1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Uashingtoni bllokon? Pyesni Snowden-in!

Edward Snowden, zbuluesi i praktikave të spiunazhit të NSA-së dëshiron të flasë me autoritetet gjermane. Një rast për Gjermaninë, që të demonstrojë sovranitetin e saj, mendon Volker Wagener.

Çfarë goditje e papritur dhe e fuqishme! Politikani i famshëm i Gjelbër, Hans-Christian Ströbele sjell lëvizje në aferën e përbotshme të NSA-së. Mesazhi që sjell ai nga Moska është: ish- bashkëpunëtori i shërbimit të fshehtë amerikan, Edward Snowden mund të pyetet në kryeqytetin rus nga një komision hetimor i Bundestagut, i cili pritet të ngrihet. Snowdeni është i gatshëm për këtë. Ströbele, ish-avokati, i kritikuar shpesh për qendrimet e tij të majta, shihet si person me integritet moral në të gjitha kampet politike. Me vizitën e tij të papritur në Moskë ai i dha zemërimit aktual për sjelljet e NSA-së në Gjermani një perspektivë të mundshme. Ky mund të jetë fillimi i një inisiative sqaruese, me fillesë tek Bundestagu, te qeveria gjermane dhe te prokuroria e përgjithshme, duke qenë në këtë mënyrë në të njëjtën linjë me shtetet e tjera, të cilat ndihen të mashtruara nga përgjimet e NSA. Marrja në pyetje drejtpërdrejt e Snowdenit mund të ofrojë përgjigje për pyetje, të cilat deri tani nuk janë komentuar fare nga Uashingtoni ose që thjesht janë mohuar.

Pa "po"-në e Moskës nuk bëhet asgjë

Problemi: Moska duhet të bjerë dakord me një dakordim të tillë. 30 vjeçari Snowden ndodhet në emigrimin e tij të zgjedhur jo kaq në mënyrë të pavarur në Rusi, që paraqet vetëm një gjendje provizore deri verën e ardhshme. Autoritetet e SHBA vërtet që aktualisht nuk mund ta kapin atë, tradhtarin e sekreteve. Megjithatë rusët i ofrojnë atij vetëm një siguri të përkohshme - dhe këtë me kushte. Zbulime të tjera ai nuk lejohet të përhapë më që nga toka ruse. Për të jetuar nuk mjafton, për të vdekur tepron. Putini ka interesat e veta në këtë aferë të përbotshme. Ai nuk do ta rëndojë pa qenë në hall, edhe më tepër, raportin e vështirë midis Moskës dhe Uashingtonit. Por gjasat janë që bartësi i sekreteve, Snowden nuk është kaq i padëshiruar për Putinin. Letra e Snowdenit, e cila i përcillet tani qeverisë gjermane, Bundestagut dhe Prokurorisë së Përgjithshme e bën të qartë: informanti kërkon me këtë lëvizje të çlirohet. Një shans për Berlinin.

Një shans për emancipim

Të tjerë i kanë lënë pas vetes ankesat për spiunazhin e SHBA dhe përpiqen t'i zgjidhin vetë punët. Brazili po përgatitet të ngrejë krye kundër hegjemonisë së SHBA në internet. Me vepra. Koncerni i SHBA, Google synohet të detyrohet që të dhënat për klientët brazilianë t'i memorizojë vetëm në qendra të dhënash në tokën braziliane. Në këtë mënyrë do të jenë në përdorim ligjet braziliane. Edhe kabllot nënujore do të shtrihen nga e para, me qëllim që lidhjet e internetit të kalojnë sa më pak nëpër SHBA. Dhe koncerni Microsoft nuk lejohet më që programin e tij të emailit Outlook t'ua ofrojë autoriteteve braziliane. Reagime konkrete ndaj spiunazhit konkret.

Gjermania do të bënte mirë ta shfrytëzonte korridorin e komunikimit të hapur nga Hans-Christian Ströbele për të nxjerrë në dritë detaje për qasjen e miqve tanë amerikanë në të dhënat tona private, politike dhe të institucioneve. Përtej masave shumë praktike për sigurinë në të ardhmen, ky do të ishte një shans për emancipim nga "vëllai i madh", të cilin e kemi shoqëruar shumë gjatë me një qëndrim naiv jokritik. Në vend që t'i shpenzojmë energjitë tona në vizione të së ardhmes, si në një marrëveshje no-spy, më parë duhet të zbulohet krejtësisht zelli i tepruar për përgjim, ende i pasqaruar plotësisht, i NSA-së.