1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Zbatojini ligjet ekzistuese jo t'i ashpërsoni ato

Që nga Nata e Vitit të Ri, kur shumë gjermane u ngacmuan seksualisht në Këln është ndezur debati për ligje më të ashpra në Gjermani. Johannes Beck mendon se drejtësia duhet të zbatojë me konsekuencë ligjet ekzistuese.

Ministra, deputetë gati të të gjitha partive, shumë analistë në mediat sociale janë të një mendimi: Shteti duhet të tregojë prezencë dhe ashpërsi, me qëllim që një gjë e tillë të mos përsëritet. Ashpërsia - për të gjithë gati nënkupton ligje më të ashpra. Por gati në të gjitha rastet mjaftojnë ligjet ekzistuese për të ndëshkuar më ashpër autorin e veprës penale në raste të veprave të përsëritura apo krimeve të rënda - kur bëhet fjalë për azilkërkues apo refugjatë - ata edhe mund të dëbohen.

Vetëm tek dhuna seksuale kodi penal tregon një mangësi të rëndë. Sepse sipas nenit 177 një përdhunim dënohet vetëm, kur viktima reagon për t'u mbrojtur apo kur autori kërcënon jetën e viktimës. Por kush nuk reziston në mënyrë aktive nga frika, duhet të llogarisë me atë që përdhunuesi të lirohet. Në këtë rast Gjermania duhet të vërë në zbatim me urgjencë "konventën e Stambollit" të Këshillit të Europës, me qëllim që në të ardhmen të gjitha veprimet seksuale pa leje të jenë të dënueshme. Ndryshe nuk ka nevojë për ligje të reja apo më të ashpra. Më shumë kërkohet ndryshimi i mentalitetit brenda drejtësisë gjermane, kjo në tre pika.

1. Të merret në konsideratë e gjithë hapësira ligjore

Shumë gjykatës në dekadat e fundit kanë vënë parësore risocializimin e autorëve të veprave penale, kështu shpesh ofrohen dënime më të buta se sa e parashikon vetë ligji. Një shembull i freskët: Në Gjykatën e Këlnit më 5 janar u dënuan dy marokenë 18 dhe 19 vjeçarë për veprën e vjedhjes me dinakëri vetëm me një javë arrest për të dy të rinjtë. Ndërkohë që ata prej vitesh bëjnë pjesë tek të ashtuquajturit "kërcimtarët" e Kölnit, ata djem që me kërcime agresive i hutojnë njerëzit që shkojnë në pube apo turistët për t'i vjedhur. Duket se nga kjo skenë "kërcimtarësh" vijnë edhe shumë djem të tjerë që në Natën e Vitit të Ri kryen ngacmimet seksuale.

Një veprim më i fortë i ligjit do të ishte i mundur. Sipas nenit 242 të kodit penal vjedhja mund të dënohet me heqje lirie deri në 5 vjet. Në raste të rënda si vjedhje e kthyer në zanat me përfitim deri në dhjetë vjet heqje lirie.

Për ngacmime seksuale, si prekja e pandershme e gjoksit apo pjesëve intime mund të jepen dënime nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Ndërkohë që një azilkërkues që merr dënimin e heqjes së lirisë me tre vjet pa kusht mund të dëbohet. Si rrjedhojë për të dëbuar bandat që keqpërdorin ligjin gjerman, e kanë zanat vjedhjen apo ngacmojnë femrat nuk ka nevojë të ndryshohet asnjë ligj ekzistues. Përjashtim bën këtu dëbimi në rajone lufte apo kur personi kërcënohet nga tortura. Këtë nuk e lejon konventa për të Drejtat e njeriut dhe konventa e Gjenevës.

2. Zbatimi i ligjit për minorenët si përjashtim jo si rregull

Të rinjtë nga mosha 18-21 vjeç në bazë të gjykimit të gjykatave në Gjermani mund të dënohen në bazë të kodit penal apo të ligjit për minorenët, po qe se personaliteti i tyre nuk është zhvilluar si duhet. Por gjykatësit gjermanë zbatojnë në shumicën e rasteve ligjin për minorenët tek 18-21 vjeçarët, edhe tek "kërcimtarët" e Këlnit. Por lejohet të shtrohet pyetja nëse 18 deri 21 vjeçarët në Gjermani vërtet janë aq papjekur sa nuk janë të vetëdijshëm për të kuptuar aktet që bëjnë.

Beck Johannes Kommentarbild App

Johannes Beck

3. Jo më lirime me kusht për vepra të përsëritura penale

Sipas nenit 56 të Kodit Penal ku përcaktohen kriteret për dënimin vetëm lirim me kusht thuhet qartë: Dënimet mund të kalojnë në lirime me kusht, kur pritet që autori i veprës penale si i paralajmëruar nga ky dënim të mos kryejë më vepra të tjera penale. Megjithkëtë gjykatësit gjermanë e kalojnë dënimin në lirim me kusht edhe tek autorë me vepra penale të përsëritura. Po qe se këta persona lihen të lirë me kusht, atëherë jo vetëm që nuk kemi më efekt frikësues të ligjit, por edhe një barrë më shumë për policinë. Kush përjeton se autorë të përsëritur veprash penale dalin duke u zgërdhirë nga salla e gjyqit, fillon e vret mendjen për vlerën që ka puna që bën.

Policia - e vetmja e shumëkritikuara

Deri më tani shumicën e kritikave për ngjarjet e shëmtuara në Këln e ka marrë policia. Por duhet thënë se policia është vetëm një hallkë e procesit penal - dhe përmes reduktimit të personelit në vitet e fundit pjesërisht shumë e dobësuar. Nëse duam t'i zgjidhim problemet e kriminalitetit për një kohë të gjatë, atëherë duhet që edhe prokuroria dhe gjykatat të japin kontributin e tyre.

Sepse ndoshta shumë autorë krimesh përmes një interpretimi shumë të butë të ligjit ekzistues, ndjehen të inkurajuar për vepra të reja. Kjo nuk vlen vetëm për bandat afrikano-veriore të hajdutëve, por edhe keqbërës nga skena e ekstremistëve të djathtë, të cilët po ashtu trajtohen me një butësi të habitshme ligjore. Kështu njëri nga huliganët që shkaktuan trazirat në tetor 2014 në stacionin e Këlnit në demonstratën e "Hogesa"-s, mori dënimin e lirimit me kusht, megjithë një regjistër prej dhjetë veprash penale të mëparshme. Ky vendim u dha po në Gjykatën e Këlnit.

Ju mund të jepni mendimin Tuaj poshtë këtij komenti. Ne e mirëpresim shprehjen e opinionit Tuaj!