1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Komenti: Fenomeni Erdogan dhe opozita e dëshpëruar

Zgjedhjet lokale në Turqi kanë forcuar edhe më shumë pozitën e kryeministrit Erdogan. Kritikët e tij kanë dështuar për shkak të argumenteve monotone dhe strategjive të tyre, komenton Baha Güngör.

Zgjedhjet lokale të zhvilluar të dielën në mbarë Turqinë i sollën edhe njëherë AKP-së islamike-konservatore të kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan një rezultat ëndërrimtar. Ndërkohë kritikët dhe kundërshtarët e tij të dëshpëruar, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, po përpiqen të marrin veten pas rezultatit të papritur shokues. Partitë opozitare kanë dështuar në mungesë të argumenteve më të qarta dhe më bindëse, programeve dhe strategjive. Përpjekja për të formuar një front të bashkuar në disa rajone si një kundërpeshë ndaj AKP dështoi ende pa nisur mirë.

Si ndodhi kjo? A nuk u bën të njohura akuza të panumërta për korrupsion kundër Erdoganit duke përfshirë edhe rrethin e tij privat dhe gjithashtu kundër disa anëtarëve të qeverisë së tij? A nuk konsiderohej si më se e sigurtë që elektorati do ta dënojë atë me votën e tij për t'i dhënë një mësim të mirë? Si u bë që qendra të tilla si Stambolli dhe Ankaraja pavarësisht kundërkandidatëve shumë të fortë të fitohen sërish nga AKP-ja? Pyetje mbi pyetje që shtrohen tani pas katastrofës së frontit anti - AKP, pasi që Erdogan doli edhe më i fortë në këto zgjedhje me mbi 45 për qind të votave të fituara në mbarë vendin. Në zgjedhjet e kaluara lokale para pesë vitesh ai kishte fituar vetëm 39 për qind të tyre.

Hakmarrja e të paprivilegjuarve

Rezultati i zgjedhjeve është një dënim i partive të konsoliduara dhe shtresës së arsimuar për arrogancën e tyre kundrejt masave të shtypura dhe të shfrytëzuara për dekada me radhë në shtetin e Turqisë. Të punësuar si shërbëtor dhe duke jetuar në kushte çnjerëzore në blloqet e banimit në qytetet e mëdha, ata iu kanë hakmarrë zotërinjve të tyre njëjtë, sikundër edhe njerëzit e përçmuar tradicionalisht në pjesët rurale. Erdogani ka qenë në gjendje të kuptojë dhe t'iu japë këtyre njerëzve një burim të ri bindës të identifikimit, përkatësisht fenë në vend të vlerave kalimtare të kësaj bote. Kjo shtresë, e cila përbën një shumicë të konsiderueshme të popullsisë prej 77 milionë njerëzve e shohin Erdoganin si avokatin e tyre dhe për këtë arsye e shohin si të pranueshme akuzën për përfitime personale duke shpërdoruar detyrën.

CHP majtiste nacionaliste, e cila rriti pjesën e saj të votave me vetëm dy për qind në rreth 26 për qind nuk ka arritur të përfitojë në asnjë mënyrë nga bashkëpunimi me nacionalistët e krahut të djathtë dhe me kurdët. Përkundrazi, këto konstelacione të çuditshme anti Erdogan, të panjohura deri më tani, vetëm sa e kanë dëmtuar besueshmërinë e CHP-së kemaliste.

Evropa duhet të mbetet e durueshme

"Fjalimi në ballkon" i Erdoganit vonë të dielën në mbrëmje ishte larg nga fjalimet e zakonshme që bëhen pas fitimit të zgjedhjeve në Evropë. Përmes tyre fituesit e zgjedhjeve në Evropë përpiqen së pari për pajtim dhe pastaj të fitojnë simpatinë e popullit. Përkundrazi, ai foli me një gjuhë të rrezikshme për politikën e jashtme dhe sqaroi se Siria ndodhet në "luftë" kundër Turqisë. Këto janë tone shumë të rrezikshme për kryeministrin e një vendi të NATO-s, aleatët e të cilës nuk duan të përfshihen në një luftë civile në Siri. Predikuesi Fethullah Gylen gjithashtu është një nga humbësit më të rëndësishëm kundër Erdogan-it. Lëvizja e klerit, e cila vepron nga SHBA që nga viti 1999 është mbështetur me shpatulla për muri nga Erdogan si e gjithë pjesa tjetër e opozitës.

Në çfarë përfundimi duhet të arrijë Evropa në këto rrethana? Erdogan do të paraqitet më hulumtues se asnjëherë më parë në negociatat me BE-në dhe nuk do të hezitojë që të vendosë edhe në pikëpyetje ambiciet evropiane të vendit të tij. Megjithatë qeveritë e BE-së nuk duhet në asnjë mënyrë të lënë mënjanë Turqinë ose të anulojnë negociatat e pranimit. Evropa ka nevojë edhe më tutje për Turqinë si një partner të besueshëm ekonomik dhe bashkëpunimi ushtarak në një rajon të trazuar.