1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Komisioneri i BE për anëtarësimin e Ukrainës

Si reagim ndaj krijimit të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Fyle ka folur për një anëtarësi të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë. A është ky momenti i përshtatshëm?

Bashkimi Evropian dhe Rusia janë në garë. Ndërkohë që Presidenti rus Vladimir Putin sapo ka themeluar Bashkimin Ekonomik Euroaziatik me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Stefan Fyle flet për anëtarësimin e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian. Në një intervistë me gazetën "Die Welt" ai tha: "Nëse e kemi seriozisht synimin për të transformuar vendet në Evropën Lindore, atëherë duhet të përdorim seriozisht edhe instrumentin më të rëndësishëm që kemi për ndryshimin: zgjerimin."

Nuk bëhet fjalë për një anëtarësim të shpejtë apo të menjëhershëm në BE, por për një perspektivë afatgjatë. Megjithatë deklarata e tij ka efektin e një pozicionimi kundër Rusisë, në një situatë ku Putini akuzon BE-në për synime ekspansioniste dhe njëkohësisht zgjeron zonën e tij të influencës. A është e zgjuar të flasësh tani për një anëtarësim të ish shteteve sovjetike?

Deklratat e Fyles "nuk ndihmojnë"

Shpresë për paqe - poster në Donetsk

Shpresë për paqe - poster në Donetsk

Po dhe jo, thotë eksperti për Evropën Lindore Hans-Henning Schröder. Për Ukrainën perspektiva e pranimit në BE mund të kishte efekt stabilizues brenda vendit. Rruga drejt normalizimit pas përmbysjes në shkurt nuk mund të bëhet megjithatë pa marrëveshje me Rusinë, për më tepër që ekonomia e Ukrainës është shumë e lidhur me atë të Rusisë. "Në këtë kontekst oferta për një integrim afatgjatë në BE nuk ndihmon", tha Schröderi në bisedë me Deutsche Welle-n.

I këtij mendimi është edhe eurodeputeti Elmar Brok, por për një arsye tjetër. Fyle ka të drejtë me konstatimin se zgjerimi i BE-së është mjeti më i suksesshëm politik për sigurimin e paqes. "Megjithatë një zgjerim mund të shkojë vetëm deri në kufirin ku garantohet kohezioni", thotë kryetari i Komisionit për politikë të jashtë në Parlamentin Evropian, në bisedë me DW. Ky kohezion sipas Brok është i rrezikuar në rast të shtimit të shpejtë të shteteve anëtare.

Edhe Brok-u nuk përjashton se dikur mund të ketë një anëtarësim në BE të tre shteteve, por paralajmëron ndaj dhënies së kësaj perspektive në këtë moment. Jo dhe aq për shkak të Rusisë se sa të vetë vendeve: kështu do të ngjalleshin shpresa të rreme, thotë ai. Fillimisht duhet të arrihen marrëveshjet e asociimit, dhe si hap të dytë ai sheh pranimin në hapësirën ekonomike evropiane.

Ukraina, Gjeorgjia dhe Republika Moldave të enjten (29.05.), me rastin e dhënies së çmimit të Karlit Presidentit të Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, shprehën dëshirën e tyre për më shumë afrim me BE-në. Veçanërisht qartë u shpreh kryeministri i Republikës së Moldavisë Iurie Leanca. Për vendin e tij integrimi evropian është çështje ekzistenciale, tha ai. Edhe kryeministri ukrainas Arseni Jazenjuk deklaroi interesin e tij për raport më të thellë me BE-në dhe lëvdoi para së gjithash faktin që në BE nuk ka ndryshime kufijsh.

Bashkimi ekonomik - një projekt gjeopolitik

Presidentët e Rusisë, Kazakistanit dhe Bjellorusisë - Putin, Nasarbajev dge Lukashenko

Presidentët e Rusisë, Kazakistanit dhe Bjellorusisë - Putin, Nasarbajev dge Lukashenko

Eksperti për Evropën Lindore Schröder mendon se pushtetmbajtësit aktualë në Rusi i perceptojnë si kërcënim deklarata si ato të Fyles dhe i instrumentalizojnë. Putini nuk ka arsye për të ndryshuar politikën e tij aktuale pasi në politikën e brendshme është i suksesshëm: "Para së gjithash pranimi i Krimesë në Federatën Ruse i ka sjellë një shtim të madh popullariteti në radhët e qytetarëve rusë."

Dhe Putini është duke e çimentuar influencën e tij në rajon. Këtu bën pjesë edhe Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, ku u bashkuan së fundi Rusia, Kazakistani dhe Bjellorusia. "Ekziston një rrjet i tërë organizatash rajonale me të cilat Rusia përpiqet të organizojë hapësirën post-sovjetike në mënyrë të tillë që Moska të ushtrojë atje influencë sa më të madhe", thotë Schröder.

Njolla e bardhë vazhdon të jetë Ukraina. "Përpjekjet për ta përfshirë Janukoviçin në bashkimin doganor, edhe me oferta relativisht bujare financiare, ishin një përpjekje për të siguruar këtë sferë interesash." Bashkimi Ekonomik Euroaziatik është "natyrisht një projekt gjeopolitik". Rusia zhvillon 50 për qind të tregtisë së jashtme me BE-në por vetëm 7 për qind me Kazakistanin dhe Bjellorusinë.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17673417,00.html