1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: thjesht vetëm e neveritshme

Videoja e re e tmerrshme e terroristëve islamistë nga Siria të shtang. Sërish bëhet e qartë: Shteti Islamik (IS) sfidon të gjithë botën, mendon kryeredaktori i DW-së Alexander Kudascheff.

Togeri jordanez i aviacionit Muas al-Kasasba ka vdekur. Ai u dogj i gjallë prej të ashtuquajturit "Shteti Islamik". I mbyllur në një kafaz ai përjetoi një therorizim të paimagjinueshëm. 20 minuta zgjati lufta e tij me vdekjen, pasi ai siç dukej ishte torturuar shumë rëndë më parë. Në shkallëzimin e papërfytyrueshëm të mizorive gjithnjë e më të tmerrshme kjo autodafé, djegia në publik, është veçse e neveritshme, e përshtirë, që të ngjall krupën. Në të veprohet me instiktet më të ulëta dhe ajo intensifikon terrorin e mizorisë.

Çfarë vjen paskëtaj?

Fillimisht IS rrëmbeu për skllavëri, dëboi, torturoi, përdhunoi, vrau, shfarosi fshatra të tërë, jezidë, të krishterë, asgjësoi njerëzit e besimit tjetër, për të vazhduar me prerjet e kokave publikisht - dhe tani djegia në publik. Çfarë do t'u pjellë më mendja të vetëshpallurve luftëtarët islamikë të Zotit, çfarë do të bëjnë më ata në marrëzinë totalitariste të makthit të tyre për pushtet? A ka më shkallëzim të mëtejshëm të mizorisë, a ka më shkallëzim të mëtejshëm të inskenimeve përmes videove ikonografia e tyre e terrorit dhe e gjoja "kthimit në rrënjët e Islamit të vërtetë, të pastër e origjinal"?

DW 60 Jahre Alexander Kudascheff

Alexander Kudascheff, kryeredaktor i DW

IS i vë të gjithë përballë sfidës. Fillimisht vendet, në të cilat ai po shfren, pra Sirinë dhe Irakun. Pas tyre fqinjët, nga Jordania deri në Turqi e Iran. Të gjithë rajonin, qoftë Arabia Saudite, apo Egjipti. E së fundi botën, nga SHBA-ja deri tek BE-ja e po ashtu edhe Rusinë e kërcënuar prej terrorizmit. Nuk është më çështja për disa sulme nga ajri të kryera me sukses. As nuk bëhet fjalë vetëm për mbështetje të peshmergave kurdë me furnizime me armë. As nuk është fjala për azilin për qindra mijëra, për miliona refugjatë. Madje as nuk qendron çështja, sado e hidhur të tingëllojë kjo, tek fati politik i diktatorit sirian Bashar al-Asad.

IS jo vetëm që duhet të luftohet, por duhet të asgjësohet

Tani çështja është, të asgjësohet IS. Të shkatërrohet ai ushtarakisht, ashtu si dikur para 800 vjetësh u asgjësuan asasinët. Fillimisht duhet një fushatë ushtarake, që të përballet me sfidën për të mposhtur IS - kjo duhet bërë edhe pse vdekja e al Baghdadit dhe xhihadistëve të tij mund të bëjë që të ngrihen pasues të rinj. Shuarja shoqërore e politike e magjepsjes së xhihadiszmit të dhunshëm do të jetë hapi i dytë.

Një hap i vështirë ky, siç mund të shihet në shpërbërjen e shteteve në Lindjen e Mesme - në Jemen, në Libi e po ashtu edhe në periferitë e Perëndimit të lehta për t'u ndezur ideologjikisht, ose në Kaukaz. Por këtë detyrë vendet arabe duhet ta përballojnë vetë. Janë ato që vendosin, nëse duan një Lindje të Mesme multikulturaliste dhe multifetare, apo duan të zhyten në vorbullën e islamizmit fanatik.

Reagimi i Jordanisë për t'i ekzekutuar xhihadisten al-Riscavi dhe anëtarin e Al-Kaidas Karbuli, vërtetë mund të gjejë miratim si një akt hakmarrjeje, madje ai u përgjigjet edhe konform interesave të shoqërisë beduinase të fiseve në mbretërinë hashemite. Por ky reagim ishte sipas logjikës të Dhjatës së Vjetër dhe jo sipas normave të shtetit ligjor. Kësisoj vetëm përkohësisht ai mund të ndikojë në forcimin së brendshmi, por me gjasë ai mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.