1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Komenti i të ftuarit: Jo hakmarrje ndaj Koresë së Veriut

Për të shpaguar vdekjen e një studenti amerikan në Korenë e Veriut, Amerika dhe Kina duhet të kujdesen që Kim Jong-un të nxirret para gjyqit, mendon Peter Sturm.

100 vjet të shkuara, kjo gjë do të qe zgjidhur shkurt dhe me dhimbje: fuqia e madhe do të kishte dërguar një anije me topa ose një njësi të madhe (ushtarake) para bregdetit të vendit të vogël rebel. Kjo njësi do ta kishte kthyer pastaj në gërmadhë një port ose një qendër tjetër të vendit dhe do ta kishte mbrojtur në këtë mënyrë "nderin" e fuqisë së madhe.

Për një "zgjidhje" të tillë, Presidenti Donald Trump vetëm mund të ëndërrojë në rastin e studentit Otto Warmbier, i cili vdiq pas një qendrimi në një burg të Koresë së Veriut. Le të shpresojmë që ai as të mos e ëndërrojë, që të bombardojë çfarëdo qoftë në Korenë e Veriut dhe ta kthejë atë në gërmadha. Nga njëra anë, për shkak të arsyeve parimore, nga ana tjetër edhe sepse Koreja e Veriut vazhdon të mbajë peng edhe tri amerikanë të tjerë. Trumpi do të rrezikonte pra drejtpërdrejt bashkëatdhetarët e tij, po të niste një fushatë hakmarrëse.

Sigurisht, që ajo që ndodhi me Warmbier-in në Korenë e Veriut është një fakt për t'u përndjekur penalisht. Bëhet fjalë të paktën për mosdhënie ndihme, por ndoshta edhe për goditje me pasojë vdekjen, ose edhe për vrasje me paramendim. Veçanërisht i rëndë bëhet ky rast, sepse gjoja krimi i Warmbier-it, edhe po ta shohësh me vullnetin më të keq, rezulton si një gjë e vogël. Se kush ose se çfarë bëri që studenti ra në koma dhe që vdiq pas disa ditësh, këtë e dinë vetëm autoritetet e Koresë së Veriut. Por përgjegjësinë politike e mban udhëheqësi i shtetit, Kim Jong-un. Ai i nxit varësit e tij në fund të fundit për vepra penale, duke folur çdo ditë kundër gjithçkaje të huaj. Prandaj dikur ai duhet të përgjigjet para Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve. Kjo njëherë për njëherë tingëllon utopike, por është e vetmja rrugë e duhur. Për ta arritur këtë objektiv, disa aktorë duhet të dalin nga vetja. Donald Trumpi nuk duhet ta ndjekë një instinkt - padyshim të kuptueshëm - për të kundërgoditur. Para së gjithash, Republika Popullore e Kinës duhet të pranojë se është në interesin e saj të drejtpërdrejtë që ta ndryshojë regjimin në Phenian. Askush nuk do ta besojë Pekinin se ai dëshiron të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e konflikteve, kur në zonën e drejtpërdrejtë të ndikimit të tij, krime të qarta i lë të kalojnë pa u ndëshkuar. Të gjithë të prekurit vetëm duhet të duan.