1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: TTIP jo me çdo kusht

Pak transparencë, gjykata arbitrazhi private, ushqime të manipuluara gjenetikisht për Evropën - Marrëveshja e Tregtisë së Lirë TTIP ndodhet në udhëkryq. Por Evropa nuk duhet t'i braktisë standardet, mendon Jens Thurau

Ideja në thelb nuk është e keqe: Shtetet e Bashkuara (320 milionë banorë) bien dakord me Bashkimin Evropian (510 milionë banorë) për standarde të përbashkëta në tregti. Me të drejtë, para së gjithash Kancelarja gjermane thekson herë pas here: në një botë multipolare, në të cilën Azia, para së gjithash Kina dhe Amerika e Jugut fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi, nuk do të ishte gabim sikur e ashtuquajtura botë e vjetër të ishte sa më shumë e të njëjtit mendim. Që prej fillimit ishte një ide e shprehur qartë që Marrëveshja e Tregtisë së Lirë TTIP duhet të ushtrojë ndikim përtej SHBA-së dhe BE-së: mundësisht në kuptimin e vlerave të liberalizmit dhe demokracisë për të gjithë botën, e cila e ka shumë të vështirë që të bjerë dakord për rregulla në Organizatën e Tregtisë Botërore, WTO.

Vërtet rregulla më të mira për të gjithë?

Po a mund të thuhet kjo për TTIP? A është në gjendje ajo që të krijojë rregulla më të qarta, më të mira për të gjithë? Sikur nuk duket kështu. Evropa ka standarde të larta, para së gjithash në produktet kimike. Ushqimet janë të pamanipuluara gjenetikisht, edhe ushqimi për kafshët. Por SHBA kërkojnë që t'i eksportojnë më lehtë produktet e tyre - dhe në sektorin agrar kemi të bëjmë në radhë të parë me produkte të manipuluara gjenetikisht, tregu i brendshëm ka kohë që u duket shumë i vogël fermerëve të SHBA. Dhe SHBA ofrojnë që në këmbim të hapin më shumë tregun e tyre për automjete me shumë kuaj fuqi evropiane e kryesisht gjermane.

Që kjo është pak a shumë marrëveshja që diskutohet, këtë e kemi dëgjuar prej kohësh, shumë më përpara publikimeve aktuale të Greenpeace. Por e kemi dëgjuar rrallë nga negociatorët dhe jo të zezë mbi të bardhë. Pse jo? Çfarë kuptimi ka mbajtja sekret? Një marrëveshje e përmasave të tilla ose është transparente, që në fillesë të saj, ose ushqen që në krye dyshimin, se këtu duan të krijojnë rregulla më të mira loje për koncerne të mëdha, multinacionale. Ky dëm tashmë është shkaktuar dhe ai vetëm ushqehet më tej me dokumentet e Greenpeace, të cilat tregojnë se SHBA këmbëngul me kokëfortësi për gjykata arbitrazhi private, para të cilave koncernet mund të padisin shtetet jo bashkëpunuese. Me të drejtën evropiane kjo vështirë se pajtohet.

Jens Thurau

Jens Thurau

Respektim i parimeve evropiane?

Dhe këtu bën pak dobi, që qeveria gjermane, me në krye ministrin e Bujqësisë të Gjermanisë, Christian Schmidt jep siguri se u përmbahet parimeve evropiane dhe se do të pengohet importi i ushqimeve të manipuluara ose të trajtuara gjenetikisht. Sepse është fare e dukshme se interesi kryesor i palës amerikane është pikërisht në këtë drejtim.

Një pjesë e konsiderueshme e zhgënjimit nga politika në Gjermani, por edhe në vende të tjera në Evropë ka të bëjë me ndjesinë se politika nuk është më në gjendje t'u vërë përballë rregullave dëshirat që shtohen te koncerne të mëdha. Është e vërtetë: TTIP nuk është vendosur, negociatat janë zhvilluar vetëm për gjysmën e saj. Por tani kërkohet transparencë. Dhe Evropa nuk duhet t'i sakrifikojë parimet e saj. Po dështoi për shkak të këtyre parimeve TTIP, le të dështojë.

DW.COM