1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Komisioni i BE-së bën propozime - Këshilli i ministrave të brendshëm diskuton mbi politikën për refugjatët

Një marrëveshje e re SWIFT me SHBA-në dhe koordinimi i një politike të përbashkët për refugjatët, ishin temat e takimit të ministrave të brendshëm të BE-së në Bruksel.

Frontex ka nevojë për paisje dhe personel.

Frontex ka nevojë për pajisje dhe personel.

Parlamenti evropian në mes të shkurtit i përdori menjëherë të drejtat e tij të reja të parashikuara në marrëveshjen e Lisbonës. Deputetët rrëzuan një marrëveshje me SHBA-në për përcjelljen e të dhënave bankare, të ashtuquajturën marrëveshje SWIFT, e cila duhet t'i shërbejë mbrojtjes nga terrorizmi. Parlamenti kishte dyshime sa i takon mbrojtjes së të dhënave dhe nuhati spiunazh industrial nga amerikanët. Kështu parlamenti u pozicionua kundër shteteve anëtare, shumica e të cilëve e donin marrëveshjen. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maizière, pati argumentuar se një marrëveshje me mangësi është më mirë se asgjë. Tani ai kërkon një marrëveshje të re por me ndryshime:

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière.

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière.

"Së pari, duhen vënë në dispozicion më pak të dhëna dhe duhet përcaktuar saktë se cilat të dhëna do të jenë më pak. Së dyti, duhet të bëhet një përshkrim i qartë i qëllimit për të cilin përdoren të dhënat edhe në SHBA. Së treti, afatet e ruajtjes duhet të shkurtohen dhe duhet të ketë rregulla për shuarjen e të dhënave. Së katërti, ne kemi nevojë për një mundësi ankimimi për qytetarët evropianë, nëse është e mundur një mbrojtje juridike në rrugë gjyqësore."

Tani BE-ja do të përpiqet të gjejë një kompromis me palën amerikane.

Tema tjetër e rëndësishme e ministrave të brendshëm ishte luftimi i migracionit të paligjshëm. Të prekur janë para së gjithash vendet e Mesdheut. Ata prej vitesh kërkojnë më shumë mbështetje evropiane. Për këtë arsye në vitin 2005 u ngrit autoriteti evropian për mbrojtjen e kufirit, Frontex. Por deri tani ai është i dobët pasi është i varur nga kontributet financiare të vendeve anëtare dhe këto shtete e lënë atë shpesh në baltë. Komisarje e re e BE-së për politikën e brendshme, Cecilia Malmström kërkon ta ndryshojë këtë: "Çfarë propozojmë ne? Një mekanizëm të ndryshuar me kontribute të detyrueshme të vendeve anëtare. Ne kemi nevojë për paisje dhe personel."

Por suedezja ndjek një metodë krejt tjetër, integruese siç e quan ajo : ajo synon të nxisë migracionin e ligjshëm. Dhe për dëbimin e refugjatëve të cilët nuk kanë të drejtë pranimi, shtetet anëtare duhet të respektojnë standarde të përbashkëta.

Komisarje e re e BE-së për politikën e brendshme, Cecilia Malmström.

Komisarja e re e BE-së për politikën e brendshme, Cecilia Malmström.

"Do të ketë një kod të detyrueshëm sjelljeje për dëbimet. Në të gjitha aksionet e dëbimit do të jetë i pranishëm edhe një punonjës i një organizate humanitare, për shembull i Kryqit të Kuq, për të siguruar që gjithçka bëhet në mënyrë korrekte dhe sipas konventave ndërkombëtare."

Tema është delikate edhe pasi shtetet anëtare kërkojnë ta mbrojnë këtë fushë nga ndërhyrjet e Komisionit. Edhe ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière, shprehet i përmbajtur për këtë temë: "Forcimin e Frontex-it e mbështesim edhe ne. Por është e drejtë dhe e rëndësishme, që përgjegjësia ligjore por edhe politike për sigurimin e kufirit të mbetet tek shtetet kombëtare. Kështu është aktualisht situata ligjore, por mendoj se kjo është edhe e drejtë politikisht.“

Pra komisarja e BE-së për politikën e brendshme nuk do ta ketë shumë të lehtë t'u marrë nga duart një copëz politike sigurie dhe migracioni vendeve anëtare.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 26.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MBJs
  • Data 26.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MBJs