1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Terrori drejtohet kundër neve të gjithëve

Gati një vit pas krijimit të shtetit të Kalifatit një valë terrori përfshin disa vende. Kjo ngre pyetje të pakëndshme për shume shtete perëndimore, mendon Rainer Sollich.

Të vdekur në një hotel më turistë në Tunizi, të vdekur në një xhami në Kuvait, të vdekur në një sulm në Somali, shpërthime dhe prerje koke në Francë. Katër lajme të tmerrshme në një ditë, pa numëruar viktimat e përditshme të terrorit dhe dhunës në Siri, Irak dhe vende të tjera të rajonit.

Terrori po përshkallëzohet duke përfshin vende, që deri tani nuk janë gjendur në qendër të sulmeve të dhunshme. Në vende si Tunizia, që përpiqen me mundim të gjejnë një rrugë drejt stabilitetit, duke integruar si islamistët e moderuar ashtu edhe forcat laike. Që nga sulmi në muzeun kombëtar në Bardo u pa se po bëhen përpjekje për ta bërë këtë model që të dështojë dhe për të nxitur kaos. Është më se e qartë se sulmi në hotelin në Sousse i shërben të njëjtit qëllim dhe prek sektorin me rëndësi jetike në ekonominë e Tunizisë, turizmin. Nëse pas sulmit fshihet me të vërtetë i ashtuquajturi "Shteti Islamik" IS, apo imitues të tij, apo grupe të tjera xhihadiste si Al-Kaida, është e dorës së dytë. Qëllimi është i qartë, për të penguar një model të mundshëm për një demokraci funksionuese dhe shoqëri civile në botën islame. Dhe në shumicën e sulmeve të tilla në emër të gjoja fesë islame shumica e viktimave janë muslimanë.

Shumica e viktimave janë muslimanë

Sollich Rainer

Rainer Sollich

Por edhe vendet perëndimore po vihen gjithnjë e më shumë në shënjestër. Franca preket për herë të dytë në përmasa të mëdha: Para rreth një gjysëm viti redaksia e revistës satirike "Charlie Hebdo" u sulmua nga terroristët, që atëherë sulme vdekjeprurëse me sfond islamist ka patur edhe në vende të tjera evropiane. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere u thotë fare hapur qytetarëve se "nuk mund të garantojë" që Gjermania do të kursehet nga sulmet terroriste. Kjo është një e vërtetë e hidhur. Mund të prekë secilin prej nesh, si vendet Arabe, ashtu edhe vendet në Europë, apo Amerikë, Afrikë, apo Azi.

Nuk do të kushtonte shumë të japësh këshilla të mira në ditët e sotme. IS dhe xhihadistët e tjerë nuk munden dot brenda natës as në vendet e origjinës dhe as në vende të tjera të botës. Ata janë të organizuar shumë mirë - nga ana ushtarake dhe logjistike, si dhe në fushën moderne të betejës në twitter- në propagandën e internetit. Por edhe gjestet e solidaritetit me vendet e prekura nuk mjaftojnë. Ai që do të luftojë në mënyrë të efektshme terrorin duhet të bëjë më shumë kundër varfërisë dhe shtypjes në botën arabe. Po ashtu ne duhet të bëjmë më shumë për të penguar që gjithnjë e më shumë të rinj edhe në Evropë të joshen nga propaganda marciale xhihadiste. Në interes të sigurisë sonë ne nuk do të anashkalojmë dot ashpërsimin e masave të sigurisë, edhe nëse këto mund të duken jo popullore dhe askush nuk mund të ofrojë një siguri absolute nga sulmet.

Tmerrësisht profesionale

Duhet shtruar në mënyrë kritike pyetja, nëse lufta ushtarake kundër IS në Siri dhe Irak mund të fitohet me të vërtetë vetëm me sulme ajrore dhe mbështetje ushtarake të forcave të zgjedhura tokësore lokale. Ka kaluar një vit, qëkur IS shpalli "Shtetin e Kalifatit". Dhe deri tani duket sikur ky shtet nuk do të zhduket së shpejti, megjithëse amerikanët njoftojnë në mënyrë sporadike për "suksese". Sapo IS kalon në defensivë, ai tërhiqet dhe godet më vonë diku tjetër. Ne nuk kemi të bëjmë vetëm me fanatikë, që i kanë hyrë një rruge të gabuar, por për fat të keq edhe me ushtarakë profesionistë.

Duhet shqyrtuar edhe çështja, nëse perëndimi punon me të vërtetë me partnerët e duhur në botën arabe. Arabia Saudite, sa për të dhënë vetëm një shembull, për një kohë të gjatë i ka lënë xhihadistët që të veprojnë në Siri. Për një kohë të gjatë ajo nuk ka penguar që Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit Persik të jepnin para për grupet xhihadiste. Me luftën në Jemen dhe përpjekjet për një supremaci ndaj Iranit ai ndjek një politikë, që ndez kundërshtitë mes sunitëve dhe shiitëve duke çuar direkt ujë në mullirin e propagandës. Edhe për këtë nuk ka zgjidhje direkte. Por duhet që gjërat më në fund të thuhen qartë.