1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Ukraina ka nevojë për një fillim të ri

Bernd Johann23 Shkurt 2014

Në Ukrainë u rrëzua një regjim autoritar. Kjo nuk duhet të çojë në përçarjen e vendit. Nevojitet një fillim i ri me të gjitha forcat politike, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1BE2V

Papritmas ngjarjet rrjedhin me shpejtësi. Parlamenti në Ukrainë shkarkon presidentin Viktor Janukoviç. Në maj do të zgjidhet presidenti i ri. Edhe një lajm i mirë nga Kievi, politikania opozitare, ish kryeministrja Julia Timoshenko është liruar. Në Ukrainë ngjarjet pasojnë me shpejtësi njëra-tjetrën dhe janë zhvillime historike. Një revolucion demokratik po ndodh në Europë. Populli përmbys një regjim autoritar dhe të korruptuar, që e e ka trajtuar si pronë private vendin dhe pasuritë e tij. Kur populli u mbrojt kundër kësaj, regjimi dha në fund urdhër të qëllojë mbi ta.

Pas gjakderdhjes të ditëve të fundit dhe skenave si të një lufte civile zgjidhja politike e konfliktit tani është e mundur. Krahas parlamentit një qeveri kalimtare duhet të organizojë procesin e vështirë të riorganizimit politik. Qeveria e re duhet të formohet sa më parë. Në të duhet të përfshihen mundësisht të gjitha forcat politike, edhe nga radhët e mbështetësve të mëparshëm të Janukoviçit. Sepse përndryshe konflikti, që ndau të gjithë Ukrainën, mund të përshkallëzohet përsëri. Dhe nuk mund të përjashtohet, që vendi pastaj të ndahet në dy pjesë.

Rezistencë nga lindja

Kryeqyteti Kiev, qendra dhe Perëndimi i vendit, janë në duart e opozitës. Edhe forcat e sigurisë duket se mbështesin pushtetin e ri. Por në Lindjen dhe jugun shumë të populluar të Ukrainës ka rezistencë të madhe. Këtu e kishte bazën e pushtetit presidenti i deritanishëm. Guvernatorët e qeverive lokale dyshojnë në legjitimitetin e vendimeve të parlamentit në Kiev. Flitet për një grusht shteti dhe rrëzim të pushtetit në Kiev. Kjo mund të shkaktojë irritacione politike dhe të sjellë një radikalizim të ri të konfrontimit politik.

Mbi të gjitha sepse në Lindje ndikimi i Rusisë është i madh. Moska flet për kërcënim të rendit kushtetues nga ekstremistët, duke bërë të qartë se i refuzon ndryshimet në Ukrainë. Rusia vazhdon të ndjekë interesat e veta në Ukrainë. Ajo mbështeste regjimin e Janukoviçit. Do të ishte naive, të mendoje që Kremlini në të ardhmen do të qëndrojë larg politikës së brendshme ukrainase.

Ditët e Janukoviçit në politikë me siguri që janë të numëruara. Por ai nuk do ta pranojë humbjen e pushtetit. Politikisht ai është krejtësisht i diskretituar. Ai mban përgjegjësinë për krimet ndaj popullit të tij. Për këtë arsye shumë deputetë nga partia e tij e Rajoneve kanë votuar për largimin e tij dhe për caktimin e zgjedhjeve të reja. Kjo është një shenjë e mirë.

Megjithatë mbetet të shihet, se si do të reagojë në përgjithësi partia e Janukoviçit ndaj ngjarjeve në Kiev. Ekziston rreziku që politikanët radikalë në radhët e saj të vazhdojnë të nxisin njerëzit kundër lëvizjes demokratike në Kiev. Kundërshti mund të shkaktojë Julia Timoshenko. Ajo ka bërë ndërkohë të ditur se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale. Ndër udhëheqësit e deritanishëm të opozitës, ajo është ndoshta ende politikania më e preferuar. Por ajo shkakton vazhdimisht ndarje politike. Me aq pasion sa e mbështesin disa, me aq forcë e refuzojnë të tjerë ukrainas deri tani.

Ukraina tani ka nevojë në radhë të parë për dialog. Nevojitet një fillim i ri. Opozita, e cila ka marrë tani pushtetin në Ukrainë, duhet të dëshmojë se hapat e bërë do të çojnë edhe në një pajtim kombëtar. Vetëm atëherë mund të arrihet transformimi demokratik. Mbetet të shpresohet, që edhe politikanët nga Lindja e Ukrainës, që deri tani kanë mbështetur Janukoviçin, të jenë të gatshëm për një fillim të ri.