1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Ukraina në prag të luftës civile

Gjendja në Ukrainë po shkallëzohet, me pasoja të këqia - edhe për Rusinë dhe Evropën. Të gjitha palët bëjnë shumë pak për ta penguar këtë, para së gjithash Moska, mendon Bernd Johann.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Në Ukrainë kërcënon një zjarr i përmasave të mëdha me pasoja të frikshme. Një luftë civile në këtë vend do ta ndante Evropën në dy blloqe, të cilat politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht do të ndodheshin në konfrontim me njëra-tjetrën. Ukraina do të zhytej në kaos dhe dhunë. Do të ndodhte një katastrofë humanitare.

Qindra mijëra vetë do të merrnin arratinë nga një luftë civile. Një Siri të tillë evropiane nuk mund ta dojë askush, as separatistët në Donetsk dhe as qeveria në Kiev. Edhe për Moskën dhe Brukselin një skenar i tillë do të ishte një ëndërr e keqe. Veçanërisht shtetet fqinjë - Rusia, Polonia dhe shtete të tjera në kufi me BE - do të konfrontoheshin me vuajtjen e njerëzve. Ato do të qenë të detyruara të ndihmonin me ushqime, medikamente dhe strehime emergjente.

Forca militante duan të ndezin një luftë

Ky skenar nuk duhet të bëhet patjetër realitet. Por po bëhet gjithnjë e më i vështirë pengimi i shpërbërjes së Ukrainës. Aq më tepër kur ky proces nuk nxitet vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë, nga Rusia. Ukraina dhe rusët janë një popull, pohon shefi i Kremlinit, Vladimir Putin në një retorikën e tij nacionaliste. Në të vërtetë ai fut një pykë midis njerëzve, në një kohë kur ekstremistët militantë me mbështetje nga Moska po punojnë që të ndezin një luftë.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe veprimet e dhunshme të grupimeve proruse në Lindje dhe me Odesën ndërkohë edhe në jug të Ukrainës brenda pak javësh e kanë ndryshuar krejtësisht bashkëjetesën e njerëzve në Ukrainë. Qyteti port Odesa në Detin e Zi ka qenë gjithmonë një metropol multikulturor dhe i hapur ndaj botës. Tani është një vatër paqetësie. Në Donetsk, rusët dhe ukrainasit kanë ndërtuar me punë të përbashkët qytetin më të rëndësishëm industrial të Ukrainës. Kurse tani duket se puna e disa brezave do të shkatërrohet.

Zemërim dhe urrejtje në vend të dialogut dhe kompromisit

Zemërimi dhe urrejtja përcaktojnë gjithnjë e më tepër veprimet e të dyja palëve. Ku janë politikanët e matur që kërkojnë dialogun me njëri-tjetrin? Qeveria në Kiev duhet të përpiqet më fort se deri tani për një dialog me njerëzit në Lindje. Ajo ka të drejtë të veprojë kundër militantëve separatistë, që fshihen në godina dhe që marrin njerëz peng. Por ajo duhet të vërë edhe koncepte politike në tryezë, të cilat mund ta bashkonin vendin. Këtu bën pjesë edhe debati për një federalizim dhe për më shumë autonomi për rajonet e veçanta të Ukrainës.

Edhe politikanët dhe sipërmarrësit nga Lindja e Ukrainës duhet të bëjnë më tepër. Ata kanë luajtur gjithmonë një rol të madh politik në Ukrainë. Tani, këta njerëz të pushtetshëm vetëm vështrojnë se si shpërbëhet vendi.

Rusia mund ta pengojë luftën civile

Dhe së fundi Kremlini: nëse Kremlini është i interesuar për një zgjidhje politike në Ukrainë, siç pohon, atëherë ai duhet t'i bëjë forcat proruse që të ulen në një tryezë negociatash me Kievin. Në vend të kësaj, Kremlini ndjek edhe më tej një fushatë kundër qeverisë në Kiev. Ai nxit trazira, me synimin që t'i pengojë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë më 25 maj, sepse nuk do demokraci dhe reforma në Ukrainë.

BE, Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe madje Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po ndihmojnë ndërkohë. Nëse edhe Rusia është e interesuar ta pengojë një luftë civile, atëherë ajo duhet të bashkohet me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare.

Bernd Johann është Drejtues i Redaksisë Ukrainase të Deutsche Welle-s.

LINK: http://ëw.dw.de/dw/article/0,,17615154,00.html