1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: zgjedhësit afganë i mashtrojnë

Dakordimi i dy kandidatëve ende pa u shpallur zyrtarisht fituesi i zgjedhjeve presidenciale e rrezikon demokracinë në Hindukush, mendon Florian Weigand.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Edhe kur mendon se je i përgatitur për çdo eventualitet, Afganistani arrin të të surprizojë edhe me një absurditet tjetër. Kujt ia kishte marrë mendja, që pas gjashtë muajsh procesi elektoral, me dy herë vajtje për të votuar, një verifikimi të komplikuar të votave dhe bisedave të pafundme, telefonatave dhe vizitave të papritura të politikanëve ndërkombëtare të rangut të lartë do të pasonte një rezultat si në një garë me vezë mbi lugë në një datëlindje fëmijësh? Ka vetëm fitimtarë, në mënyrë që askush të mos tërhiqet i fyer?

Ky është një akt i tillë i padëgjuar, sa vetë afganët fërkojnë sytë të pakënaqur. Pakënaqësia që derdhet në mediet sociale për elitën drejtuese të vendit është shumë e madhe. Shumica e komenteve janë të hidhura, të zhgënjyera dhe projektojnë një të ardhme të errët. Ka shumë që nuk shkruajnë më, fatalizmi është përhapur kudo. Sa e ndryshme ishte atmosfera vetëm pak muaj më parë: dy herë, në prill dhe në qershor afganët shkuan me vargje të pafundme, megjithë rrezikun për jetën, në kutitë e votimit. Pamje plot shpresë u shpërndanë nëpër botë. U duk se demokracia ishte e mundur në Hindukush. Në raundin e parë të zgjedhjeve, ai që printe ishte Abdullah Abdullah, në raundin e dytë me sa duket Ashraf Ghani.

Por kjo ngriti pikëpyetje, u dëgjuan kritika për mashtrim. Votat u numëruan edhe njëherë, nën vëzhgimin e OKB-së. Njëkohësisht, të dy kandidatët u përpoqën të bien dakord për një qeveri të "Unitetit Kombëtar". Deziluzionimi i parë për njerëzit. Pas shumë ec e jakesh, të dielën (21.09.) u nënshkrua një marrëveshje e parë.

Ideja për t'i mbrehur të dy kandidatët në një qeveri, duket vërtet një rrugëdalje solomonike nga qorrsokaku, në të cilin e ka futur veten vendi. Por për zhvillimin e demokracisë në Afganistan, kjo zgjidhje është fatale. Zgjedhësit fitojnë përshtypjen se votat e tyre nuk luajnë asnjë rol, kur elitat e vendit merresh sërish vesh me njëra-tjetrën, kush e qeveris vendin.

Të mos harrojmë: dakordimi u nënshkrua publikisht, ende pa u shpallur rezultatet zyrtare të zgjedhjeve. Në bazë të dakordimit, Ghani do të bëhet President, Abdullah ministër i parë. Edhe më keq: pak orë më vonë komisioni elektoral del në publik, e shpall Ghanin zyrtarisht President, por nuk bën të ditura as shifrat, as atë që i ka fituar vërtet zgjedhjet. Ky është një respektim i pashembullt i zgjedhësve dhe - më falni për shprehjen- një pervertim i demokracisë.

Pas këtyre përvojave me variantin afgan të mallit perëndimor të importuar të demokracisë nuk do të ishte e çuditshme, sikur njerëzit në Hindukush të preferonin forma të tjera qeverisjeje të vendit. Që tani talibanët po fitojnë mbështetje, duke e shfrytëzuar me shkathtësi vakumin e pushtetit, të krijuar nga procesi elektoral. Zhgënjimi për politikanët con ujë në mullirin e tyre.

Por ka shpresë. Me qeverinë e re mund të kryhen më në fund detyra urgjente: nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë me SHBA dhe ajo që është më e rëndësishmja, negociatat për premtimet për ndihma për vendin e përfshirë nga kriza. Por për këtë, të gjithë anëtarët e "Qeverisë së Unitetit Kombëtar" duhet të veprojnë me të vërtetë të bashkuar. Nëse kjo do të arrrihet për një kohë të gjatë, do të kishim një ndodhi vërtet unikale në historinë afganase. Por shanset për këtë janë jo të mira.