1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Komisioni Evropian i jep dritë të gjelbër anëtarësimit të Kroacisë

10 Qershori do të hyjë në historinë kroate si një ditë e rëndësishme. Komisioni Evropian rekomandoi përmbylljen e negociatave për anëtarësim në BE. Çfarë do të thotë për Kroacinë arritja e këtij qëllimi?

Pamje simbolike, flamujt e BE-së dhe Kroacisë

Pamje simbolike, flamujt e BE-së dhe Kroacisë

Kroacia pritet të jetë anëtari i 28-të i BE-së në korrik të vitit 2013. Ndërkohë negociatat për anëtarësim mes Kroacisë dhe Bashkimit Evropian filluan në tetor të vitit 2005. Edhe pse Kroacia kishte dëshirë që këto negociata të fillonin më herët ajo është dashur të presë "dritën jeshile" nga kryeprokurorja e atëhershme e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte. Vetëm kur ajo kishte konfirmuar se Kroacia plotësisht po bashkëpunonte me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi, negociatorët kroatë patën mundësi të fillojnë bisedimet në Bruksel.

Bashkëpunimi me Hagën kusht për integrimin

Në të njëjtën kohë janë pikërisht zhvillimet në Hagë dhe përreth saj ato, të cilat më së shumti kanë ndikuar në mbështetjen e qytetarëve kroatë dhënë këtyre negociatave. Në fakt Brukseli gjatë gjithë këtyre viteve kishte kërkuar hetime të pakushtëzuara dhe fillimin e procedurave ligjore kundër zyrtarëve dhe ushtarakëve të lartë kroatë, të cilët konsideroheshin si përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës prej vitit 1991 deri në vitin 1995.

Ante Gotovina, Hagë

Gjenerali kroat Ante Gotovina para Tribunalit të Hagës

Megjithatë gjatë gjithë kohës në Kroaci sundonte opinioni i përgjithshëm se ushtria fitimtare në fakt nuk duhet të dorëzonte heronjtë e saj në Tribunalin e Hagës, por kjo bëhej si lëshim ndaj Bashkimit Evropian. Kështu, ashtu siç pritej, mbështetja ndaj përpjekjeve për anëtarësim kishte rënë pas arrestimit dhe ekstradimit të gjeneralit Ante Gotovina, dhe pas marrjes së vendimit që Gotovina të dënohet me 24 vjet burg për krime kundër njerëzimit, shkelje të zakoneve të luftës dhe trajtime mizore të kryera gjatë luftës.

Entuziazmi i rënë për BE-në

Në qershor të vitit të kaluar mbështetja ishte 53 për qind pas marrjes së vendimit të lartpërmendur të Hagës në maj të këtij viti arriti vetëm 44,6 për qind. Një muaj më vonë, sipas agjencisë "Promovimi Plus", kurba e mbështetjes është ndalur në 50,7 për qind.

Mund të pritet që sondazhet e radhës të opinionit pubik do të nxjerrin në pah mbështetje edhe më të madhe, pasi ndërkohë Kroacinë e vizitoi edhe Papa Benedikti XVI. Me këtë rast ai tha se "është logjike, e drejtë dhe e nevojshme që Kroacia të hyjë në Bashkimin Evropian". Më shumë se 80 për qind e qytetarëve kroatë i përkasin besimit katolik, prandaj pritet që mesazhi i Papës të ndikojë fuqishëm në opinionin publik, edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për marketing e jo për një qasje demokratike ndaj problemit përmes një informimi cilësor të qytetarëve, mendon një pjesë e intelektualëve kroatë.

Papst zu Besuch in Kroatien

Papa vizitoi Kroacinë më 4 Qershor

Do humbasim detin? Frika e kroatëve nga BE

Mungesa e informacionit përmbajtësor dhe cilësor në vitet e fundit ka ndikuar në krijimin e një vargu paragjykimesh në lidhje me anëtarësimin në BE. Disa parti të vogla janë përpjekur por pa sukes që ta shfrytëzojnë këtë në fushatën e tyre elektorale. Në këtë mënyrë është thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes për pranim në BE, Kroacia do të humbasë të drejtën e shitjes së disa prodhimeve tradicionale dhe se ajo do të humbasë sovranitetin mbi territorin dhe detin e saj.

Nga ana tjetër një numër i madh i qytetarëve kroatë mendojnë se Kroacia e ka vendin në BE, së pari për shkak të shtrirjes së saj gjeografike dhe trashëgimisë kulturore dhe vetë hyrja në "Evropën e përparuar" duhet kuptuar si dëshmi e superioritetit ekonomik dhe kulturor ndaj shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë. Sigurisht që këtu përjashtohet Sllovenia, e cila në Kroaci shihet si "Austria e vogël", e për këtë arsye besohet që ajo ka arritur të bëhet anëtare më herët.

Shumë kroatë i tremben anëtarësimit: jeta do të bëhet më e shtrenjtë mendojnë ata

Shumë kroatë i tremben anëtarësimit: jeta do të bëhet më e shtrenjtë mendojnë ata

Qysh tani qytetarët më të varfër kroatë kanë frikë se me hyrjen në BE, jeta në Kroaci do të bëhet edhe më e shtrenjtë . Shpesh dëgjohet shprehja: "do të kemi çmime evropiane dhe paga kroate". Duhet të theksohet se paga mesatare neto në Kroaci, sipas Zyrës Qendrore të Statistikave, në muajin mars ishte pak më shumë se 730 €, ndërsa shkalla e papunësisë (përqindja e papunësisë në rapot me popullatën e përgjithshme) në prill ishte 18,2 për qind.

Por ka edhe anë pozitive...

Kur flitet për anët pozitive të anëtarësimit në BE, kroatët përmendin të drejtën e shfrytëzimit të fondeve të BE-së, investimet në zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e mundshme të konkurrencës dhe qarkullimin e lirë pa pasaporta. Pas hyrjes në BE Kroacia mund të përfitojë deri në 15 herë më shumë nga fondet e BE-së se sa është duke përfituar sot. Qysh në vitin 2013 ajo mund të marrë nga fondet e BE-së 1.6 miliardë euro.

Autor: Sinisha Bogdaniq /Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM