1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Koment: Trashëgimia e gjallë e Sllobodan Millosheviqit

Janë mbushur 10 vjet nga vdekja e Sllobodan Millosheviqit në qelinë e Hagës. Por në Serbi vazhdon të ketë shumë gjurmë të politikës së tij të tmerrshme, mendon Dragosllav Dedoviq.

Sllobodan Millosheviqi dhe unë: kam qenë në Ushqe (pjesë e Beogradit), më 19 nëntor 1988. Ikonografia: mbarëserbe. Forma - komuniste. Dhe shumë njerëz. Pranë foltores edhe një shkrimtar për fëmijë, i cili feston prijësin e tij. Dhe shumë të tjerë.

Estetika e fashistëve ruralë

Mendova se Millovan Gjillas (një disident i njohur në ish-Jugosllavi) ka të drejtë: faza e fundit e komunizmit do të jetë nacionalizmi. Në miting erdha me dyshime, ndërsa u largova duke përjetuar Millosheviqin si një fatkeqësi. Tubimet e tij masive, të dala nga një socializëm në vdekje e sipër, dhe të bashkuara me frikën e shndërruar në agresivitet - ky ishte nacional-sociliazmi i tij. Ky lloj fashizmi rural nuk më pëlqente fare.

Por shkaqet politike dhe morale për distancimin tim të plotë nga "Slloba" ishin më komplekse. "Slloba" pohonte se luftonte për mbrojtjen e Jugosllavisë, të cilën e përjetoja si një kornizë të natyrshme për mua. Dhe për barazinë e serbëve në vendin e tyre. Po kush kishte diçka kundër barazisë në Jugosllavi? Por në atë kohë të gjithë ata që nuk mendonin si Millosheviqi konsideroheshin si kundërshtarë të barazisë së serbëve dhe kundërshtarë të Jugosllavisë. Kjo thjesht nuk ishte e vërtetë. Kjo ishte thjesht një përzierje e demagogjisë dhe sjelljes së shfrenuar të Millosheviqit.

Dragoslav Dedovic Kommentarbild App

Dragoslav Dedoviç

Mbështetja plebishitare e Millosheviqit asokohe më bëri të mendohem shumë. A ka rrugë tjetër? Por asokohe nuk kishte ndonjë lider të fuqishëm opozitar. Nuk mund ta rrezikonte neo-çetniku Vuk Drashkoviq dhe as reformistët e mirësjellshëm.

Rënia për shkak të humbjes

12 vite më vonë, dhe pas humbjes së katër luftrave, Millosheviqi ra nga pushteti. Jo për shkak të autokracisë, por për shkak të humbjes së luftrave në të cilat "Serbia nuk mori pjesë". Ai ra nga pushteti për shkak të humbjeve. Ndërsa përpjekjet e tij që Marrëveshjen e Kumanovës ta paraqes si fitore, mbeten për analet e historisë si kulmi i cinizmit.

Të gjitha që kanë ndodhur më pas në Tribunalin e Hagës, më së miri i përshkruante një myslimane nga Srebrenica. Në pyetjen e gazetarëve se çfarë mendon për procesin kundër Millosheviqit, ajo u përgjigj: "E sheh, o bir, se si po i han një nga një!" Millosheviqi përdori Tribunalin si një vend për prezantimin e ideve të tij. Ndërsa gjykatësve të ngadalshëm u iku nga dora - duke vdekur pak ditë para shqiptimit të dënimit. Ndërsa pasojat e politikës së tij janë si veprimi i rrezatimit: të padukshme por në shtigje afatgjata vdekjeprurëse.

Katastrofa nacionale

Rezultatet e politikës së Millosheviqit shihen edhe sot. Jugosllavia vdiq ngadalë me ndihmën e cinizmit gjeopolitik amerikan dhe paaftësisë evropiane, si dhe nga pasojat e nacionalizmit. Serbët nuk jetojnë më në ato vende ku i ka mbrojtur Millosheviqi - në Kosovë, Kroaci dhe në gjysmën e Bosnjes. Ndërkohë që është shkatërruar edhe ekonomia e Serbisë, por edhe e një pjese të vendeve fqinje. Ndërsa popujt fqinj i përjetojnë serbët kryesisht si armiq. Si pasojë, shumë serbë në këto vende janë përballur me zemërimin e këtyre popujve.

Vazhdimësia

Ja dhe disa gjëra që na lidhin ende me Millosheviqin. Së pari, politikanët që janë rritur nën hijen e tij, tani janë në pushtet: ish - zëdhënësi i Partisë Socialiste Ivica Daçiq dhe ish - ministri i Informimit në kohën e luftës së Kosovës, Aleksandar Vuçiq. Daçiqi e mori PS pas rënies së padronit të tij. Partia ishte në gjendje të rëndë, por presidenti i atëhershëm, Boris Tadiq u fut në koalicion me Daçiqin, i cili përjetoi ngritje. Ndërsa Tadiqi u zhduk nga skena e madhe politike. Edhe Vuçiqi ishte ministër në kohën e Millosheviqit. Tani me dëshirë do t'i harronte "mëkantet e rinisë", por ky është fakt.

Në Serbi kanë mbetur pasojat e korrupsionit nga koha e Millosheviqit, por ky korrupsion është perfeksionuar. Nga koha e Millosheviqit ka mbetur edhe fryma e respekimit të partisë dhe privilegjeve partiake. Në Serbi nuk ka pasur kurrë ndonjë zbardhje të vërtetë të së shkuarës. Nuk janë hapur dosjet e shërbimeve sekrete. Ndërsa shërbëtorët e Millosheviqit kanë vazhduar të shërbejnë - por tani disa padronë të tjerë.

Kosova "zemra e Serbisë"

Millosheviqi u ngrit me politikën e tij në Kosovë. Fiksimi i tij në Kosovë, i ka mbetur si amanet prijësit të sotëm Aleksandar Vuçiq. Kryeministri i tanishëm po zhvillon negociata në Bruksel, por gjithmonë duke iu lutur Zotit që të mos kërkohet nga ai njohja formale e Kosovës si shtet. Nëse shikojmë sasitë e gazit lotësjellës që po derdhen sot në parlamentin e Kosovës, kjo kërkesë nuk do të vijë shpejt në rendin e ditës. Por edhe nuk do të vonohet deri në pafundësi. Kështu Kosova, ku nuk ka mbetur asnjë shenjë e shtetit serb, edhe më tej mbetet "zemra e Serbisë“.

Në fund duhet theksuar se Sllobodan Millosheviqi edhe më tej mbetet një sipërfaqe e shkëlqyeshme për projektime. Në njërën anë ai brohoritet "Slloba liria" dhe në anën tjetër shpallet fajtor për të gjitha, ndonëse me votat e tij legjitimohet pushteti edhe sot. Millosheviqi nuk ka qenë diktator por një autokrat i zgjedhur me vota.

Si prehje na mbetet fakti që Serbia e sotme ka hequr dorë në tërësi nga përdorimi i dhunës si mjet për realizimin e politikës nacionaliste. Por pasojat e politikës së Millosheviqit ende nuk janë tejkaluar.