1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Evropian propozon heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën

27 Maj 2010

Komisioni Evropian propozoi sot që qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnje-Hercegovinës të udhëtojnë pa vizë me pasaporta biometrike në vendet e Shengenit. Që propozimi të vihet në jetë, duhet të plotësohen disa kushte.

https://p.dw.com/p/NYx7
Fotografi: dpa

Bashkimi Evropian do të hapë së shpejti kufijtë për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegonivës. Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme Cecilia Malstrëm propozoi të enjten heqjen e vizave, me kusht që udhëtarët të mos qëndrojnë më shumë se 90 ditë dhe të kenë pasaportë biometrike.

"Propozimi i sotëm është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme dhe intensive të autoriteteve dhe popujve të këtyre vendeve për të plotësuar kriteret e kërkuara. Jam e sigurt se të dy vendet, duke u bazuar në atë që tashmë kanë arritur, do të jenë në gjendje të plotësojnë në kohën e duhur edhe kriteret e mbetura që të lejojnë më pas Parlamentin Europian dhe Këshillin e Ministrave të BE që të japin së shpejti aprovimin."

Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme Cecilia Malstrëm.
Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme Cecilia MalstrëmFotografi: AP



Vendimi do të merret në vjeshtë nga Këshilli i Ministrave të BE dhe nga parlamenti i BE

"Politika e vizave është një instrument shumë i rëndësishëm i BE-së, një shtyllë e politikës për integrimin e Ballkanit Perëndimor." Shqipëria dhe Bosnjë- Hercegovina kanë bërë përpjekje të mëdha, për të përmbushur kushtet. Por ka edhe kushte të tjera, të cilat mund të përmbusheshin "së shpejti".

Këto janë forcimi i drejtësisë dhe i policisë në të dy vendet si dhe lufta e vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përveç kësaj Shqipëria duhet të paraqesë një strategji për riatdhesimin e refugjatëve shqiptarë. Bosnjë-Hercegovia duhet të kujdeset që ligji nacional të funksionojë në të gjitha pjesët e vendit. Në verë komisioni i BE-së do të shqyrtojë edhe një herë arritjet, që të dyja këto vende kanë bërë në këto drejtime.

Komisioneri për zgjerimin e BE Stefan Fyle theksoi: se ky propozim për udhëtime pa viza është me rëndësi shumë të madhe për qytetarët e këtyre vendeve, sepse në këtë mënyrë ata afrohen me BE-në. Heqja e detyrimit për vizë do të kontribuojë që Evropa të konkretizohet si perspektivë. Ashtu si komisarja Malstrëm edhe unë besoj se autoritetet përkatëse në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë së shpejti do të plotësojnë kushtet, që nuk janë plotësuar akoma dhe do të kujdesen për zbatimin e rregullave", tha Fyle.

Komisioneri për zgjerimin e BE Stefan Fyle
Komisioneri për zgjerimin e BE Stefan FyleFotografi: AP

Dhjetorin e vitit të kaluar BE hoqi vizat për qytetarët e ish republikës jugosllave të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe Serbisë. Malstrëm theksoi, se duhet penguar që qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje- Hercegovinës të kërkojnë azil. Shumë persona me pasaportë serbe dhe maqedonase me origjinë shqiptare pas hapjes së fundit të kufirit janë përpjekur të kërkojnë azil në Suedi dhe Belgjikë.

Prandaj Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina duhet të pengojnë tani, që të mos shtrohen kërkesa për azil në shtetet e BE-së. Për Kosovën nuk ka akoma liri udhëtimi vizash, por Malmstrëm tha se do të zhvillohen bisedime intensive. Liria e vizave vlen për të 25 shtetet e BE (pa Britaninë e Madhe dhe Irlandën) si dhe vendet e zonës "Shengen" Islanda, Norvegjia dhe Zvicra.

Autor: dpa/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama