1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Vera e vjetër e Putinit në shishe të reja

Pak gjëra të reja kishte në fjalimin vjetor të Presidentit Vladimir Putin rreth situatës në Rusi dhe në botë, mendon Ingo Mannteufel.

Për atë që e do Rusinë dhe rusët, fjalimet e presidentit Vladimir Putin për gjendjen e kombit janë prej kohësh mjaltë e sheqer për veshët - edhe kësaj here: ai e di si ta përshkruaj me fjalë melodioze imazhin e një Rusie të mirë, të fortë e të bashkuar, ku shteti u jep qytetarëve lirinë e zhvillimit ekonomik, duke u kujdesur për të varfërit dhe të dobëtit dhe duke zbatuar hapat e nevojshme për të riindustrializimin e vendit sipas planit. Putini është mbërthyer fort në rolin e carit të mirë, kur shpall lehtësime burokratike për biznesin e vogël, amnisti fiskale, shifra të ulëta inflacioni, investime në infrastrukturë, parqe industriale dhe programe bursash për studentët. Lista e veprave të mira që planifikon ai, si dhe lista e urdhërave dhe e ligjeve ishte e gjatë edhe në fjalimin e tanishëm për gjendjen e kombit.

Ingo Mannteufel

Ingo Mannteufel

Madje edhe për botën e jashtme presidenti rus gjeti përballë krizës në Ukrainë dhe dallimeve të forta me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian fjalë relativisht të buta. Ai përsëriti në fjalimin e tij këndvështrimin e bërë tashmi kanonik në Rusi mbi krizën Krimesë dhe të Ukrainës. Por fjala e tij nuk ishte konfrontuese dhe e drejtuar kundër Perëndimit ose Ukrainës. Në të kundërtën. Putini theksoi se Ukraina ka të drejtën e zhvillimit të mëvetësishëm dhe se Rusia do të mbetet e hapur për bashkëpunim me vendet e tjera - veçanërisht në aspektin ekonomik. Edhe në këtë pikë si car i mirë.

Nuk vlejnë fjalët por veprat

Por fjalët e bukura të Putinit në lidhje me Rusinë e sotme dhe të ardhshme janë vetëm verë e vjetër në shishe të reja. Prej vitesh Presidenti Putin premton reforma liberale-teknokratike dhe investime në riindustrializimin e Rusisë. Në fushatën e tij të fundit elektorale të vitit 2012 ai shpalli madje dhe krijimin e 25 milionë vendeve të reja pune me produktivitet të lartë të deri në vitin 2020. Por rezultate të dukshme nuk ka. Shpesh investimet shtetërore zhduken prej korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Putin dëshiron vërtetë prej vitesh që t'u kundërvihet këtyre fenomeneve me forcën e organeve të sigurimit, por ajo që është interesante, është se fjala "shtet ligjor" nuk u shfaq as edhe një herë të vetme në fjalimin e tanishëm të Putinit.

Asgjë të re nuk ka padu as në lidhje me objektivin e Putin për të sjellë përsëri në Rusi kapitalin rus të trasnferuar jashtë vendit - kryesisht nga parajsat e taksave. Por ai tani premtoi një amnisti të përgjithshme. Edhe në fjalimin e tij për gjendjen e kombit në vitin 2012 Putin u shpreh me forcë për këtë çështje dhe krijoi termin "de-offshorizimi" i ekonomisë ruse. Por realiteti është ndryshe: Ministri rus i Financave tha pak ditë më parë se rrjedhjet e kapitalit nga Rusia në vitin 2014 do të jetë rreth 129 deri 130 milionë dollarë amerikanë, që do të thotë një dyfishim krahasuar me vitin 2013. Pra në asnjë mënyrë Rusia nuk po ia dal mbanë që në vend të investitorëve të huaj të kthejë në vend kapitalin rus në mënyrë që të modernizojë ekonominë ruse.

Le të vazhdojmë

Fjalimi i Putinit mbi gjendjen e kombit është për këtë arsye, pavarësisht premtimeve bujare, asgjë më shumë se një "biznes si zakonisht". Ai ishte fjalimi i një politikani i cili e sheh veten në rrugën e duhur dhe i kërkon elitës ta mbështesë. Por nëse me këtë recetë do të jetë e mundur të përballohen sfidat ekonomike, sociale dhe politike të Rusisë, është shumë e diskutueshme.

Çmimi i naftës ka rënë muajt e fundit ndjeshëm, gjë që ka ndikim të dukshëm negativ ndaj të ardhurave të shtetit, kursit të këmbimit të rublës dhe fuqinë blerëse të popullsisë. Sanksionet e Perëndimit - për shkak të politikës ruse ndaj Ukrainës - e përforcojnë këtë efekt negativ për ekonominë ruse. Se si mund të ulet nën këto kushte inflacioni nën katër për qind ndërkohë që norma e e PBB-së të arrijë njëkohësisht vlera mbi mesataren globale, është një enigmë. Prandaj fjalimi i Putinit tregon qartë se modeli politiko-ekonomik në Rusi ka arritur në limit. Vendin dhe qytetarët i presin kohë të vështira. E hidhur kjo për ata që e duan Rusinë dhe rusët - pavarësisht fjalëve të bukura të Putin.