1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Zemra e ftohtë e Evropës

BE dëshiron ta zhvendosë në Turqi krizën e refugjatëve. Viktimat e para presin në Idomeni, mendon Bernd Riegert.

Në samitin e posaçëm të nivelit të lartë të BE të hënën, për shkak të vetos gjermane u debatua për orë të tëra për fjalinë në deklaratën përfundimtare, nëse është i mbyllur krejtësisht për refugjatët apo jo itinerari ballkanik. Kancelarja gjermane Merkel zbatoi vullnetin e saj dhe bëri që deklarata e skajshme të zbutet pak, sepse Merkel ëndërron ende për një zgjidhje evropiane. Vetëm 24 orë më vonë, anëtarët e BE, Slloveni dhe Kroaci krijuan sërish fakte dhe i mbyllën kufijtë e tyre zyrtarisht dhe krejtësisht. Nuk ka veprime të përbashkëta. Angela Merkel me sa duket e ka humbur edhe atë autoritet të fundit që i kishte mbetur në Evropë. A është kjo ende Evropa juaj, zonja Merkel?

Izolim dhe kthim pas është tani motoja, në bazë të tregtisë që po përvijohet me Turqinë. Kjo u bë e qartë edhe të hënën në Parlamentin Evropian. Këshilli i BE, si dhe Komisioni i BE dërguan vetëm zyrtarë të rangut të dytë. Zëvendësit përsëritën pa dëshirë fraza njëra pas tjetrës. Zhvendosja e problemit të refugjatëve në Turqi dhe përfundimi i ndërtimit të kështjellës Evropë u shit si "zgjidhje evropiane". Kjo është e hidhur. Është madje çnjerëzore, sepse njerëzit që kanë ngecur sot në Greqi para dyerve të mbyllur të Evropës as u përmendën në deklaratat zyrtare.

Largimi i syve nga katastrofa

Emri i qytetit kufitar Idomeni, i cili simbolizon tani mjerimin e refugjatëve, u përmend vetëm nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Majtë, Gabi Zimmer. Ajo kritikoi edhe tregtinë e pështirë të njerëzve dhe dëbimet masive, për të cilat do të bihet dakord midis BE dhe Turqisë. Greqia nuk është e aftë ose në gjendje që të kujdeset për tragjedinë akute njerëzore në kufirin e saj. Paratë që ka premtuar BE do të rrjedhin vetëm disa muaj më vonë, sepse më parë duhet të ndryshohen buxhetet. Një ndihmë e vërtetë emergjente nga BE nuk duket gjëkundi, megjithëse do të qe e mundur në bazë të marrëveshjeve të BE. Pse nuk e bën?

Komisari i Lartë i OKB-së për refugjatët, në fjalën e tij para Parlamentit të Stassburgut e akuzoi BE për shkelje të planifikuar të së drejtës dhe për sjellje jonjerëzore. Çfarë duhet të ndodhë që t'i vrasë ndërgjegjja kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE dhe të shteteve kandidate?

Çështje ndërgjegjeje?

Kushtet në Greqi janë shumë më të këqia se ishin kushtet në Hungari në shtator. Atëherë, kancalerja gjermane dhe kancelari austriak dëshmuan - duke vepruar të vetmuar - qëndrim human dhe i lejuan refugjatët që të hyjnë në vendet përkatëse. Prej kësaj tashmë nuk ka mbetur më asnjë gjurmë. Përkundrazi: pamjet e shëmtuara nga Idomeni të familjeve në baltë madje janë të dëshiruara, për të frikësuar migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët që mund të duan të vijnë. Tri javë pas mbylljes së kufirit, ushtria greke ende nuk është në gjendje të shpërndajë bukë dhe ujë?

Një zgjidhje e vërtetë nuk duket në horizont

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Nëse do të arrihet dakordimi për planin e lëkundur, që së bashku me Turqinë të çohet në zero migrimi i pakontrolluar në BE, sot është e pasigurtë. Për disa shtete, kërkesat e Turqisë janë shumë të mëdha, të tjera janë parimisht kundër rishpërndarjes së refugjatëve në BE. Çfarëdo të jetë ajo për të cilën do të bihet dakord në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të BE javën e ardhshme: njerëzit në Idomeni, të cilët thërrasin "mama Merkel"-in me fjalët e shkruar në kartonë, vendimet nuk do t'i ndihmojnë.

Edhe nëse do të ketë sukses kjo strategji izolimi, të gjithë që kuptojnë pak nga situata e kanë të qartë se refugjatët do të kërkojnë rrugë të reja. Dhe jo më nëpërmjet Egjeut, por përmes Bullgarisë ose Shqipërisë, Lampedusas ose Maltës. Vlerat humanitare dhe kristjane, të cilat i theksojnë me dëshirë politikanët evropianë në fjalimet e tyre të të dielave, humbasin krejtësisht këto ditë në debatin për mbrojtje nga refugjatët. Evropa tregon zemrën e saj të ftohtë.