1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Takimet Vuçiq-Rama një fillim i mbarë për Ballkanin

Vilma Filaj-Ballvora27 Maj 2015

Vizitat reciproke mes serbëve e shqiptarëve hapin një kapitull të ri në Ballkan. Përpjekja e të dyja palëve për t’i zgjidhur problemet mes tyre sipas modelit europian është një fillim i mbarë mendon Vilma Filaj-Ballvora.

https://p.dw.com/p/1FXMp
Albanischer Premierminister Rama mit serbischem Amtskollegen Vucic
Edi Rama pret me nderime kryeminisrtrin serb, Vuçiq në TiranëFotografi: picture-alliance/dpa/A. Babani

Para gjashtë muajsh kreu i qeverisë së Shqipërisë Edi Rama vizitoi si i pari kryeministër nga Shqipëria pas 68 vjetësh Beogradin. Tani Aleksandar Vuçiq e ktheu vizitën në Tiranë. Dy kryeministrat tashmë e kanë thyer akullin në marrëdhëniet e ngrira mes dy vendeve.

Vërtetë Kosova ka qenë dhe mbetet pengesa kryesore midis dy vendeve: pasi Serbia e refuzon kategorikisht pavarësinë e saj, ndërkohë që Shqipëria e sheh veten në rolin e mbrojtësit të shqiptarëve në Ballkan. Në një sfond të tillë nuk është aspak një detyrë e lehtë për të dy kryeministrat Rama dhe Vuçiq që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për këtë çështje. Megjithatë që të dy ata e kanë shumë të qartë, se janë të pashmangshme bisedat për Kosovën. Por ky diskutim duhet zhvilluar me kthjelltësi dhe pa empati e paragjykime populiste. Deklarata e Edi Ramës para gjashtë muajsh në Beograd, se Serbia duhet ta pranojë realitetin e ri të Kosovës, shkaktoi një valë reagimesh e zemëratë në Serbi, duke u cilësuar si provokim. Po kështu edhe deklarata e Vuçiqit në Tiranë, se Kosova është Serbi, ndoshta në opinionin shqiptar mund të perceptohet si provokim. Por kjo nuk e zbeh aspak peshën e faktit, që shkëmbimet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë futur tani në hullinë e normalitetit.

Pakicat si ura lidhëse e jo si arsye për tension

Vërtet që rëndom nga Tirana e Beogradi shkëmbehen replika lidhur me minoritetin shqiptar në Serbi dhe atë serb në Shqipëri – rreth 30.000 serbë jetojnë në Veri të Shqipërisë dhe rreth 60.000 shqiptarë në Jug të Serbisë. Ndërsa Tirana kërkon më shumë të drejta për shqiptarët në Serbi, Beogradi tërheq vëmendjen, se serbët në Shqipëri po asimilohen. Por në këto replika ndihet më shumë nota e populizmit. Përkundrazi pikërisht këto minoritete mund të jenë në fakt këtej e tutje ura lidhëse midis dy vendeve për ta çuar përpara foricimin e marrëdhënieve bilaterale.

Vilma Filaj Ballvora Leiterin DW-Albanisch
Vilma Filaj BallvoraFotografi: DW/P. Henriksen

Termi „Shqipëri e madhe“, që ngjall shpesh një reaksion zemërimi në Serbi, është dhe mbetet një utopi ndoshta e modës vetëm në qarqe të caktuara radikale dhe pa influencë. Mëse qartë e theksoi edhe kryeministri shqiptar Edi Rama në konferecën e përbashkët të shtypit me Vuçiq në Tiranë, se „Shqipëria e madhe“ nuk është as vizion, as projekt dhe as nuk ka plan për këtë. Edhe kjo tezë duket se përdoret rëndom për populizëm. Për më tepër që në takimin në Tiranë të dy kryeministrat sërish e vunë theksin, tek synimi për të bashkëpunuar e dialoguar drejt integrimit europian në një Ballkan pa kufij. Midis të dy vendeve dhe popujve ka mjaft të përbashkëta e sot në shekullin e 21-të edhe shumë më tepër hapësira për intensifikimin e shkëmbimeve. Në këtë drejtim do të ishte e udhës që sa më parë të marrin jetë idetë për nxitjen e shkëmbimeve kulturore e ekonomike si dhe intensifikimin e kontakteve mes të rinjve nga të dyja vendet.

Nëse temat delikate mes Shqipërisë dhe Serbisë së shpejti do të mund të shmangen, kjo mbetet të shihet. Me dialog zgjidhjet janë të mundshme. E për herë të parë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe duket se Tirana dhe Beogradi tashmë kanë vendosur për opcionin e dialogut.

Edhe pse të tilla vizita kortezie rëndom nuk sjellin rezultate të prekshme, Rama dhe Vuçiq meritojnë të vlerësohen për hapin e ndërmarrë. Me këtë Tirana dhe Beogradi japin një sinjal pozitiv: sepse shtrëngimi i duarve mes kryeministrave të dy vendeve me marrëdhënie historikisht të tensionuara nuk i shërben vetëm shërimit të raporteve bilaterale, por ka pa asnjë mëdyshje edhe një efekt mjaft pozitiv për të gjithë rajonin. Shkëmbimet mes Tiranës e Beogradit janë një fillim i mbarë edhe për Ballkanin.