liberalët në opozitë do ta mbështesin këtë kompromis. Për këtë flet fakti, që ministri i brendshëm i Nordrin-Vestfalisë, liberali Ingo Volf, e ka miratuar kompromisin e arritur në mbledhjen e jashtëzakonsshme të ministrave të brendshëm në Berlin.