1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Komisioni i BE rekomandon heqjen e vizave për Kosovën

Në Kosovë u prit me gëzim të jashtëzakonshëm rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë.

Belgien, Gebäude der EU-Kommision in Brüssel

Selia e Komisionit të BE-së në Bruksel

Komisioni Evropian zyrtarisht propozoi heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Propozimi i Komisionit Evropian i dërgohet Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.

Komisioneri për migracion Dimitris Avramopoulos, tha se "E di sa i rëndësishëm është udhëtimi pa viza për qytetarët e Kosovës dhe jam i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj që Parlamenti Evropian dhe Këshilli ta miratojnë propozimin tonë", tha Dimistris Avramopoulos.

"Sot ne po vazhdojmë me përkushtimin tonë për propozim të udhëtimit pa viza në BE për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike duke lehtësuar kontaktet mes njerëzve dhe duke forcuar lidhjet e biznesit, ato sociale e kulturore ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në bërjen e reformave të gjera dhe të vështira në fushën e drejtësisë, të punëve të brendshme dhe më gjerë, që kanë ndikim në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe reformat në drejtësi. E di sa i rëndësishëm është për popullin e Kosovës udhëtimi pa viza dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj që Parlamenti Evropian dhe Këshilli do ta miratojnë shumë shpejtë propozimin tonë", tha Avramoupulos.

Brüssel EU-Kommissar für Migration Dimitris Avramopoulos

Komisioneri i BE-së për Migracionin, Dimitris Avramopoulos

Sipas tij, Komisioni Evropian konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit të saj për liberalizim të vizave, që nënkupton se deri në miratimin e këtij propozimi nga ana e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, Kosova do ta ketë të ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe ta ketë të forcuar regjistrin e të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dimistris Avramopoulos tha se zbatimi i vazhdueshëm nga ana e Kosovës i të gjitha kritereve të përcaktuara nga katër blloqet e udhërrëfyesit për viza, si dhe riintegrimi dhe riatdhesimi, do të monitorohen përmes mekanizmit monitorues të pas liberalizimit të vizave, procesi i Stabilizim Asociimit, dhe nëse paraqitet nevoja, përmes mekanizmave përcjellës ad-hoc.

Ai tha se në momentin që propozimi miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike nuk do të kenë nevojë për vizë kur udhëtojnë për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në vendet anëtare të BE-së.

Rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën u prit me një gëzim të jashtëzakonshëm në Kosovë. Kjo për faktin që Kosova tash e katër vjet bën përpjekje që të plotësojë kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se izolimit të Kosovës i erdhi fundi. "Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal", shkroi në profilin e tij në facebook, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. "Rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian. Rezultatet e punës së Qeverisë çdo ditë e më shumë janë të prekshme për qytetarët e Kosovës, qytetarë të kontinentit dhe të vlerave evropiane", u shpreh kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i integrimeve evropiane në qeverinë e Kosovës, Bekim Qollaku, ministria e të cilit kishte  barrën kryesore për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, thotë se nga sot "izolimi mbetet vetëm një kujtim i hidhur i së kaluarës. "Kjo është një tjetër ditë historike në procesin e integrimit evropian. Nga sot po fillon të hapet horizonti evropian para kosovarëve. Ky vendim është rezultat dhe konfirmim i përmbushjes së suksesshme të kritereve të udhërrëfyesit, rezultat i punës së përbashkët të qeverisë, kuvendit dhe institucioneve të pavarura. Mbesim të përkushtuar që ta çojmë këtë proces deri në fund sa më shpejt", tha ministri Qollaku.

Kosovo Bekim Colaku

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Qollaku

Të enjten (05.05) në Kosovë do të qëndrojë shefja e Bashkimit Evropian për Politike të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini dhe komisionari për migrim, Dimistris Avramopoulos. Që të dy sipas Avramopoulos, lajmin për liberalizimin e vizave duan ta ndajnë me qytetarët e Kosovës.    

Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, ku qytetarët e saj  nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012, ndërsa  ju deshën plot katër vjet që të plotësojë kriteret e kërkuara, ndonëse disa herë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thonin se Kosova ka kohë që i ka përmbushur kriteret.