1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kompanitë gjermane po flirtojnë me Iranin

Që nga momenti kur u bë publike se vendet perëndimore do t'i pakësojnë sanksionet ndaj Iranit kompanitë gjermane, franceze dhe amerikane synojnë të hyjnë në tregun iranian.

Pasi Perëndimi dhe Irani ranë dakord në nëntor për një marrëveshje të përkohshme që Irani mund ta ndërpresë programin e tij bërthamor për një gjysmë viti dhe të lejojë pa kufizime kontrollet ndërkombëtare, vendet perëndimore do t'i pakësojnë sanksionet që vitet e fundit u bënë gjithnjë e më të dendura ndaj Iranit dhe ekonomisë iraniane. Ndër sektorët ku kufizimet do të pezullohen përkohësisht janë tregtia me pjesë këmbimi për avionë, prodhimet petrokimike apo industria e automobilave. Që nga momenti kur këto lajme u bënë publike, biznesmenët gjermanë i kanë hedhur sytë nga tregu iranian, tregon Michael Tockuss, anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë Gjermano-Iraniane. Ka disa javë që telefoni bie pa ndërprerje, sepse shumë sipërmarrje dhe kompani që deri tani u duhej t'i refuzonin shumë kërkesa nga Irani, tani shikojnë mundësi në këtë treg, thotë Tockuss.

Edhe amerikanët po hyjnë në treg

Jo vetëm gjermanët synojnë të hyjnë në tregun iranian. Nëpër panaire atë e pyesin për informacione dhe kontakte gjithnjë e më tepër firma amerikane, të cilat deri nuk kishin asnjë lloj qasjeje në tregun iranian për shkak të sanksioneve të ashpra të SHBA-së ndaj Iranit, tregon Tockuss. Për ekspertizën dhe kontaktet gjermane ka shumë kërkesa: 6000 ndoshta 7000 kompani gjermane kryesisht të mesme janë aktive në Iran, vlerëson Tockuss.

Gjermania mbeti një partner i rëndësishëm tregtar për Iranin - pavarësisht nga sanksionet që kanë vitet e fundit e bënë de facto praktikisht të pamundur transferimin e parave në dhe nga Irani. Edhe transfertat e parave janë lehtësuar nga marrëveshja e përkohshme. Për vite të tëra amerikanët kanë bërë presion të madh ndaj kompanive dhe bankave evropiane që ato të tërhiqen nga Irani.

Tani ata konkurrojnë për qasje në treg dhe i mirëpresin delegacionet iraniane. Tockuss mendon se do të ketë një luftë për konkurencë midis kompanive gjermane, franceze dhe amerikane kryesisht në industrinë e automobilave. Por Tockuss mendon se tregu iranian është i uritur për importe dhe prandaj aty ka mundësi të mjaftueshme për të gjithë.

Gëzim i parakohshëm?

Megjithë atmosferën e gëzueshme që ka shkaktuar pezullimi i përkohshëm i sanksioneve ndaj Iranit, Michael Tockuss nga Dhoma e Tregtisë Gjermano-Iraniane, mendon se nuk ka vend për shumë eufori dhe përpiqet ta frenojë atë. Ai nuk besoj se të gjitha sanksionet do të hiqen aq shpejt dhe se në rast se Irani nuk do t'u përmbahet detyrimeve ato mund të rivendosen sërish.

Po ashtu Tockuss e sheh me shqetësim kërkesën e një grupi kongresmenësh amerikanë që duan që të vendosen sanksione të reja kundër Iranit. Mosmarrëveshjet në lidhje me sanksione më të ashpra ndaj Iranit që ekzistojnë në SHBA ai i sheh si një rrezik të madh për mirëkuptimin me Iranin. Ai ka frikë se evropianët nuk do të vazhdojnë të negociojë me Iranin vetëm, pra pa Uashingtonin.