1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Tronditja është e pamasë

Rrallë e kanë ndjekur kaq shumë njerëz rrjedhën e lajmeve, si në rrëzimin e avionit të Germanwings në Francën e Jugut. Ky lajm na prek të gjithëve kaq shumë, sepse me atë avion mund të kishte udhëtuar secili nga ne.

Fluturimi me avion ndërkohë është bërë diçka e vetëkuptueshme për shumë evropianë. Para shumë vitesh, fluturimi me avion shoqërohej me pamjen e një luksi. Por sot nuk duhet të bësh pjesë në ata që fitojnë shumë para, për të udhëtuar me avion për në pushimet verore. Dhe nuk duhet të jesh menaxher i fuqishëm, për të shkuar me avion në takime brenda dhe jashtë vendit. Fluturimi me avion është bërë prej kohësh pjesë e jetës sonë normale, e përditshmërisë sonë.

Evropa është rajoni më i sigurtë për fluturime në botë

Pikërisht për këtë shkak të trondit kaq shumë lajmi për rrëzimin e avionit të Germanwings-it në mes të Evropës. Një katastrofë ajrore këtu në mes të Evropës? Avioni i një shoqërie gjermane fluturimi? Nga kjo mund ta kishte pësuar secili nga ne. Sot e pësuan 150 vetë që ndodheshin rrugës nga Barcelona për në Dyseldorf. Midis tyre për shembull edhe një grup prej 16 gjimnazistësh me mësuesit e tyre, që po ktheheshin nga një këmbim me nxënësit në Kataloni. Edhe ime bijë ka udhëtuar me avion për shkëmbim me nxënës nga vende të tjera! Prandaj edhe lajmet nga jugu i Francës prekin kaq shumë njerëz dhe prandaj mban zi gjithë Gjermania dhe Spanja për viktimat me familjet e tyre.

Veç hidhërimit, në plan të parë është çështja e shkakut të fatkeqësisë. Por çfarëdo që të dalë herët apo vonë - thuajse askush nuk do t'i ndryshojë planet e tij dhe mënyrën e tij të jetesës. Po - ndjenja e turbullt që kanë shumë vetë gjithsesi në fluturime do të jetë në ditët e ardhshme më e fortë se herët e tjera. Po ne do të hipim edhe më tej në avion, do të ngrihemi me të në qiell dhe do të ulemi si rregull të sigurtë në tokë.

Udhëtimi me veturë - më i rrezikshëm se fluturimi

Sepse, sado cinike që të tingëllojë për dikë që humbi sot një njeri të dashur: fluturimi ishte dhe mbetet mënyra më e sigurtë për të udhëtuar në distanca të largëta nga pika A në pikën B. Fatkeqësitë me avion tërheqin kaq shumë vëmendjen, sepse para së gjithash në rast fatkeqësie e humbasin jetën një numër shumë i madh njerëzish, pra hapi drejt katastrofës është hap shumë i shkurtër. Viktimat e qarkullimit rrugor nuk marrin një vëmendje të tillë, sepse aksidentet me ta ndodhin në shumë vende të ndryshme.

Në qarkullimin rrugor, numri i viktimave vitin e kaluar, në krahasim me vitin 1970 u reduktua në vetëm 15 përqind - megjithëse dendësia e automjeteve që atëherë është shtuar shumë herë. Në qarkullimin ajror, ky reduktim domethenës deri tani është arritur vetëm një herë me përafërsi - në vitin 2013. Pra synimi duhet të jetë që fluturimi në parim të bëhet edhe më i sigurtë. Kjo nuk është vetëm një detyrë për ekspertët e antiterrorit, por para së gjithash për inxhinierët dhe teknikët e avionëve, për prodhuesit e avionëve dhe për linjat ajrore. Pavarësisht nga shkaqet që kishte katastrofa: kjo është porosia e viktimave të fluturimit 4U9525.