1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Europian dhe kthesa energjitike në Gjermani

Christoph Hasselbach / Lindita Arapi16 Korrik 2013

Gjermania e financon kthesën energjitike me një kontribut të posaçëm, të cilin nuk e paguajnë të gjithë. Përjashtimet ka gjasa të bien ndesh me të drejtën europiane për konkurrencën e ndershme.

https://p.dw.com/p/1983D
Fotografi: DW/G.Rueter

Synimi i Gjermanisë për të realizuar kthesën energjitike, kalimin nga energjia atomike dhe ajo fosile tek energjitë e rinovueshme është mjaft ambicioz. Aktualisht ai konsiderohet një ndër projektet më të mëdha që ka ndërmarrë ndonjëerë një vend me teknologji të lartë. Por për të financuar kthesën energjitike, klientët duhet të paguajnë një kontribut shtesë në faturën e rrymës elektrike, në bazë të ligjit gjerman (EEG) për energjitë e rinovueshme. Këtë kontribut nuk e paguajnë të gjithë. Firmat me uri të madhe energjitike si industria e çelikut, e çimentos apo ajo kimike nuk duhet të kenë disavantazhe përballë konkurrencës së huaj. Pikërisht për këtë arsye ato mund të shtrojnë një kërkesë për lirimin nga një detyrim i tillë.

Gjithnjë e më shpesh raste përjashtuese

Duket se ky rregull ka gjetur përdorues të shumtë. Numri i rasteve përjashtuese po rritet gjithnjë e më shumë, së fundmi janë numëruar 4.500 firma që kanë kërkuar mospagimin e kontributit shtesë për kthesën energjitike. Ndër të numëruarit nuk gjenden vetëm firma çeliku apo fabrika letre, por edhe sheshet e golfit, siç konfirmon Ministria Federale e Ekonomisë. Edhe rrjetet e metrove janë liruar pjesërisht nga ky detyrim, megjithëse nuk përballen me ndonjë rrezik të madh të konkurrencës së huaj. Pasoja e një rregulloreje të tillë: Ekonomitë shtëpiake dhe pjesa tjetër e firmave paguajnë fatura elektrike më të larta për të kompensuar ata që nuk paguajnë.

Disa parqe golfi kërkojnë të mos paguajnë kthesën energjitike në Gjermani
Disa parqe golfi kërkojnë të mos paguajnë kthesën energjitike në GjermaniFotografi: Fotolia/Igor Mojzes

Komisioni Europian po e vëzhgon tanimë me vëmendje kthesën energjitike në Gjermani. Madje ai nuk interesohet shumë për padrejtësinë sociale, por për çështjen e konkurrencës. Antoine Colombani, zëdhënës i komisionerit europian për konkurrencën, Joaquin Almunia konfirmoi të hënën (15.07.2013) se KE po kontrollon aktualisht "nëse këto masa janë një lloj asistence e shtetit konform marrëveshjeve, dhe po qe se është kështu a janë ato në përputhje me rregulloret e tjera të asistencës dhe klauzolat e marrëveshjeve.

KE kërkon të sqarojë nëse lirimi i plotë apo i pjesshëm nga detyrimi i kontributit shtesë është një lloj subvencioni shtetëror - në këtë rast KE duhet ta miratojë atë, por duhet të sqarohet nëse lirimi nga detyrimi i pagesës mund të shihet në vetvete si krijim i një avantazhi të padrejtë kundrejt konkurrencës. Revista gjermane "Der Spiegel" informon se KE do të ndalojë të gjitha përjashtimet nga kontributet e caktuara për rrymën ekologjiste, duke përfshirë këtu edhe industritë e mëdha, konsumatoret gjigande të energjisë, madje mund të kërkojë kthimin e parave në mënyrë regresive. Në rast se ky skenar bëhet realitet, atëherë shumat që do të derdhen do të kapin vlera milionash.

Eurodeputetja e Gjelbër Rebecca Harms
Eurodeputetja e Gjelbër Rebecca HarmsFotografi: DW/Z. Butyrskyi

Merkel përgatitet për reforma

Kancelarja gjermane Angela Merkel duket se është e përgatitur për përballje me Komisionin Europian. Në një intervistë për televizionin gjerman, ARD, ajo tha: "Edhe nga Brukseli vijnë kritika. Po bëhet e nevojshme reforma e ligjit të energjive të rinovueshme." Edhe komisioneri i BE-së për energjinë, Günther Oettinger dyshon në pajtueshmërinë e ligjit gjerman të energjive të rinovueshme me të drejtën europiane për konkurrencën. "Spiegel" citon Oettinger-in të ketë thënë se nuk shkon më që Gjermania të subvencionojë energjinë e erës që prodhon vetë, ndërkohë që Danimarka, e cila eksporton energjinë e erës në Gjermani përjashtohet nga ky subvencionim. Por nga Brukseli nuk priten vendime para pushimeve të verës.

Të Gjelbrit i tremben prishjes së imazhit të kthesës energjitike

Problematika nuk ka vetëm një dimension konkurrence, por edhe një dimension politik. Rebecca Harms, kryetarja e grupit parlamentar të të Gjelbërve në Parlamentin Europian shprehet: "Është shumë e qartë që rastet përjashtuese në ligjin gjerman të energjive të rinovueshme kanë dalë nga kontrolli. Por KE nuk duhet të hedhë bashkë me ujin e ndotur edhe të pastrin, dhe të vërë pikëpyetje mbi ligjin e energjive të rinovueshme. Të Gjelbrit i tremben dëmtimit të imazhit për kthesën energjitike në Gjermani.