1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: "Vetëm një hap i parë!"

Dragoslav Dedović20 Prill 2013

14 vjet pas përfundimit të luftës Kosova dhe Serbia kanë rënë në ujdi. Ato duan të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre. Por marrëveshja e cilësuar si historike mund të jetë vetëm një hap i parë, mendon Dragoslav Dedović.

https://p.dw.com/p/18Jhc

„Kosova“ është fjala më e shtrenjtë serbe, shkruante një poet serb me frymëzim nacionalist në vitin 1989. Ai shprehte atë që mendojnë shumica e serbëve deri sot: Kosova nuk vetëm një copë tokë çfarëdo, por definicion që përmbledh të gjitha shpresat dhe frustracionet serbe përgjatë historisë, një lloj Jeruzalemi serb. "Kosova serbe" është pjesë e teksteve të historisë, edukimit dhe diskutimit politik populist.

Kosova reale ku 90 për qind e popullsisë flasin shqip dhe miti nacionalist i ndërtuar në shekuj, gjatë dekadave të fundit, ishin aq larg njëri-tjetrit sa në Beograd herët ose vonë duhej të merrej një vendim: ose duhej hequr dorë nga përkufizimi mistik i Kosovës, ose nga realiteti politik. Elita dikur radikalo-nacionaliste e Beogradit, e detyruar nga aktualiteti politik evropian, vendosi për një qendrim realist.

Ky ndryshim i qendrimit në politikën serbe nuk erdhi nga hiçi. Gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 pati dëbime masive të popullsisë shqiptare nga milicët serbë. Pasi NATO detyroi trupat serbe të largoheshin nga Kosova guerilasit shqiptarë dëbuan një pjesë të madhe të popullsisë serbe dhe shumë banorë joshqiptarë. Serbia humbi praktikisht kontrollin mbi Kosovën me përjashtim të një rripi toke në veri të vendit. Një integrim i shqiptarëve të Kosovës në sistemin politik serb nuk mendohej më.

Serbët me orientim politik nacionalist, që përsërisnin vazhdimisht se Kosova ishte serbe, çka prej vitit 2008 është e sanksionuar edhe në kushtetutën serbe, nuk kishin asnjë përgjigje për një pyetje të thjeshtë: a mund ta përfytyronin një luftëtar shqiptar si Thaçi apo Haradinaj si ministër të Mbrojtjes të Serbisë? Nëse i përgjigjeshin me 'jo' mohojnë pjesëmarrjen politike të shqiptarëve të Kosovës në shtetin serb dhe japin argumente për ndarjen. Nëse thonë 'po' duhet t'ia besojnë mbrojtjen e tyre njërit prej armiqve të urryer të luftës.

Këtë e di edhe Ivica Daçiç, ish zëdhënës shtypi i autokratit serb Millosheviç ishte atëherë i riu . Tani në postin e kryeministrit të Serbisë ai arriti "marrëveshjen historike" me ish armikun e luftës, tani kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçin. Ky është, ndoshta, një lajm i mirë.

Njoftimet për marrëveshjen e arritur sigurisht bëjnë pjesë në radhën e ekzagjerimeve të zakonshme mediale. Kjo "ditë historike" parë me gjakftohtësi është vetëm një hap i parë në rrugën për një zgjidhje të mundshme të konfliktit. Mosbesimi mes palëve në jetën e përditshme është shumë i madh. E lidhur me zinxhirët e korrupsionit dhe e frustuar në ndjenjën kombëtare, Serbia vazhdon të jetë një kandidat i dobët në rrugën drejt BE-së. Kosova, me ekonominë informale kriminale dhe klanet familjare, si qendrat e vërteta të pushtetit, pas fasadës së demokracisë, mbetet shtëpia e varfër e Evropës.

Në raportin mes Prishtinës dhe Beogradit aktualisht mund të ndreqen disa gjëra nga lart poshtë si dhe mund të pengohen shpërthimet e dhunës së rëndë, nëse qeveritë mbajnë nën kontroll radikalët respektivë. Beogradi duhet të qetësojë serbët e Kosovës, dhe Prishtina e ka pas qafe opozitën nacionaliste. Edhe nëse kapërcehen vështirësitë e para, paqja e qendrueshme nuk është e garantuar. Nëse nuk bëhen investime serioze në ekonomi dhe në infrastrukturë, nëse nuk tregohet guxim,nga të dyja palët, për pajtim të vërtetë, duke guxuar të thuhet e vërteta, bota shqiptare dhe ajo serbe në Kosovë do të vazhdojnë të jenë dy planete që rrotullohen rreth njëri-tjetrit , por krejtësisht të ndarë.

Dragoslav Dedović, kryeredaktor i redaksisë serbe pranë DW
Dragoslav Dedović, kryeredaktor i redaksisë serbe pranë DWFotografi: DW/N Rujevic

Për shumë serbë nga Kosova, Beogradi vazhdon të jetë kryeqyteti i tyre. Ata ende mendojnë se fqinjët shqiptarë synojnë të largojnë gjithçka serbe nga Kosova. Për shumë shqiptarë të Kosovës bashkëqytetarët serbë mbeten vetëm përfaqësues tashmë të pafuqishëm të regjimit të dikurshëm serb. Kjo valle nacionaliste mund të vazhdojë edhe për ca kohë, siç kemi parë në Irlandën e Veriut apo në Izrael e Palestinë pas marërveshjeve përkatëse, të cilësuara gjithashtu historike.